| E shtune, 16.07.2011, 08:05 PM |
Një kujtim takimi, mbetur i vagulluar në mbamëndje që prej mbi 50 vitesh dhe i ardhur “shquar në sipërfaqe” tek lexova shkrimin me titull :
RRUGA E SARAÇVE (Autor i shkrimit Edison Ypi)
Nga Mërgim Korça
Kurrsesi nuk do t’a kisha përfytyruar se si një shkrim të cilin ma dërgoi një shok i imi i rinisë së herëshme, Ing.Robert Haritua, do të më ngjallte një morí ndjenjash të gërshetuara me një ngjarje e cila tashmë ishte arkivuar në një qoshkë ... thuajse të harruar të kujtesës sime.
E mbaj mënd mirë se ishte një buzëmbrëmje vjeshte,mes ose fund Nëntori i vitit tashmë aq të largët 1954. Kreshtat e malit të Dajtit qenë mbuluar nga ré të murrme, shumë të murrme, thuajse në të zezë. Vetëtimat kishin filluar t’a çanin gjysm’errësirën e mbrëmjes parakohëshme. Filloi një shi i rrall’e me pika të mëdhá. Befas një e trokitur në derë. Nën’e ndjerë e hapi derën dhe rrëmbyeshëm u fut në dhomën përdhése, të vetmen që kishim, (shtruar me baltë dhe me tavan letrash), djali i mikut të ngushtë të t’im eti, Qazim Koculit, i mbledhur kruspull nga shiu i rrëmbyer q’e kishte qullur ! Ndërsa ne me nënën donim ai të zinte vënd në njerin prej dy minderëve mbi të cilët natën flinim, Kujtimi u shpreh me nxitim të shoqëruar edhe me emocion ... jo, jo, nuk do të ulem ... erdha t’a marr Mërgimin të shkojm’e t’a takojmë Zef Malën, me të cilin u takova rastësisht rrugës tek Pazari i Ri. E ndërsa nëna këmbëngulte që Kujtimi të ulej e të qetësohej, ai nuk donte t’ia dinte e më nxiste t’i mbathja këpucët, të merrja një çadër e ... të niseshim për tek Zef Mala, i cili kishte disa ditë që ishte liruar nga burgu i Burrelit. Qëllimi i mir’ i Kujtimit ishte të shkonim sa më par’e të mësonim të reja lidhur me babanë tim, (aso kohe i burgosur në burgun e Burrelit). Ecëm krah për krah nën çadër jo më shumë se 80 metra drejtë Jugut përgjatë rrugës Bardhyl e pastaj u kthyem drejtë perëndimit, përgjatë rrugës Qemal Stafa, deri tek shtëpit’e Mulletve tek Pazari i Ri. Atje Kujtim Koculi mori drejtimin nga Veriu duke u futur në atë rrugë që u bë shkas t’i hidhja në letër këto kujtime, rruga e Saraçve. Në mesin e kësj rruge u futëm djathtas e Kujtimi trokiti tek një derë relativisht e vogël para një shtëpije ndërtuar me qerpiçë. (Të dy me Kujtimin ishim bërë ... sikur na kishin nxjerrë nga njëra prej “dhomave” q’e formonin shtegun ujor të notimit tek Ura e Brrarit !) Këtu tashti i kërkoj leje lexuesit dhe bëj një sqarim për të. Besomani sinqerisht se hyrja lidhur me motin nuk është aspak gjetje artistike e gërshetuar me ngjarjen që në vazhdim do të përshkruaj. Është fakt i vërtetë dhe i përjetuar. Por e përshkrova ashtu me pak kalime, sepse bashkëbisedimi me Zef Malën, gjërat që mësuam prej tij dhe si e priti ai një kujtim timin që krejtë rastësisht vetë biseda e solli që t’ia tregoja, përbënin një plan të dytë (sfond - background), që me të parin, tufanin, dukej si vazhdim i tij !
Na e hapi derën një burrë me syze, lentet e të cilave ishin pa egzagjerim tetë milimetra të trasha i cili miqësisht, duke picërruar sytë dhe ndonëse m’u duk disi i ndrojtur, na ftoi të hynim brënda. Ky ishte Zef Mala. Ç’dija unë për të ? Asgjë më shumë se sa që ... ai ishte pak a shumë ideollogu i parë që kishte futur në Shqipëri idetë komuniste. E pikërisht të diturit e këtij fakti ma zbehte dukshëm kureshtínë që kisha të mësoja të dhëna të freskëta lidhur me t’im Atë, pikërisht prej tij! Mirëpo “zaret qenë hedhur”. Përzgjedhja, i shtyrë nga Kujtimi, qe bërë dhe ... e ndoqa Zef Malën tek na priu në dhomën në të djathtë. Mbas shkëmbimit të ndërsjellë të përshëndetjeve ku doemos Kujtim Koculi shërbente si “katalizator i mirëfilltë”, ashtu dalngadale si pakuptuar, tema e bisedës i u drejtua burgut të Burrelit, (prej të cilit Zef Mala kishte pak ditë që kishte dalë), dhe erdhi e u përqëndrua tek im Atë, i ndjeri Xhevat Korça. N’atë çast filloi edhe befasía e madhe e ime e cila e zhduku pa një e pa dy atë “mur akulli” që, së paku mua personalisht, më ndante nga bashkëbiseduesi. E mbaj mënd si t’ishte dje si e filloi (pak a shumë) bisedën Zef Mala “. . . Ju keni ardhë me ndigjue të reja rreth personit qi ju e keni babë kurse Kujtimi e ka mik shpijet, apo jo? Por un nuk kam se si e filloj bisedën për pa bâmun dy pohime themelore. S’parit, se si mue m’u desht pikërisht ndrymja n’at burg famëkeq të Burrelit qi t’kuptojshem se sa i gabuem paskam pas’kênë n’gjykim të Xhevat Korçës, Qazim Koculit si edhe të gjith’asaj plejade atdhetarësh t’përkushtuem qi asgjâ nuk vêjshin n’krye si mâ të shtrêjtë veç interesave komtare. M’ânë tjetër, qindrimi i Xhevat Korçës karshi meje, nji qindrim i mirsjellun por i ftoftë, qi kurr nuk m’a përplasi në ftyrë faktin se sa i kënaqun ndihej qi un, hymnizuesi i sistemit komunist të organizimit shoqnisë njerzore, kishjem përfundue s’bashkut me tê, anmikun e betuem të sistemit kuq, në të njajtin burg komunist, ma ka shtue shum respektin për at atdhetar intelektual si edhe fisnik ! Atbot’e pata kuptue edhe se si kur i thojshin Kryetarit të Ballit Kombëtar, Mit-hat Frashërit, se komunistat po i vritshin mrênda shpijave të tyne nacionalistët e kta duhej të reagojshin, Aj gjegjej . . . “Le të na vrasin, fundja djemtë t’anë po na vrasin . . . Aksjonet e tyre kurrsesi nuk duhet të na bëjnë t’a humbasim drejtëpeshimin e të na çojnë drejtë një luftë civile !”
Këta pohime të Zef Malës më bënë t’a kuptoja shquar se tashti e tutje duhej të isha unë, djaloshi 22-vjeçar që duhej të rrinte urt’edhe të mos pipëtinte duke dëgjuar me vëmëndje të trefishuar çdo të na thosh ai burr’i tejngarkuar me përvojë jete ku, ngarkesën kryesore e përbënte ajo më interesantja e jetës tij, përvoja në fushën e botkuptimeve ideologjike si edhe politikës.
Në vazhdim, duke na folur lidhur me t’im Atë, Zefi na tregoi duke e ndërthurur fjalën e tij me një respekt dhe mund të them pa ndrojtje edhe konsideratë të lartë, si e shikonte ai me dashuri të posaçme se si të rinj të burgosur dhe të etur kryesisht për dije e pastaj për ndriçime politike, e rrethonin Xhevat Korçën dhe mundoheshin t’i bënin të tyret përvojat e profesorit që nga motivet q’e patën shtyrë atë t’u bashkohej çetave nacionaliste të Spiro Bellkamenit dhe Themistokli Gërmenjit në luftën e vendosur kundra armiqve të kombit si edhe të vëndit tonë, e doemos pastaj edhe ndriçimi i madh i tyre se si kategoria e atyre nacionalistëve të skajshëm i kishin drejtpeshuar rrethanat si edhe situatat e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste në kushtet e Luftës së II-të Botërore dhe kishin zgjedhur, duke e vënë në lojë emrin e tyre të mirë dhe respektin e fituar si nacionalistë të përkushtuar, për hir të interesave madhore të kombit si dhe të shtetit tonë ! Përgjatë kësaj hullíje e mbaj mënd mirë dhe thuajse tekstualisht, se si u shpreh Zef Mala edhe lidhur me qëndrimin e Qazim Koculit i cili pranoi postin e ministrit pa portofol në qeverin’e kryesuar nga Mustafa Kruja : “ M’e pas pasë edhe un para luftet nji profesor si Xhevat Korça t’përkushtuem ndaj vêndit deri n’flijim, (si e kanë fatin t’a kenë kta të rij), i cilli t’më kishte spjegue ksisoji fill’e për pê pikpamjet si edhe motivet q’i shtyne me bashkpunue me pushtuesin fashist kta burra veç për t’mir’e për hir të vêndit, a kishjem muejtë un me dyshue se pikërisht prîjsi i forcave vullnetare të 1920-ës Qazim Koculi, nên komandën e t’cillit u hodhne në det forcat pushtuese të gjeneral Piacentini-t, mbas disa vjetesh kishte me bashkpunue e me i u nenshtrue po të njajtit okupator e në dam të interesave kombëtare ?! Lêne m’njên’anë faktin qi Benito Mussolini nuk i a harrote poshtnimin q’u bâni forcave italiane Qazim Koculi me forcat e tija edhe e gjeti “ veglën “ q’i a bâni atentatin n’Ullishten e Vlonës edhe e vrau heroin Qazim Koculi. !”
Shumë u bisedua atë prag mbrëmje me Zef Malën, ose më saktë ... gjatë na foli Zef Mala lidhur me pikëpamjet e tija të ndryshuara e doemos të reja sa u takon bindjeve të tija të mëparëshme, ndonëse edhe ne me Kujtimin, me të madh interes edhe kureshtje e dëgjonim.
Pa vazhduar me renditje si edhe hollësira pohimesh që Zef Mala dora-dorës na bënte, (doemos edhe me sa arrij të mbaj mënd unë nga ai takim shumë dhjetvjeçarësh të shkuar), do të mundohem që lexuesit t’ia sjell sa më të saktë thelbin (kuintesencën) e pohimeve të tija.
Lidhur me komunizmin si teori e pastaj si zbatim praktik : “Sa i tokon Manifestit Komunist të Karl Marx-it, tash jam në gjêndje m’e pohue me plot gojën se thirrja lidhun me nji të ardhëshme të bukur, të ndritun si edhe për barazí shoqnore, âsht veç nji dishirë njerzore, shum njerzore por ... e pazbatueshme ! Sado m’e dashtë un Zefin, (veten time-M.K.), nuk mundem me pretendue qi të konsiderohem njisoj si nji KEPLER ! Pa hye e diskutue sa e shka i napim gjithsecilli botës, por mjaft me mêndue se un as me fantazinë mâ të shfrenueme nuk mundem me mbërrijtë e m’i përfytyrue ato qi ky gjeni i fizikës ndërplanetare mundohej me i saktësue me ligje rigoroze fizike ! E pikërisht te pabarazija njerzore qysh n’lindje të tyne e gjêj un tash të metën fillestare t’êmen qi kjeshë entuziazmue e rrëmbye prej atij manifesti !” Me gjykimin e sotëm, do të kisha dashur t’a dija që aso kohe e t’i a kisha thënë zotit Zef Mala pohimin madhor, (që dikush thotë se i takon Winston Churchill-it e dikush Clemanceau-it), lidhur me Manifestin Komunist të Karl Marx-it : “ Në qoftë se im bir 18-vjeçar e lexon manifestin dhe nuk bëhet komunist, im bir nuk ka zemër. Por, në qoftë se im bir 25-vjeçar vazhdon të jetë komunist, im bir nuk ka tru !” Kaq lidhur me manifestin komunist, me anën më miklonjëse të ideologjisë komuniste.
Kurse sa i takon vazhdimit lidhur me realizimin në praktikë të thirrjes Marx-it, ku shëmbull praktik ishte Revolucioni i Tetorit q’e transformoi Rusinë në t’ashtuquajturin Bashkim Republikash Socialiste Sovjetike, pohimet e zotit Zef Mala ishin padyshim tronditëse. Pa u zgjatur aspak me komente pa le me interpretime të thënjeve të tija, e mbaj mënd si t’ishte dje se si përgjatë bisedës e pyeti Kujtim Koculi zotin Zef Mala si ishte zbatuar në Shqipëri revolucioni ynë komunist, pyetje së cilës ai i u përgjigj gjatë, me shëmbuj konkretë si edhe me krahasime shumë mbresëlënëse dhe duke përfunduar tha : “Zbatimi në praktikë i ândrrës iluzore të Karl Marx-it, përfundoi në praktikë në nji kasaphane madhore me të cilën u kunorzue nji MAKTH MARRAMÊNDËS I KUQ !” Përgjatë asaj brazde e cila e solli zotin Zef Mala në përfundimin e mësipërm, ai përmëndi një varg militantësh komunistë jo vetëm të grupit komunist të Shkodrës, një pjes’e të cilëve të gjykuar dhe të dënuar nga gjykata mbretërore e në vazhdim pastaj jo vetëm të çpërfillur nga mbledhja e cila themeloi Partinë Komuniste Shqiptare por, pikërisht tek shquheshin si udhëheqës të Luftës Antifashiste, u vranë ose drejt për drejt me urdhërin e Enver Hoxhës ose po nga ai por në mënyrë të tërthortë ! Ja pra nga Zef Mala pata dëgjuar, veç Qemal Stafës, emrat që i mbaj mirë mënd si të Vasil Shantos, Vojo Kushit, Sadik Stavalecit, Jordan Misjes, Mustafa Gjinishit, (dhe sa e sa emra të tjerë që nga që vargun e tyre nuk e kam mirë parasysh, nuk kam si t’i ze në gojë), vrasjen e të cilëve ai i lidhte me urdhëra dhënë nga Enver Hoxha ! Me atë rast unë e mora guximin e ndërhyra, i nxitur nga Kujtim Koculi, t’i a tregoja ç’dija unë lidhur me vrasjen e Qemal Stafës. I tregova se si një ditë, (e cila duhej t’ishte doemosdo dita e 5 Majit të vitit 1942), vjen tek ne në shtëpi Mustafa Kruja, aso kohe Kryeministër i Shqipërisë. Akoma pa e hequr pardesynë nga trupi i thotë t’im eti “... sot âsht vrá nji prej drejtuesve kryesorë komunistë”. Kur babai e pyeti se cili ishte ai, Mustafa i tha se ishte Qemal Stafa. Pyetja e t’im eti në vazhdim ishte ... si e diktuan ? Mustafa i u përgjigj italisht tekstualisht “Da una soffiata
Në vazhdim, me një shprehje dukshëm mërzitjeje shpirtërore të fytyrës tij, ai vazhdoi e na foli se si në burgun e Burrelit ai e kishte patur rastin të njihej personalisht edhe kishte mësuar t’i shquante ata që kishin qenë atdhetarët si edhe intelektualët e mirëfilltë që së bashku me ish mësuesit të tij të gjimnazit, (ata që nuk ishin pushkatuar nga diktatura), u futën nëpër burgje e po kalbeshin të poshtëruar me cilësorin tradhëtar’edhe armiq ! “Nuk mundeni m’e përfytyrue se sa i vramë ndërgjegjet ndjehem”, vazhdoi ai, ”kah rri e kujtoj se si në gjygjin e zhvilluem n’at prag pushtimi prej Italisë, veç un edhe Niko Xoxi edhe n’fjalë t’fûndit t’onën nuk pranuem me i u shmangë idéve tona marksiste komuniste e dënimi qi morrme kje veç shtatë vjete burg ! Kurse Qemal Stafa e varg’e vistër shtatëdhetë tjerët qi u dënuene, me gjith’ distancimin e tyne, u dënuene me ka gjashtë vjet burg e poshtë ! Nuk e kam hiç te shkalla e dënimit por e kam te fakti qi na dy “fajtorët shêmbullorë”, qi jo qi vetëm nji vjetë mâ rândë u dënuem por ... as andej pari na shkote ndërmênd se mund t’u dënojshim mâ rândë ! Kjo arsyeja qi kah bashkjetojshem në Burrel me të dënuemt prej atij qi kishte me kênë kulmi i drejtsis’edhe i demokracisë n’vênd t’onin, më ka vrae edhe vazhdon edhe sa vjen e shtohet vrasja e ndërgjegjes s’ême se për ç’sistem kena pasë luftue e flîjue na, t’egzaltuemt’e Manifestit Komunist “!
Kur morëm të ngriheshim na ndaloi e na tha ... “Ju të dyve due me u a lânë nji porosí e mos t’a harroni kurrsesi : Sido qi të shtjellohet jeta e juej, jo vetëm qi mos t’a vêni n’dyshim për asnji çast atdhedashtunín’edhe ndershmënín’ e guximin e baballarve t’uej, por po muejtët m’i përballue me ndér e si ju ka hije dallgët e vështirësive të jetës s’uej nen diktaturë, të jeni krenarë deri n’ditët e fundit të jetëve t’ueja se pinjoj të çfar baballarësh jeni ju të dy” ! Kaq na tha,u përshëndoshëm dhe na përcolli deri tek dera e shtëpisë me qerpiçë.
Ky qe takimi im i par’edhe i fundit me zotin Zef Mala.
Prandaj nuk ndejta dot pa e vënë në dukje se biseda me zotin Zef Mala si edhe pohimet e dëgjuara prej tij ishin tamam një tufán, një tufán psikologjik pa as më të voglën mëdyshje shumë m’i furíshëm se sa ai natyrori që na shoqëroi me Kujtimin tek i drejtoheshim rrugës Saraçve !
E tek sa ne me Kujtimin u futëm në rrugën e Saraçve dhe i kthyem edhe një herë kokat t’ona, pamja e fundit n’errësirën e asaj nate të zymtë qé silueta e Zef Malës q’e valviste dorën drejtë nesh !