| E hene, 18.07.2011, 08:03 PM |
Letër të hapur të përditshmes “Kosova Sot” dhe Portalit “Zemra shqiptare”
NË EMËR TË SHPREHJES SË LIRË
E nderuara Redaksi e të përditshmes “Kosova Sot” si dhe Redaksi e Portalit “Zemra Shqiptare”
Meqenëse në të përditshmen tuaj “Kosova Sot” përkatësisht tek rubrika “opinione”, po dhe në Portalin e “Zemra Shqiptare”, nga një “opinionist “ me banim në Gjilan, kanë kulmuar shpifjet, përgojimet, etiketimet dhe gjithfarë të palarash nga mendja e sëmurë alla shefik shkodra, të cilave Ju, ju keni dhënë hapësirë të dukshme pa i verifikuar gjithë këto të dyrësira që dalin nga mendja provinciale, inatçore dhe shpifarake e tij, detyrohem që, në emrin tim dhe të Ars Clubit “Beqir Musliu” që e udhëheq nga themelimi, të sqaroj opinionin publik dhe Juve :
- Ars Clubi “Beqir Musliu” si mision primar ka zhvillimin e artit e të kulturës, me theks të veçantë, afirmimin e vlerës artistike, përfshirë këtu krijimtarisë letrare të shkrimtarit Beqir Musliu, qoftë ajo e botuar, që u përgatit dhe botua në ndërkohë dhe, ajo që, fatmirësisht do fillojë së shpejti të sistemohet dhe përgatitet për shtyp.. Natyrisht, pa i përjashtuar këtu edhe shumë emra tjerë të letërsisë .
- Në këtë vazhdë të angazhimeve, më 2004 janë botuar shtatë libra të Beqir Musliut, të mbetura si dorëshkrime të gatshme, përmes komunës së Gjilanit dhe MKRS e, me inicimin tonë.
- Gjithashtu, po më 2004 , sipas nismës sonë, Komuna e Gjilanit, përkatëisht kryetari i komunës jep dhe Çmimin Letrar për vlera artistike me emrin e Beqir Musliut.
- Këtë vit, kur dhe u shënua 15 vjetori i shkuarjes në amshim të këtij emri të madh të letërsisë, Ars Clubi “Beqir Musliu, që nga fillimi i vitit pat paralajmëruar dhe më pas edhe konkretizoi angazhimet ku, në mbështetje dhe bashkëorganizim me institucionet përkatëse komunale, organizoi shënimin e këtij përvjetori përmes një Simpoziumi letrar, i pari në Gjilan (po e theksoj) dhe i pari për krijimtarinë letrare të Beqir Musliut, i cili mblodhi emra të shquar të studjuesve dhe krtitikëve eminentë shqiptar, jo vetëm nga Gjilani e Prishtina po, edhe Shqipëria dhe Maqedonia. Si dhe, vazhdoi me dhënien e Çmimit letrar “Beqir Musliu” ku kësaj radhe u nderua njëri nga romansierët më produktiv si dhe poet e dramaturg i shquar, Ibrahim Kadriu.
- Po, edhe një propozim I Ars Clubit “Beqir Musliu”, u aprovua nga Kuvendi I Komunës dhe ai, pas vdekjes, u shpall Qytetar Nderi I Gjilanit, në emër të një kontributi të madh dhënë letërsisë dhe kulturës shqiptare.
- Këto veprimtari, jo vetëm ishin mjaftë mirë të përgatitura , si në aspektin teknik ashtu dhe atë profesional për të cilat opinioni u njoftua me kohë, pati dhe pllakate paraprake e njoftime tjera përmes mediave po edhe formave tjera të internetit. Madje edhe drejtëpërsëdrejti me gjithë të interesuarit , pa e përjashtuar dhe artikullshpifësin tuaj – të cilin dhe unë personalisht e kam njoftuar (e, ka pasur dhe dëshmitar aty), madje edhe i kam shkruar përmes FB, po edhe dikush tjetër e ka ftuar ( e di ai) ama, nuk ka ardhur. Dhe, jo vetëm në këtë përvjetor të Beqir Musliut.
- Për mosardhjen e tij (dhe të ndonjë bashkëmendmtari të tij,) ne nuk mund të marrim përgjegjësi, sepse këto janë organizime të një vullneti të mire dhe jodetyrues. Kush do, vjen! Kush s’ do, s’ vjen! Dhe, kjo është shumë normale në kushtet e sotshme. Ka dhe alternative tjera, rrugët dhe mundësitë janë të hapura për të gjithë. Po, jo dhe rrenat, akuzat e çka jo..
- E them me plot bindje, para jush, para publikut dhe kudo se, askush, madje askush as që ishte i penguar për të marrë pjesë. Dhe jo vetëm në Simpozium po, edhe tek homazhet, edhe në seancën e Kuvendit të Komunës e, edhe në Akademinë Solemne me rastin e dhënies së Çmimit letrar “Beqir Musliu” Prandaj,një pengim i tillë që tash na atribuohet nga një shpifës i tillë as që ka mundur të imagjonohet. Lëre më të ndodhë. Përkundrazi ishin të mirëseardhur dhe në fund, gjithë ata që ishin (dhe nuk ishin të paktë) u ndanë të kënaqur dhe faleminderues.
- Ngjashëm ka qenë dhe në Manifestimin rajonal të poezisë, “Trekëndëshi poetic I paqes”, mbajtur gjatë qershorit ku morën pjesë krijues të katër shteteve ( kuptohet me dominim të krijuesve nga Gjilani) e, ku poashtu, këta hileçarë të jetës kulturore gjilanase , ishin gjithashtu të ftuar dhe, nuk morën pjesë.
- Madje, për vëmendjen tuaj, edhe kur ndonjëherë kanë ardhur, ma tepër janë zgërdhirë dhe kanë bërë zhurmë se sa që kanë kontribuar në mbarëvajtjen e akëcilës veprimtari, Nganjëherë, madje kanë qenë dhe sabotues të vepprimtarive tona, meqë kanë marrë angazhime dhe, në momentin e fundit janë tërhequr, atëherë kur vështirë ke mund të gjeshë ndonjë alternativë tjetër.
- Po t’I kishim pritur a pyetur këta përgojues çarshie, shumica nga veprimtaritë kulturore në GJilan, tashmë dhe si manifestime tradicionale,as që do kishin filluar e, le më ta krijojnë dhe një traditë dhjetë apo njëzet e sa vjeçare.
- A, sërish e them me përgjegjësi (dhe për këtë kam plot fakte), ne prapë kemi shprehur konsiderata ndaj tyre, I kemi ftuar, ju kemi bërë vend kur kanë ardhur, qoftë si public apo si pjesë e programit ( krejt është varë nga vullneti I tyre), anise, asnjëherë, madje asnjëherë, sëpaku në këto njëzet vite, nuk kanë ofruar ndonjë alternativë tjetër, edhe pse nuk kanë qenë të penguar, po e theksoj, nuk kanë qenë të penguar as prej askujt e, aq më pak prej meje. Pos, prej vetëvetes .
- Vetëm pyetni, kur së fundmi kaë bërë diçka për Rexhep Elmazin ( a kanë fytyrë të t’i akuzojnë tjerët që megjithatë bënë diçka dhe për të). Apo dhe për Beqir Musliun a ndonjë tjetër. Unë nuk e mbaj mend, as e kam lexuar kund.
- Njerëz me alamet titujsh që përmend shpifësi i juaj, ( me përjashtim të Nuhi Ismajlit që ishte njëri ndër referuesit po për iks arsye nuk erdhi si dhe Mehmetali Rexhepit që ishte paraparë por, nuk u njoftua me kohë) sëpaku në këto 15 vite, nuk e shkruan as edhe një rresht për Beqir Musliun a Rexhep Elmazin. E, le më të organizojnë diçka për ta Po, le të mbes kjo në ndërgjejjen e tyre, nëse sadopak ju ka ngelur diku.
- Në Simpoziumin letrar për Beqir Musliun, secili referues ka ardhur me trajtesë të re letrare , të pa publikuar deri më tash dhe që e ka shkruar enkas për këtë simpozium. Dhe, të gjitha këto vështrime, trajtesa a kumtesa (sido që t’ ju themi) së shpejti opinioni lexues do t’i ketë në duar.
Githashtu, theksoj dhe ate me përgjegjësi të plotë, se Ars Clubi “Beqir Musliu” i cili veprimtarinë e tij e zhvillon në pajtueshmëri me normat ligjore dhe ato programore që i a ka vu vetes për obligim, ka përfillur në plotëni procedurat paraprake, qoftë në përpilimin, aprovimin dhe kërkimin e fondeve për zbatimin e projekteve, qoftë në gjetjen e partnerëve, të cilët gjithëherë janë të mirëseardhur. E, sidomos procedurat financiare, anise mjetet e dhëna gjithëherë ishin dhe embetën shumë , shumë modeste.
Për të gjitha këto veprimtari që janë zhvilluar gjatë këtij viti, angazhimet e anëtarëve të Ars Clubit “Beqir Musliu” kanë qenë vullnetare . Komunës asnëherë nuk i kemi kërkuar kompenzim a mëditje. Dhe, kjo mund të shihet dhe dëshmohet përmes projekteve tona, vetë, të cilat janë përcjellur përmes arkivit të komunës, bashkë edhe me kalkulimet financiare. Por, nga komuna, zotimet e marra, si përherë, vonohen. As për këto projekte ende nuk janë përmbushur.
Ne i kuptojmë qëllimet e këtij shpifësi dhe të ndonjë bashkëargati të tij por, s’ do humbim kohë me ta. Vetëm juve si redaksi ju njoftojmë se, çasja jonë në fondet publike komunale, është tejet modeste. Por, edhe për aq sa është, ne jemi mirënjohës! Dhe, kjo mirënjohje nuk nënkupton instrumentalizim tonë nga komuna, as servilizim e, as etiketa tjera që janë lansuar në faqen tuaj. Fundja, ato lehtë edhe mund të verifikohen.
Por, ajo që dua të theksoj këtu, është kjo; qe 12 vite, këtyre fondeve komunale, asnëherë nuk iu kam kërkuar mjete për vete, për ndonjë botim libri, (anise më presin për botim katër dorëshkrime). As edhe kur e ka pasur pushtetin partia së cilës i takoj. As edhe kur janë ndërruar pushtetet. A, të tjerët këtë e kanë bërë. Kanë përfituar dhe sot dëshmohen po ata që ishin, jomirënjohës deri në pikën e fundit.
Por, nuk kam përtuar që, në interes të përgjithshëm, në këtë rast të Ars Clubit “Beqir Musliu”, të trokas edhe tek rivalët e mi politikë. Dhe do të trokas edhe mëtutje. Qofshin ata në Gjilan apo në Prishtinë, pa pasur nevojë për të marrë leje nga kjo kastë injoruesish , sepse Ars Clubi “Beqir Musliu”, pos anëtarëve , ka dhe Këshillin Drejtues, të cilit i raporton dhe perms të cilit aprovohen nismat si dhe mënyra e zbatimit të projekteve.
Njësoj kam trokitur, kam vepruar e, nuk jam ndalur as para lufte, qoftë perms Shoqatës së Pavarur Kulturore apo dhe Këshillit të atëhershëm komunal për Kulturë. Ky angazhim, atë kohë pat sjellur para lexuesve librin FRYMA të Rexhep Elmazit në vitin 1994(botuar nga SHB PLEJADA e, financuar nga Këshilli Komunal për Financim I Gjilanit).
Pastaj dhe një serë manifestimesh, FLAKA E JANARIT ( nga viti 1992 e këndej).PRANVERA E LIBRIT 1993 – 1998), një manifestim përkushtues po për Rexhep Elmazin Organizimin e Muajit të librit, për çdo vit (deri më 1999-të. Pastaj, nga viti 1997-të përkujtimet e vazhdueshme për beqir Musliun, derisa morën formën që tashmë e kanë . U mbajt në publik, përkundër sfidave të përhershme edhe revista – letrare AGMIA. E, s’ do mend, arritëm t’I publikojmë edhe shtatë veprat e Beqir Musliut që u përmendën më lartë. Dhe, krejt këto janë përfitimet që na mbetën dhe, që nuk I shlyen koha, përkundër shpifjeve, sepse ka gjurmë. Dhe ato gjurmë kanë emër. Po, jo të atyre që rrijnë anash, përgojojnë, hilojnë dhe tash…madje edhe njollosin.
Vetëm pyetni ku kanë qenë këta sehirxhinj, këta hileçarë e inatçorë, çfanë bërë për të gjallë të këtyre dy emrave të ndritur të Gjilanit (që ishin dhe miq të ngushtë) po, edhe pas vdekjes së tyre. Unë e di po, më e ndershme është të tregojnë, ata vetë, sepse kanë kohë. Vetëm guximi qytetar, ai guximi pozitiv, ju mungon. Po jo dhe zanati i tyre i përhershëm, shpifja, përgojimi, etiketa.sa në mënyrë tinëzare, sa edhe publike ( publike, sa për t’u shtirë i viktimizuar).
Po, le të vazhdojnë ashtu siç kanë vepruar tërë jetën e s’ kanë ditur të skuqen për marritë e veta, sëpaku njëherë.
Ars Clubi “Beqir Musliu” dhe unë si drejtues i tij, s’kemi kohë për të humbur me këso nivelesh të ulëta të cilat janë për t’u pështyrë.
Tash jemi duke finalizuar për botim edicionin e parë të “Trekëndëshit Poetik” si dhe kumtesat e Simpoziumit letrar për Beqir Msliun, poashtu në një botim tjetër ekskluziv. Dhe, më pas, përgatitjet për edicionin e dytë “Vjeshta letrare e Gjilanit 2011”.
Ata, le të merren me ne por, mos të shpifin më kështu. Jo që do na pengojnë por, do na detyrojmë të trokasim dhe tek organi kometent që ndëshkon rrenën publike, etiketën, shpifjen.
E nderuara redaksi,
Në emër të shprehjes së lirë, mos i krijoni hapësirë shpifjes së lirë. Ruane sëpaku faqen e të përditshmes suaj se nisë me emrin Kosovë.
...
Dhe, një gjë,
E di çka shkruan në fund të faqes suaj “opinione” tek “Kosova Sot”. Siç e di që dhe Portali “Zemra Shqiptare” nuk ndan të njejtin mendim me këtë shpifës të sëmurë, madje me 60 e kurur vjç. Por , nëse shpifës të tillë, prej të cilëve jam goditur dhe në të kaluarën ( dhe janë po këta që nuk e kanë harruar zanatin), ju “marrin” hapësira aty ku ju administroni, në emër të shprehjes së lirë, ju them me bindje të plotë se, pikërisht në emër të kësaj shprehjeje të lirë, tek ju po shpifet me bollëk. Dhe, ju po i krijoni hapësirë. Me keqardhje por, po i krijoni dhe po bëheni hisedarë.
Mos harroni se në veprimtaritë tona, e, sidomos në këto të fundit, ka pasur dhe plot emra tjerë kredibilë, të cilët do ndihen të irituar dhe me juve.
Po, këto do ta marrin dhe një epilog tjetër. Tek organi competent që ndëshkon për gjëra të tilla.
Ars Clubi “Beqir Musliu” dhe Sabit Rrustemi do të ecin tutje,
Sabit Rrustemi
Ars Clubi “Beqir Musliu”