Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjekë Gjonaj: Gruda, trevë e krenarisë kombëtare

| E marte, 26.07.2011, 08:03 PM |


Gruda,  trevë e krenarisë kombëtare

 

Nga Gjekë Gjonaj

 

“ N’atë pak  kohë qi ndeja famullitar në Grud pash urtin e atyne banorëve në pleqni, e u binda; u provova burrnin , sa herë u rashë  për besë e falje, i gjeçë trima të qitun e burra të ndershëm, të zotët me vra edhe me fjalë, ma se nji herë më ra me i prekë në bujari, e pash se kishin pse m’u mbajtë fisnikë: për besë e fe, për bukë e për mik, për nder të vetit e të bajrakut, s’ bajshin mallë vehten as gjallnimin e vet. Madhnija shpirtnore e tyne, njimend mbulue me atë mënyrë jete gati si të vrashtë e trashamane, por vërtet kapej ndër ideale të larta”- At Anton Arapi

 

Mëngjesi i kësaj dite  pranvere, fundmarsi,  na zuri poshtë malit të bukur të Sukës së Grudës ( 1212m), në Luginën e Cemit, pas Deçiqit legjendar (649m) aty ku shtrihen si një valle fshatrat kodrinorë-malorë: Llofka, Cemi i Llofkës, Prifti, Pikala, katunde këto që me një emër quhen Rranxa e Sukës, pastaj Selishti, Cemi i Selishtit, Kësheva dhe Gurreci. Pjesa malore e Grudës kufizohet në veri me Trieshin dhe Kojën, në jug me Hotin, kurse  në jugperëndim  ndodhen  fshatrat e saj fushorë: Dinosha, Mileshi, Rranxa e Vulajve, Haxhaj, Passhkalla, Rrogathi, Shipshaniku Dushiqi, Kodra e Budanit, Vrana, Vranja dhe Lekajt.

 

E ne  ndihemi  tepër të kënaqur, sepse  janë këto  çaste mallëngjyese ku toka merret vesh aq mirë me njerëzit, saqë  të duket e pamundur që këta njerëz të mos jenë të lumtur. Sapo hymë  mes malesh ndalemi pranë brigjeve të lumit Cem. Hamendemi se ku ndodhemi !  Shkëmbinjtë dinarikë, uji i  kaltër dhe i ftohtë që  rrjedh nga thellësitë e Alpeve Shqiptare, bari i ngrohtë nën qiellin pranveror dhe era e gjetheve të njoma të ripërtërin dhe të rizgjon kujtime nga më të bukurat. Jeta e këtyre njerëzve,  në zonën malore të gëzon, pasi fitojmë përshtypjen se  shumica janë mirë dhe shumica  e duan njëri-tjetrin. Një pjesë e fshatarëve merret me blegtori, një pjesë punon tokën, kultivojnë patate, hudhra, qepë, lakra,  bimë mesdhetare, veçanërisht hardhinë, fikun, shegën, ftoin etj., dikush merret me bletari, por ka edhe asish që merren me tregti e veprimtari të tjera jetësore.

 

Lashtësia

 

Gruda, e cila me këtë emër përmendet nga fillimi i shekullit XIV,  është banuar në qysh në kohë të hershme, në thellësi të shekujve. Banorët e këtushëm kanë prejardhje ilire, kjo e vërtetuar dhe e argumentuar nga historianë e studiues  shqiptarë dhe të huaj. Sipas historianit dr. Gjon Fran Ivezaj,  fisi i Grudës është i ardhur nga Basumët e Postribës të Shqipërisë së Veriut, të cilët, në mesin e shek. XV-XVI, u vendosën në malin e Grudës së sotme kreshnike, e përmendur në Malësinë e Mbishkodrës për një histori të shkruar përmes grykës së pushkës. Bijtë e Basumës - shkruan Ivezaj-u përqëndruan dhe ndërtuan shtëpitë e tyre në formë kulle me frëngji në malin e Grudës, dhe shton se asokohe i pari i vendit (krahinës),  atdhetari i shquar Vuksan Gela ishte si pari i Grudës, çka vërtetohet edhe sot nga burime historike të shkruara nga autorë të huaj dhe shqiptarë. Etnografi i njohur Rrok Zojzi shkruante se po t’i pyesni malësorët e Grudës për prejardhjen e tyre ata do të përgjigjeshin se janë pasardhësit e Grud Sumës, i cili banonte në shpellën e Bigës së Rohëve,  emri i  të cilit  përmendet  në dokumentet e vitit 1330. Gruda kah fundi i shekullit XV përfshihej në nahijen e Zhablakut dhe asohere kishte 80 shtëpi. Ndërkaq emërtimin në vete Nahija e Grudës, përkatësisht si njësi administrative të rëndësishme në literaturën historike e gjejmë në vitin 1485, kurse në vitin 1497 nuk përmendet në defter si nahije. Edit Durham, udhëtare dhe studiuese angleze, mike e popullit shqiptar,  në fillim të shekullit XVI e paraqet Grudën me 500 shtëpi, (një shtëpi kishte 8-10 frymë), 80 prej të cilave janë me prejardhje nga Berisha, kurse të tjerët, shkruan Durhami, janë të mërguar nga Hercegovina. Sipas studiuesit  Kahreman Ulqini, në Grudë sikurse edhe në pjesët tjera të Malësisë u krijuan bajraqet. Kështu për shembull në vitin 1879 në Grudë kemi dy bajraqe, në Dinoshë dhe në Llofkë, po aq sa kjo trevë ka edhe në fillim të shekullit XIX. Malësorët e Grudës, që e identifikonin veten me shqiponjën e Alpeve tona,  me vendosmëri u bënë ballë të gjitha sulmeve barbare të   romakëve, turqve, sllavëve etj., që kishin për     qëllim zaptimin e trojeve tona stërgjyshore.  Në Grudë jetojnë me shekuj disa fise  (vëllazëri): Kalaj,  Ivezaj, Sinishtaj, Lulgjuraj, Gjokaj, Berishaj, Gjolaj, Vuçinaj, Bojaj, Vulaj, Stanaj, Lulanaj, Kajoshaj, Beqaj, Kërnaj, Pepaj, Hakshabanaj, Gilaj , Pecaj dhe Fërluçkaj.

 

Çfarë i mban të fortë këta njerëz në këto male ?

 

Malet e larta, shkëmbinjtë masivë, lumi Cem, toka pjellore  bari i shijshëm për bagëti, vreshtat, mishi e qumështi  dhe mbi të gjitha dashuria për tokën  arbërore i mban të fortë këta njerëz në këto male. “ Këtu duam të jetojmë, thonë banorët, na pëlqen vendi ynë”. Këtu jo çdo gjë është e lehtë, bëhet dhe një jetë e vështirë, por gjithsesi, pa shumë kokëçarje, sepse vetë natyra i mban gjallë ata. Edhe pse shumica e banorëve deri tani ndihen relativisht të kënaqur, kanë mendimin se shteti duhet të mendojë më shumë për  këtë trevë. Të mendojë në kuptimin që fshatrat malore të Grudës  të mos braktisen. Këtu në këtë zonë me një bukuri të rrallë natyrore, me gjelbërim të përjetshëm stinor, gjen ritet e bukura të lindjes, martesë dhe të vdekjes, që janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme.

 

Urtia, burrëria, fisnkikëria, trimëria e grudjanëve

 

Kur udhëton nëpër këtë zonë malore, duke filluar nga fshati i parë e deri në fshatin e fundit,   janë të prekshme menjëherë: bujaria, fisnikëria dhe shpirti i bardhë i këtyre njerëzve. Tek fjalët: “Mirë se erdhët!”, “Bujrëm, na ka ardhur miku” etj., ndihet kultura, mirësjellja dhe afrimi i njerëzve, një kulturë e dukshme dhe tradicionale, një frymë njerëzore dhe shoqërore që i lidh ata me njëri-tjetrin.Grudjanët, sikurse edhe banorët e tjerë të Malësisë së Mbishkodrës, dallohen jo vetëm për trimëri e  atdhetari, por edhe për virtyte të tjera morale, për urti, mikprtije,  besë, bujari, fisnikëri; për  ruajtjen e nderit, respektin e dinjitetit njerëzor,  për mikpritjen, pastaj për doket e zakonet, për traditën e pasur kulturore e shumëçka tjetër. Vetë Atë  Anton Harapi ka shkruar: “ N’atë pak  kohë qi ndeja famullitar në Grudë pash urtin e atyne banorëve në pleqni, e u binda; u provova burrnin, sa herë u rashë  për besë e falje, i gjeçë trima të qitun e burra të ndershëm, të zotët me vra edhe me fjalë, ma se nji herë më ra me i prekë në bujari, e pash se kishin pse m’u mbajtë fisnikë: për besë e fe, për bukë e për mik, për nder të vetit e të bajrakut, s’ bajshin mallë vehten as gjallnimin e vet. Madhnija shpirtnore e tyne, njimend mbulue me atë mënyrë jete gati si të vrashtë e trashamane, por vërtet kapej ndër ideale të larta”.

 

Bijtë e shquar të Grudës

 

Gjatë shekujve Gruda ka dhënë luftëtarë të mëdhenj, burra të shquar që u dalluan në kuvend  e në fushat e betejave për mbrojtjen e trojeve shqiptare, duke  shkruar faqe të lavdishme në historinë tonë kombëtare. Ndër trimat e paharruar të Grudës dallohen: Vuksan Gela, Mehmet Murati Gjokaj, Baca Kurti Gjokaj, Smail Martini Ivezaj, Nikë Martini Ivezaj, Dedë Nika Ivezaj, Mat Hasani Ivezaj, Zef Martini Ivezaj, Kolë Zefi Ivezaj, Bacë Vuksani Ivezaj, Preç Vuksani Ivezaj, Vuksan Prëçi Ivezaj, Sokol Baci Ivezaj, Tringë Smajlja Ivezaj, Zef Miliqi Lulgjuraj, Nikë Lucë Gjeloshi Lulgjuraj, Mark Gjeku Lulgjuraj, Kolë Marku Lulgjuraj, Maxha Grishi Bojaj, Mirash Luli Bojaj, Palokë Gjoka Vulaj, Halil Haka Nikaj, Ali Zeku Pepaj, Marash Dashi Kalaj, Prëtash Leci Sinishtaj, Selman Juku  etj.

 

Famullia e Grudës

 

Sipas   “Relacioneve    vitit 1864”, të botuara në italisht, famullia e Grudës ka qenë qendra dhe djepi i misionit françeskan në Malësi. “Në kohën e pushtimit otoman të bijtë  e S. Franceskos niseshin nga Shkodra  e mblidheshin në Grudë e prej andej herë pas here mbërrinin deri në Triesh, Kojë, Podgoricë, Traboin dhe Tuz, duke sfiduar jo vetëm vështirësitë e vendeve të pakalueshme por edhe urrejtjen dhe fanatizmin e myslimanëve si edhe hakmarrjet dhe tradhëtitë e katolikëve të këqij. Nga Gruda ishin nisur edhe Patër  Salvatore nga Ofida dhe Patër Paolo nga Montova më 1644 për të shkuar e për të predikuar misionin në Kelmend aty afër, por në lumin Cem, që kalon afër Grudës u vranë nga një katolik i keq ( nga emisarët e bajrakut të Vuklit) që kishte marrë  dy gra, sepse ministrat e Zotit e kishin qortuar mbase jetonte me gruan pa kurorë. Në vitin 1640 Atë Gregorio Novariese mes sakrificave të shumta ia doli të ngrinte kishën e shtëpinë ndihmuar nga Atë Giacomo nga  Sarnano e Patër  Cherubino nga Valbona. Këta të tre apostuj, mes mijëra problemesh e përndjekjesh, shumëherë edhe në këmbë vizituan Malësinë e Madhe, duke mësuar, pagëzuar e duke bërë të  mundur që kudo të adhurohej feja e Jezusit. Meritat apostolike të Padër Gregorio Novoriese u njohën nga Ati i Shenjtë Innocenzo  X, i cili e emëroi ipeshkëv të Shkodrës.

 

Famullia i kushtohet  ipeshkvit Shën  Martinit dhe numëron 216 familje me 1095 frymë ( banorë). Fshati, ku gjendet kisha dhe rezidenca e misionarit, quhet Priftën. Streha e restauruar krejtësisht nga Padër Leonardo Gojani. Regjistrat ekzistojnë që nga viti 1808, kurse regjistrat e mëparshëm janë shkatërruar e djegur, si në famullitë e tjera nga luftërat e incidentet. Populli është i butë dhe mikpritës si i gjithë populli shqiptar dhe  jeton në varfëri me anë të blegtorisë. Famullitarët paguajnë ende 1/10. Në Grudë famullitarët gjithmonë kanë qenë fretër françeskanë, por viteve të fundit ka pasur edhe priftër dioçezianë, si dom Zef Demiraj dhe dom Simon Filipaj. Frati aktual është Patër  Pashko  Prela nga provinca e Shqipërisë”, thuhet në relacione.

 

Kisha e Shën Nikollës

 

Kjo kishë  në fshatin Priftën  thonë se është ndërtuar 380 vjet para se të  vinin në Grudë familjet nga Hercegovina.  Siç mësojmë nga Anton Harapi në veprën “Andrra e Prëtashit”  Kisha e Grudës do të jetë rindërtuar në fundin e shekullit XIX nga dora  e fratit italian P. Mirashit (emri i tij i vërtetë  ishte P. Teodosio de Parma), kurse qelën e goditi Patër Pashko Prela në vitin 1907.  Disa burime thonë se  Kishën e Grudës e kanë themeluar në vitin 1640 françeskanët italianë: Patër Cherubino di Val di Bono dhe patër Geregorio da Novara, i cili në vitin 1646 emërohet ipeshkëv në Shkodër.

 

Ende duhet punuar

 

Në çastin  e largimit prej kësaj zonë  përsëri ndien dhe të duket sikur njeriu për një grimëherë harron jetën e vet të mistershme, sikur shumëçka  nuk lëviz ose ecën shumë ngadalë, por nuk ndodh kështu. Në të vërtetë ata ecin me mjaft shpejtësi, që të ngjallet më shumë se një shpresë! Këta njerëz e pëlqejnë  jetën  qoftë dhe të shkurtër, por të ashpër si këto lartësi. Këtu  vërtet ndien bukurinë, misterin dhe mrekullinë, ëndrrën dhe ashpërsinë e jetës midis ngjyrave të shkëlqyera të natyrës, ku  fryjnë erërat e lira. Prandaj grudjanët pavarësisht nga sa kanë mbërritur, si elektrifikimi i fshatarve, asfaltimi i rrugëve kryesore vendore, meremetimi  i varrezave familjare,  modernizimi i  shtëpive, dëshirojnë dhe  meritojnë më shumë.

Grudë, 30 mars 2008