| E enjte, 14.07.2011, 07:39 PM |
Janaq Pani
KA NDODHUR DIKUR...
Rrëfenjë në vargje
NË VEND TË HYRJES
Kapelën e zbardhur nga vitet që vanë
çapkënçe mbi ballë e vuri mënjanë
dhe nisi rrëfimin me nge xhaxha Gori,
nga hundët vjell tymin si oxhak vapori:
"E kam ca vështirë, o bir të gënjej,
por është e vërtetë tani çdo rrëfej.
Mbamë vesh, o trim, ky rast s'të vjen më,
në s'e shtin në xhep dhe andej s'nxjerr gjë.
Ma treguan mua kur isha sa ti
hem si të vërtetë, hem si histori...
RRËFENJA E PARË
1
Një mëngjes në rrugë u vunë
për qytet, larg, dy fshatarë,
sekush për hall e për punë
të arrijë sa më parë.
Që të dy me hap sorkadhi
vrap e shkelin monopatin,
në qytetin zhurmëmadh
ikin të provojnë fatin.
Që pa emër mos t'i lemë
se këtë të drejtë e kemi,
njerin do e quajmë Demkë,
Kolë tjetrit do t'i themi.
2
Kur i bëri udha bashkë,
e do udha shoqërinë,
njeri kish në sup një strajcë,
tjetri - veç në xhep shaminë.
Supi i Demkës u këput,
plot qe torba me ushqime,
ndaj dyshimi krimb iu fut:
" Ky do hajë nga strajca ime!"
Ra qyqari në gjynah
iu bë zemra sa e zogut,
iku fjala dhe ia tha
çka mendonte edhe shokut.
Kola në gaz vuri buzën
dhe ia ktheu me shakara:
"Ec, o mik, vazhdojmë udhën,
bukën unë e nis përpara!"
3
Ecën pa këmbyer fjalë,
nuk kish rruga të mbaruar,
mbrëmja plafin dalngadalë
po e shtronte pa kuptuar.
Po dhe yjet s'ia përtuan
mbushën qiellin plot fenerë,
Demka prapë me vete bluan
ku të gjejë një vend të flerë.
Ndonjë guvë a ndonjë shpellë
vetëm sa të shtijë kokën,
se për bukë dhe për gjellë
gjer në grykë plot ka torbën.
Edhe Kola s'është i qetë
dhe për larg e nis mendimin,
çdo të bëjë në qytet
për të zbutë pak mjerimin.
Pesë gojë në shtëpi
porsi zogjth në çerdhe rrinë,
presin nga duart e tij,
dhe i falin lumturinë.
4
Ec e ec i nxori udha
bri një fshati veshur pemë,
në çast Kolës iu zgjidh gjuha:
"Kam një mik, këtu do flemë!"
Kështu tha e ndoqi vahun
zbriti te shtëpi e parë
dhe si mik i zgjati krahun
Demkës që hiq torbën zvarrë.
U hap porta dy kanatash
dhe i pritën s'ka më mirë,
nuk e ndjenë si shkoi nata
gjer u nisën në të gdhirë.
Paska Kola miq me besë
dhe kudo i qeshi nuri
se ka pritur e do presë
ndaj nuk ligështohet burri.
Demka struket i menduar
i sëmboi diçka thellë,
Kola sofrën e gjen shtruar,
korr atë që vet' ka mbjellë.
Nuk e deshi Demka veten,
iu duk vedtja e pa vlerë,
se të themi të vërtetën
nuk i shkel asnjë në derë.
5
Hip e zbrit në monopate,
po dhe rruga s'ka të sosur.
S'vunë dorë asnjë në strajce
ishin që të dy të ngopur.
Supi i Demkës zuri kallo
si një kalë që e vrfet barra,
më shkon Kola si në ballo
dhe e gjen bukën përpara.
Në çdo fshat i hapet dera
dhe e presin krahëhapur,
në mes miqsh të rritet vlera
dhe më shumë sa ke patur...
Mjaft e torrëm dhe e zgjatëm
dhe më tej njëlloj i pritën.
Do të dish ç'u bë me strajcën?
Ç'kishte brenda gjithë u mykën.
II
U tund ca nga vendi e këmbët i shpiu,
me sy si të shpendit në çast më përfshiu,
çibukun me ngucat e shtrëngon në gojë,
te rrudhat lexoj:" O bir, s'ke përvojë!
Në s'ardhtë e mira,po mbajte vesh plakun,
të paktën e keqja nuk ta gjen konakun.
I varfër nuk është kush s'ka pasuri,
varfëri e shpirtit lëçitet në sy.
Duhani i sertë kërkon arën kserë,
s'thonë vetëm librat mendime me vlerë.
Si na rrodhën ngjarjet, do të dish më tej?
Sa të sos çibukun, do nis të rrëfej.
RRËFENJA E DYTË
1
Sonte kam vendosur bir
që me fund t'i zbraz hejbetë,
a bëj keq apo bëj mirë
në kanadar peshoji vetë.
Pakogjë do ketë mbetur
vaji në kandilin tim,
në rrëfime jam i etur
kështu shpirti gjen dëfrim.
Ka një fund dhe historia...
Të dy miqtë në rrugë i lamë,
sekush për hallet e tia
desh t'arrinin kasabanë.
Zgjatet rruga si litar
sa në diell, sa në hije,
për qejf zogjtë këngëtarë
pleksin zërat në korie.
U ngjan sikur u këndojnë
miqësisë mes të dyve,
edhe lodhjen u largojnë
që bën ferk te dritë e syve.
Rruga gjatë të mos duket
muhabeti bëhet okë,
si një pemi që lidh frutet
thanë u bënë miq për kokë.
Njeri-tjetrin duke parë
me respekt e sy më sy,
miqësia rrit lastarë
dhe te unë, por dhe tek ty.
2
Kështu ecën s'di se sa
zemrën plot, më ngjan, të dy.
Miqësia brirë s'ka,
kush e prek shijen ia di.
Të arrinin s'ish e thënë
vendin për ku ishin nisur.
Lumi i madh ku bën një mëngë
tjetër rreng u kish kurdisur.
Në mes dallgësh sa një mal
një fatkeq po jep e merr,
vdekjes dot s'i thotë ndal
edhe fundin pret me tmerr.
Të dy miqtë nuk nguruan,
vetëtimthi u vunë në garë,
përmbi dallgë çanë e shkuan
kush ta ndihë sa më parë.
Eh, se ç'hoqën! U përpoqën
një tërhiq e tjetri mbaj,
vdekjes nga thonjtë ia hoqën
si shqiponja zogjtë e saj.
3
Kur të tre në breg ndaluan
e të treve u qesh nuri,
miqësisht u përqafuan
me përlotje në sy burri.
Po gëzimi u bë si deti
që shpalos valën tantellë,
tha fatkeqi:"Unë jam Mbreti
dhe ju fati iu ka sjellë.
Fati sot m'u gjend këtu
për t'i vënë punët mbarë,
sot për mua të dy ju
jini ëngjëjt shpëtimtarë.
Po dhe ju s'jini pa fat,
ndaj, o miq, mendoni mirë
deri nesër, në pallat
eni shfaqni një dëshirë.
Unë e di që halle shumë
iu rëndojnë përmbi shpinë,
ndaj sot fjalën po jap unë
t'ua zbut pak varfërinë.
Fjalën unë di ta mbaj,
nder më bëtë që të dy,
borxhin kurrë dot s'e laj
as si mbret, as si njeri..."
Ç'ishte vallë kjo rrufe
në të kthjellët që u shkrepi?
Ranë që të dy përdhe
mrekulluar nga respekti.
Në një gojë të dy i thanë:
"Qofsh lëvduar, Mbreti ynë!"
Miqësisht në sy u panë
siç sheh njeriu - njerinë.
E mandej zgjatuan çapet
n'udhë nata mos t'i zerë,
perëndimi tek përflaket
ua vesh ëndrrat me ylberë.
Pa e mbush çibukun dhe e ndez me nge
një mjegull te sytë i rri si perde,
siguri e tij më mahnit, më ngjeth,
një dritë hyjnore rrezaton përreth.
S'di se ç'do të falja veç ta shoh njëherë
që buzën në gaz pa mundim ta verë.
Koha në çdo rrudhë një mendim ka endë,
tërë jetë e tij më ngjan si legjendë.
Ma lexon mendimin si ta kem të shkruar:
"Hë, si thua bir?-më flet i shpenguar,-
brazdënqë e nisëm, ta nxjerrim në anë?
Do mësosh më tej ç'bënë miqtë tanë...
4
Sa e hapi dita synë
që të dy në këmbë i gjeti
dhe mbërritën me një frymë
atje ku i ftoi Mbreti.
Në çivitë portë e madhe
rrinte si një zonjë e lashtë.
Thanë të hyjnë me rradhë
tjetri do të presë jashtë.
Roja i lëshoi rrugë
Kolës i pari të hynte,
brenda tij një shpirt i butë
si një diell rrezëllinte.
Kurse Demka jashta dere
do të presë të hyjë më pas,
ndaj zilia kësaj here
ia mbushi shpirtin në ças.
I flet Kola tek shtyn portën:
"Ika, mik, më priftë e mbara!"
Qe ai që gjithë kohën
bukën ia vunë përpara.
Po sot Demka gojëkyçur
t'i përgjigjet s'gjeti fjalë,
se inati i kish hipur
e ia nxjerr mendimin çalë.
5
Tek ngjit shkallët e pallatit
dum i jep se ç'të kërkojë.
Në shtëpizën larg në fshat
prej tij presin pesë gojë.
Ndaj kur Mbretit iu qas afër
përdëlluar nis i thotë:
"Madhëri, jam rob i varfër,
nder më bën, më fal një lopë."
Gjegjet Mbreti:"Mos u ngut,
për më shumë ke nevojë!"
Dorën si një at mbi sup
ia hedh drojtjen t'i largojë.
E shikon plot mirësi
pa e ëmbëlson dhe zërin:
"Kolë, mik, Mbreti për ty
të fal një pallat të tërin."
"Qofsh lëvduar, Madhëri!
Urim tjetër s'thotë goja.
Gjithë natën s'mbylla sy
dhe në ëndërr lopë kërkoja.
Mos ma ki, o Mbret merakun,
s'më bën zemra për më shumë,
vogëlushët plot çanakun
presin përditë nga unë..."
Kështu Kola e mbaroi
para Mbretit ligjërimin
dhe një purpur e mbuloi
si skuq dielli perëndimin.
U bë Mbreti i pa gojë,
na ra Mbreti në mendime:
"S'di ky popull ç'të kërkojë
kur shkon jetën me thërrime."
Thonë se Mbreti ra në hall
dhe tundimit i bën ballë:
"Lopën, mik, e paç hallall,
më të mirën zgjidh në stallë!
Iku Kola e gjurmë la
si rrëkeja në lëndinë:
"Këta njerëz,- Mbreti tha,-
mbajnë në këmbë Mbretërinë."
Iku Kola me vrap zogu
si të kish krahët e erës,
sihariqin ia tha shokut
që e priste prapa derës...
Mushkëritë e tij si oxhak i zënë
u kollitën pak dhe ofshanë rëndë:
"Eh, jeta, o bir, është si parmëndë,
po s'dite ta ngasësh, t'i bën babë e mëmë!
Më të mirë nga veten mikun shko kërkoje,
i keqi kafshatën ta rrëmben prej goje.
Unë që përrallis sot këtu me tia
i kam në kurriz zullumet e mia.
Jetën tënde ngreje si zemra ta do,
veç te fjalëbukurit kurrë mos beso!"
6
Porta përsëri kërciti,
Demka hapin hedh nxituar,
shkallët dy nga dy i ngjiti
pranë Mbretit për të shkuar.
E pret Mbreti pas zakonit,
pranë e fton si mik me besë
edhe vetë zbret prej Fronit
për dëshirat ta pyesë.
Qëndron Demka i dyzuar,
zemra nis e i rravgon,
syte me një tis mbuluar
siç rri mjegulla mbi hon.
Nuk guxon nga t'ia fillojë:
"Folë, o mik!- Mbreti e cyt.
Thahet pështyma në gojë,
fjala, komb bëhet në fyt.
S'e pandehu kaq vështirë,
kjo minutë sa u zgjat,
nuk e shpreh dot një dështirë
para Mbretit në pallat.
"Folë, o mik!- flet prapë Mbreti,-
dje në dallgë ishe më trim.
E ku vallë fjala të mbeti
që ta shprehësh s'merr guxim?"
Iu zgjidh gjuha më në fund
dhe nis Demka:" Madhëri...
(Jo, nuk është ndjerë kund
çfarë nxori gojë e tij.)
Zëri del si nga një gropë,
bërë baltë në fytyrë:
"Kolës, Mbret, mos ia jep lopën
jo, nuk kam tjetër dëshirë."
Për një çast u shtang Sovrani
si dikush ta kish goditur:
"Shpirtin tënd Demkë, shejtanit
nga ky çast sot ia ke shitur."
Kështu Mbreti iu drejtua
Demkës me sytë në tokë:
"Për çka the, më ngjau mua
se tavani më ra mbi kokë."
Mbreti në fytyrë u prish
e i flet me zë të ashpër:
"Në çast Demkë, m'u hiq sysh
bashkë me gjuhën tënde gjarpër."
Kur nis Demka për të dalë
i zbret shkallët tre nga tre
si një qen me bisht në shalë
nuk i zenë opingat dhe...
Në mendima Mbreti ra
si të kish akull në shpinë:
"Këto monstra, - heshtas tha,
do më nxjerrin themelinë."
NË VEND TË MBYLLJES
Murrëtyer sytë e plakut porsi deti në tallaz
në çast e ndryshuan ngjyrën, pa u mbushën dritë e gaz,
më hedh dorën përmbi sup si një degë që pret të thahet,
shtyjmë hapat të dy bashkë, fort tek unë sot po mbahet,
sup më sup me njeri-tjetrin, japim marrim që të dy,
Ai - optimizmin tim
Unë - mençurinë e tij..
Publikuar së pari 1996