| E merkure, 20.07.2011, 08:05 PM |
SHKRIMET VLERËSUESE TË DR IBRAHIM RUGOVËS PËR POEZINË BASHKËKOHORE SHQIPE TË KOSOVËS
Nga Sinan Sadiku
Për ta njohur poezinë bashkëkohore shqipe, për t`i njohur rrugët e zhvillimit të saj, për t`i njohur poetët më të mirë, veprat më të mira , poezitë më të mira është e domosdoshme që përveç veprave poetike t`i lexojmë dhe studiojmë edhe esetë, kritikat, studimet dhe vlerësimet e disa mendimtarëve, të disa kritikëve letrar, të disa njohësve më të mirë të saj. Është i madh numri i kritikëve letrarë të cilët kanë shkruar punime e libra për poezinë bashkëkohore shqipe. Megjithatë më së shumti në këtë fushë kanë kontribuuar: Dr Ibrahim Rugova, Dr Agim Vinca, akademik Ali Aliu, akademik Sabri Hamiti e të tjerë. Njëri ndër mendimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptar që ka shkruar për letërsinë shqipe në përgjithësi dhe për poezinë bashkëkohore shqipe në veçanti është Dr Ibrahim Rugova. Shkrimet, gjegjësisht esetë, studimet, interpretimet, vlerësimet e Rugovës për poezinë bashkëkohore shqipe i gjejmë në librat e tij: “Prekje lirike” (1971), “Strategjia e kuptimit” (1980) dhe “Refuzimi estetik” (1987). Ky mendimtar ka bërë vlerësime të plota për poezinë bashkëkohore shqipe, të botuar deri kah mesi i viteve të tetëdhjeta në Kosovë dhe në hapësirat shqiptare nën Jugosllavi. Kështu që shkrimi im do të merret me shkrimet vlerësuese për këtë pjesë të poezisë shqipe.
Në librin “Strategjia e kuptimit” në pjesën e tretë të titulluar “Teori e poezisë shqipe në Jugosllavi” gjegjësisht në kapitullin “Vlerësime” Rugova e bënë një vlerësim të gjithë krijimtarisë poetike të çdo poeti dhe të çdo libri veç e veç të botuar deri në vitin 1979 në Kosovë dhe në hapësirat shqiptare në Jugosllavi. Notat gjegjësisht shprehjet vlerësuese me të cilat shërbehet janë:
- “Libër i dobët, - që është nën nivelin e asaj që është shkruar apo shkruhet;
- Libër i zakonshëm, - që nuk vërehet mjaft në poezi, nuk sjell ndonjë element shques, të nxis diçka të re, po që inkuadrohet në situatën momentale:
- Libër interesant, - që përmban elemente të cilat heqin mendjen e kritikës dhe të praktikës poetike, po si tërësi nuk është i realizuar;
- Libër i mire, - që ka mëvetësinë e vet artistike po nuk ndihet shumë në procesin poetik;
- Libër i mirë e me ndikim, - që me mëvetësinë e vet artistike dhe me elementet inovative ndikon në procesin poetik, në kreativitetin e situatës poetike, pra jashtë kuptimit epigonist, ndikon në aktivizimin e ideve të reja dhe të akumulimeve poetike, natyrisht duke u aplikuar elementet e tij kreativisht”.
Megjithatë gjatë vlerësimit konkret të çdo vepre, Rugovës nuk i kanë mjaftuar vetëm këto pesë nota – shprehje vlerësuese, andaj për disa vepra i ka përdor edhe shprehjet: libër i parëndësishëm (që në aspektin vlerësues është aty diku te libri i dobët) , libër i rëndësishëm (që në aspektin vlerësues është aty diku te libri interesant) dhe libër interesant e me ndikim. Të shohim konkretisht si i vlerëson Rugova librat me poezi të botuara deri në vitin 1979, si i vlerëson autorët e tyre, kuptohet përmes vlerësimit të librave që i kanë shkruar ata, cilët janë poetët që kanë shkruar më së shumti libra të mirë e me ndikim, libra të mirë e të tjera? Sa për informim të themi se deri në vitin 1979, duke i përfshirë edhe botimet e atij viti në Kosovë dhe në hapësirat e tjera shqiptare në Jugosllavinë e atëhershme janë botuar gjithsejtë 217 libra me poezi, ndërsa numri i autorëve të atyre librave është gjithsejtë 91. Prej këtyre 217 librave me poezi Rugova 9 i vlerëson me notën libra të mirë e me ndikim, 6 libra të mirë, 45 libra interesant, 1 libër të rëndësishëm, 131 libra të zakonshëm, 14 libra të dobët dhe 11 libra të parëndësishëm. Pra më së paku ka libra të mirë dhe libra të mirë e me ndikim e më së shumti libra të zakonshëm, por nuk mungojnë as librat e dobët dhe ata të parëndësishëm. Libra të mirë e me ndikim, libra të mirë dhe nga dy e më tepër libra interesant kanë shkruar:
- Sabri Hamiti, dy libra të mirë e me ndikim dhe dy libra interesant,
- Eqrem Basha, dy libra të mirë e me ndikim dhe dy libra interesant,
- Enver Gjerqeku, një libër të mirë e me ndikim dhe pesë libra interesant,
- Ali Podrimja, një libër të mirë e me ndikim dhe katër libra interesant,
- Beqir Musli, një libër të mirë e me ndikim, një libër të mirë dhe dy libra interesant,
- Martin Cmaj, një libër të mirë e me ndikim dhe një libër interesant,
- Esad Mekuli, një libër të mirë e me ndikim,
- Azem Shkreli, tre libra të mirë dhe një libër interesant,
- Din Mehmeti, një libër të mirë dhe dy libra interesant,
- Rrahman Dedaj, një libër të mirë dhe dy libra interesant,
- Teki Dervishi, tre libra interesant,
- Adem Gajtani, dy libra interesant,
- Mirko Gashi, dy libra interesant,
- Musa Ramadani, dy libra interesant,
- Bedri Hysa, dy libra interesant,
- Fahredin Gunga, një libër interesant dhe një libër të rëndësishëm.
Librat më të mirë që Rugova i ka vlerësuar me notën më të lartë libër i mirë e me ndikim janë: librat e Sabri Hamitit “Thikë harrimi” (1975) dhe “Trungu ilir” (1979), librat e Eqrem Bashës “Polip-ptikon” (1974) dhe “Yjedet” (1977), pastaj libri “Blerimi i vonuam” (1966) i Enver Gjerdekut, libri “Torzo” i Ali Podrimjes, libri “Bukuria e zezë” (1968) i Beqir Musliut, libri “Kanga e vërrinit’ i Martin Camajt dhe libri “Për ty” i Esad Mekulit. Pra deri atëherë vetëm shtatë poetë kanë shkruar libra të mirë e me ndikim prej të cilëve dy (Sabri Hamiti dhe Eqrem Basha) i kanë shkruar nga dy, gjersa pesë të tjerët e kanë shkruar vetëm nga një.
Gjashtë librat e mirë janë: tre të Azem Shkrelit: “Bulzat” (1960), “Engjujt e rrugëve” (1963) dhe “Nga bibla e heshtjes” (1975), pastaj libri “Sezamet” i Beqir Musliut, libri “Në krahët e shkrepave” i Din Mehmetit dhe libri “Balada e fshehur” (1970) i Rrahman Dedajt.
Në vitin 1982 në botim të “Zërit të rinisë” doli Antologjia e poezisë më të re të Kosovës e titulluar “Lulet në ballkon”. Zgjedhjen e poezive të poetëve shqiptarë e ka bërë Dr Ibrahim Rugova, i cili e ka shkruar edhe një parathënie. Në këtë libër të titulluar sipas një poezie të Sabri Hamitit janë prezantuar poezitë e 15 shkrimtarëve shqiptarë të renditur sipas moshës. Konkretisht janë prezantuar poezitë e: Eqrem Bashës, Nexhat Halimit, Flora Brovinës, Sabri Hamitit, Edi Shukriut, Agim Malës, Miradije Ramiqit, Shaip Beqirit, Ramadan Musliut, Fehime Selimit, Mustafë Xhemailit, Milazim Krasniqit, Ibrahim Berishës, Tahir Deskut dhe Abdullah Konushevcit. Janë prezantuar poetët më rinj të cilët deri atëherë kur është hartuar libri e kanë pasur të botuar ose të përgatitur për botim të paktën nga një libër. Hapësirën më të madhe në libër e kanë zënë poezitë e Sabri Hamitit 24 faqe, të Shaip Beqirit 22 faqe të Eqrem Bashës 20 faqe, të Abdullah Konushevcit 16 faqe, të Edi Shukriut 14 faqe, të Ramadan Musliut 12 faqe etj.
Në librin “Refuzimi estetik” të botuar në vitin 1987 Rugova e kompleton vlerësimin e poetëve shqiptarë që kanë jetuar në territoret e veta në ish Jugosllavi. Në at libër ai e bënë nga një studim të gjatë për poetët e tij të preferuar, për Sabri Hamitin dhe Beqir Musliun. Në një shkrim të gjatë të titulluar “Opusi poetik i Beqir Musliut”, punim ky i botuar në librin “Refuzimi estetik” Rugova veç tjerash shkruan: “Dhe duke pasur parasysh praninë më se njëzetvjeçare të B. Musliut, mund të themi se është njëri ndër poetët më të rëndësishëm të poezisë shqiptare në përgjithësi”. Edhe pse Rugova në librin “Strategjia e kuptimit” asnjë libër të Azem Shkrelit nuk e vlerëson me notën libër i mirë e me ndikim tre libra të këtij poeti i vlerëson me notën libër i mirë, ndërsa për librin “Nga bibla e heshtjes” shkruan: “Libri më kualitativ i poetit dhe një ndër librat më të mirë të poezisë shqipe”. Një vlerësim të lartë për krijimtarinë poetike të Shkrelit e gjejmë edhe në librin “Refuzimi estetik” në punimin e titulluar “Poezi e efektit estetik”, shkrim ky për veprën “Kënga e hutinit” (1986), në të cilin autori shkruan “Po do pranuar se ky libër është njëri ndër librat më të mirë të autorit dhe të poezisë shqipe në përgjithësi, libër i një individualiteti të fortë e të formuar poetik”. Këto vlerësime na japin ta kuptojmë se Rugova e çmon lartë veprën poetike të Shkrelit, gjegjësisht këtë poet e rendit në mesin e poetëve më të shquar bashkëkohor shqiptar. Në punimin “Sublimimi i thënies eugjenike”, që gjendet në librin “Refuzimi estetik” punim ky për librin “Eugjenika e tri deteve” (1986) të Musa Ramadanit, Rugova shkruan: “Mendojmë se ky libër është një formë e shkrimit të ri poetik në kuadër të veprës së autorit, që e pasuron poezinë tonë bashkëkohore, duke dalë si njëri ndër librat më të mirë të saj”.
Në bazë të librave që i shqyrtuam, pas studimit dhe përpunimit të tyre mund të themi se poetët më të mirë të vlerësuar nga Rugova janë poetët e viteve `70: Sabri Hamiti, Eqrem Basha, Beqir Musliu, Shaip Beqiri, Musa Ramadani, Teki Dervishi, Mirko Gashi, pastaj poetët e viteve `60: Ali Podrimja, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Rrahman Dedaj, dhe Adem Gajtani si dhe poetët e viteve `50: Enver Gjerqeku, Esad Mekuli dhe Martin Camaj. Kur jemi te Martin Camaj të themi se Rugova i ka analizuar dhe vlerësuar vetëm dy librat e tij të parë, që të dy të botur në Kosovë, pra librat “Nji fyell ndër male”, 1953 dhe “Kanga e vërrinit” 1954. Librin “Nji fyell ndër male” e vlerëson me notën “Libër interesant, i mirë për kohën e daljes”, ndërsa librin “Kanga e vërrinit” e vlerëson me notën “Libër i mirë e stabil dhe me ndikim të mëpastajmë”, që është vlerësimi më i lartë që ai i bënë ndonjë libri. Kjo të bën të kuptosh se Rugova me rastin e vlerësimit të librave poetik jo vetëm që ka qenë korrekt, objektiv dhe i shkathtë në aspektin profesional, por ka qenë shumë i guximshëm si njeri dhe si intelektual, sepse t`iu bësh vlerësime kaq të larta dy librave të një poeti të ndaluar si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, të një poeti të cilit ishte e ndaluar t`i përmendej edhe emri për të mirë nuk ka qenë lehtë.
Për t`i vlerësuar librat me poezi ashtu siç i ka vlerësuar Rugova në mënyrë të çartë dhe pa diplomaci, ashtu siç e kanë këshilluar dija dhe shija e tij estetike, përgatitja profesionale... është dashur përveç guximit intelektual edhe një integritet i lartë moral e besa edhe një gatishmëri për sakrificë në dobi të artit. Kjo për faktin se t`i vlerësosh me notën libër i dobët ose libër i zakonshëm sa e sa libra të krijuesve me të cilët je takuar dhe ke biseduar shpesh, me të cilët ke pas shoqëri, të cilët i ke pas kolegë nuk ka qenë punë e lehtë. Këtë e kemi provuar dhe e dimë ne që shkruajmë punime për libra të ndryshëm nga shkaku se shumë vështirë është t`i thuash libër i dobët një libri për të cilin ti mendon se njëmend është i dobët, sepse miqtë, kolegët krijuesit të hidhërohen, ta marrin inat dhe mund të sillen armiqësisht me ty. Edhe në kohën e Rugovës njerëzit, krijuesit poetët kanë qenë njësoj, shumë herë tepër subjektiv dhe të bindur se librat e tyre të dobët ose mesatar janë kryevepra. Përparësia e Rugovës ka qenë se ai i ka vlerësuar vlerat e njëmendta estetike të librit duke mos iu kushtuar rëndësi ndjenjave, iluzioneve dhe besimeve pa mbulesë të krijuesve, duke mos i kushtuar rëndësi faktit se a po hidhërohet apo jo ky apo ai krijues, se a po flet dhe shkruan keq apo jo për të, se a po hakmerret ... Dhe kjo ishte një sakrificë të cilën e bëjnë njerëzit e rrallë të cilët e duan artin, që e duan poezinë dhe kështu japin kontribut në ndarjen e vlerave nga jovlerat dhe antivlerat. Në kohën tonë një kritik të tillë nuk e kemi, ndërsa edhe në at kohë të rrallë kanë qenë ata që i janë ofruar deri diku. Fjalën e kam për etikën profesionale dhe njerëzore dhe për guximin intelektual. Sot kritika letrare lë shumë për të dëshiruar edhe në aspektin profesional, gjersa në aspektin moral qëndron keq, tepër keq. Të mos flasim për kritikët e tjerë, por edhe kritikët më në zë sot i ngrehin në qiell edhe librat e dobët, ndërsa i anashkalojnë librat e mirë sa herë që nuk kanë ndonjë përfitim material ose ndonjë përfitim tjetër të drejtpërdrejtë apo të tërthortë.
Derisa Dr Agim Vinca poetët më të mirë i gjenë te brezi i viteve gjashtëdhjetë (Din Mehmeti, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Ali Podrimja), Ibrahim Rugova të tillët, pra poetët më të mirë i gjenë te brezi i viteve shtatëdhjetë (Sabri Hamiti, Eqrem Basha, Beqir Musliu, Shaip Beqiri, Musa Ramadani) një studiues tjetër më pak i njohur Ismail Syla shprehet se poetët më të mirë bashkëkohorë shqiptar të Kosovës i përkasin brezit të viteve tetëdhjetë ( Adem Gashi, Abdullah Konushevci, Basri Çapriqi, Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi).
Po t`i shikojmë vlerësimet e Rugovës të shprehura në librat “Strategjia e kuptimit”, “Refuzimi estetik” dhe “Lulet në ballkon” mund të konstatojmë se ai si poetë më të mirë bashkëkohor shqiptarë i vlerëson: Sabri Hamitin, Eqrem Bashën, Beqir Musliun, Azem Shkrelin, Ali Podrimjen dhe Shaip Beqirin (poezive të të cilit në antologjinë “Lulet në ballkon” pas atyre të S.Hamitit iu jep më së shumti hapësirë, madje më shumë edhe se poezive të Eqrem Bashës.). Megjithatë pa mëdyshje poetin më të mirë bashkëkohor shqiptar Rugova e çmon Sabri Hamitin i cili realisht është njëri ndër poetët më të mirë, e a është më i miri nuk di ç`të them? Në shkrimet kritike vlerësuese të studiuesve të ndryshëm, të kritikëve letrarë, të historianëve të letërsisë, të hartuesve të antologjive e të tjera edhe pse konsiderohet njëri ndër poetët më të mirë, Hamiti nuk çmohet më mi miri. Në shumicën e rasteve ai vjen pas Ali Podrimjes dhe Azem Shkrelit e disa herë edhe pas Rrahman Dedajt, Eqrem Bashës, etj. Kuptohet Rugova ka pasur shumë të drejtë për t`i shprehur dhe argumentuar bindjet, shijet, dhe vlerësimet personale të cilat në ndonjë rast mund të kenë qenë nga pak subjektive të ndikuara nga afërsia dhe miqësia me Hamitin me të cilin duket se e kanë pasur një shije dhe një vizion më të përafërt estetik dhe një formim të ngjashëm teorik. Në fund të fundit midis disa veprave kulmore artistike është e arsyeshme që edhe profesionistët ta bëjnë përzgjedhjen e tyre, është e arsyeshme të mos i kenë shijet e njëjta. Po t`i kishin të gjithë njerëzit shijet e njëjta, po të mos kishte llojllojshmëri bota dhe jeta do të ishin të varfra, monotone.
Në një anketë të “Zërit” të titulluar “Zgjedhim librat e shekullit” të botuar në gazetën në fjalë më 12 shkurt 2001, Agim Vinca në mesin e dhjetë librave më të mirë të shekullit njëzet, i zgjedh dy libra me poezi bashkëkohore, edhe atë librat “Nga bibla e heshtjes” (1975) të Azem Shkrelit dhe “Pelegrini i vonuar” (1993) të Dritëro Agollit.
Sabri Hamiti në librin “Tematologjia” (2005) në mesin e njëzet veprave më të mira letrare të shekullit njëzet të shkruara në gjuhën shqipe i rendit edhe librat me poezi “Lum Lumi” (1982) të Ali Podrimjes dhe “Nga bibla e heshtjes” të Azem Shkrelit.
Studiuesi dhe poeti Ismail Syla në një shkrim të botuar në “Koha për kulturë” më 15 qershor 2002 të titulluar “ Mbi poezinë e viteve tetëdhjetë në Kosovë” e shpreh mendimin se poetët më të mirë shqiptarë të Kosovës janë Adem Gashi dhe Abdullah Konushevci.
Një studiues tjetër i letërsisë shqipe Xhemal Ahmeti në një shkrim për poezinë e Shaip Beqirit të titulluar “Majave të lirikës posmoderne” të shkruar në vitin 1996, të publikuar në internet në vitin 2009 e shpreh bindjen, gjegjësisht vlerësimin se poeti më i mirë i Kosovës është Shaip Beqiri.
Në “Antologjinë e poezisë bashkëkohore shqipe” të botuar në vitin 2000, hartuar nga Ali Aliu prej poetëve të Kosovës më së shumti hapësirë zënë poezitë e Ali Podrimjes dhe të Azem Shkrelit. Poezitë e këtyre dy poetëve po ashtu zënë vend më së shumti prej poetëve të Kosovës edhe në “Antologjinë e poezisë shqipe bashkëkohore” të hartuar nga Bashkim Kuçuku, të botuar në vitin 2008.
Sipas këtyre studiuesve pra në konkurrencë për poetin më të mirë të Kosovës janë: Ali Podrimja, Azem Shkreli, Sabri Hamiti, Shaip Beqiri, Adem Gashi dhe Abdullah Konushevci. Këta tre të fundit gjegjësisht poezitë e tyre nuk gjenden fare në mesin e poezive të 29 poetëve poezitë e të cilëve i gjejmë në antologjinë e shënuar më lartë të Ali Aliut e as në mesin e 42 poetëve , poezitë e të cilëve kanë zënë vend në antologjinë e Bashkim Kuçukut.
Kanë kaluar shumë vite nga viti 1980, gjegjësisht 1987 kur Rugova i ka botuar librat në fjalë. Janë botuar shumë libra me poezi. Nga disa libra i kanë botuar edhe autorët e studiuar dhe ata të preferuar nga ai dhe nuk mund ta dimë me saktësi se a do ta ndryshonte këtë rend të vlerave Rugova po të merrej me studimin e poezisë.