| E merkure, 13.07.2011, 07:58 PM |
Historia që s’duam ta lexojmë.
Persiatje reth librit “Intervista me vajza te mira” të Daniel Gazullit
Nga Timo Mërkuri
Kur në vitin 2008, te vëllimi im poetik “Anatomia e lotit” botova poezine “Vajza i punon në Milano” me vargjet ….dhe ai në qytet ndërtoi / një shtëpi të re. Të bukur/Vetëm dritaret i bëri pak të vogëla/Si sy të ulur nga turpi”., dëshirova me gjithë shpirt që kjo poezia e imja të mbetej e vetme në llojin e saj.Të lexohej dhe të harohej, ose edhe të mos lexohej fare. Të shteronte ose më saktë, të mos egzistonte më kjo temë.
Dhe vetë bëra çdo përpjekje për të mos e kujtuar dhe propoganduar, mandje nuk e lexova ne asnjë manifestim poetik, thua se nga moskujtimi im, ajo nuk do të egzistonte.
Dhe kujtova se ja arita këtij qëllimi.
1-Por u desh të më binte këto ditë në dorë libri i mikut tim Daniel Gazulli me titull “Intervista me vajza të mira” që brenda meje të pësoja një tronditje, thua një tërmet shtatë ballësh, që të rrëzonte bedenat e iluzioneve dhe të më servirte rresht pas rreshti e faqe pas faqeje shëmtinë e vilave shumëkatëshe të ngritura kudo nëpër Shqipëri dhe zezonën e Bencave që rëshqasin nëpër rrugë, si gjarpërinj.
Dhe sikur ta kishte shkruar këtë libër enkas për mua, për të më shëmbur iluzionet që unë doja të ngrija brenda vetes sime, intervistat i fillon pikërisht me …vajzat që punojnë në Milano:
-Vetëm familja jonë vazhdonte të jetonte ( në fshat) në një kasolle të gjatë, në një pjesë të së cilës mbanim lopën…
…Sot e kësaj dite vazhdoj të bëjë atë “punë”. Nuk di të bëj punë tjetër.Tashmë jam mësuar,nuk më bën më përshtypje….
….E shikon se ç’vilë të bukur kemi tani!
Tronditëse.Është si të pishë një kupë me helm dhe të të dridhet trupi nën efektin e tij.
E pra, ju vëllezër e baballarë, nëna e motra që kini vajzat që …punojnë nëpër Milanot e Europës, pijeni gjër në fund këtë kupë helmi dhe mësoni se si e filluan këtë “punë” bijat dhe motrat tuaja…
…Atëherë në shtëpi ja behën “miqtë” e Fisnikut (të shoqit) dhe e …përdhunuan dy ditë e dy netë me rradhë.
…Nuk patëm kohë as të ngriheshim nga krevati ku flinim të dyja bashkë, pse të tre djemtë na u hodhën sipër dhe … na përdhunuan. Kështu për tri ditë e tri net me radhë, një herë njëri e një herë tjetri.
…Punoja natën e pushoja ditën.
…Ke gjithnjë të njëjtin “boss”? Jo, më kanë “shitur” dy herë, por njoh dhe vajza që janë shitë 4 apo 5 herë.
…Ka qënë im kunat që më detyroi të rinisja këtë punë…
…Më çuan në postën kufitare. Më kanë përdhunuar për katër netë e tre ditë. Rezikoja edhe të vdisja, aqë të dhunshëm ishin e nuk donin t’ja dinin fare që shpesh më binte të fikët…
2-Këto janë dëshmitë e vetë vajzave të intervistuara, këto janë dëshmitë tronditëse që i kemi dëgjuar dhe s’kemi dashur ti besojmë.
Këto janë, në fakt, gurrët e themelit të atyre vilave shumëkatëshe kudo nëpër Shqipëri, në daç në Jug e në daç në Veri, në daç në fshat e në daç në qytet.
Vila të ngritura me paratë e …vajzave që punojnë …prostituta. Mos më thoni që prindërit, vëllezërit dhe motrat nuk dinë gjë. Heshtin dhe s’bëjnë gjë, këtë po, e pranoj.
A ndoshta edhe faktin se s’mund të bëjnë gjë, në gjëndjen në të cilën janë, a edhe faktin se ka patur edhe raste që vetë familja i ka …nisur në …këtë punë( Një ditë u zemërova aqë shumë sa që ju drejtova me zë të lartë;-A do që të punoj si ato? A do? Ajo (nëna)e qetë ma ktheu;-Çka prêt?).
Çdo gjë e pranoj dhe e justifikoj, por jo se familjarët s’dinë se nga e se si vijnë ato para..
3-Doni të dëgjojmë pjesë nga intervistat me këto vajza për tu bindur për sa ju thashë më sipër? Dëgjoni miqtë e mi…
…ai që më mori i pari në telefon, ishte babai. Në fillim edhe tinëz nënës…Tash kishte edhe para që të mund të më telefononte. E të bleu shtëpi në fushë, bleu tokë, bile edhe veturë. Tre vitet e fundit shkoj dy herë në vit në Shqipëri. Më presin e më përcjellin si… mbretëreshë. Se unë,…”punoj”.
….E ëma kishte dyshuar për këtë ndryshim të vajzës….Ja ku solli edhe paratë që të paguante borxhet. Por Marjanës nuk i tha gjë. Bënte sikur e besonte.
…Dëgjohemi…sidomos kur ngelet ngushtë për para (babai)….
Ato “punojnë” dhe ne e dimë se ç’punë bëjnë. Prostituimi quhet punë.
Unë nuk e di në se kemi të bëjmë me përdhosje të punës apo me shënjtërim të prostituimit. Sepse tingëllon pakëz si ironi emërtimi “punë” i …asaj pune. Por ama, kur sheh të ardhurat e siguruara nga “ajo punë”, vetvetiu të shkon mëndja se kjo është puna më e leverdishme dhe më fitimprurëse. .. Vajzat ushqehen e vishen, u dërgojnë para familjeve, sekserët sigurojnë fitime maramëndëse,tepër maramendëse. Danieli flet për dhjetra firma, hotele e motele, karburante e makina, etj etj. Flet edhe për nje kandidat për deputet , i cili fitoi zgjedhjet dhe u bë vërtet deputet. Ndoshta edhe më lart. Unë nuk e di se kush ëshntë ai,se Danieli në libër nuk na e thotë emrin. Mos vallë është ai që mbajti atë fjalimin e bujshëm në parlament, për mbrojtjen e grave dhe vajzave nga trafikimi? Mos vallë me atë fjalim kërkonte monopolin e trafikut?
Më nxore punë pa punë more Daniel, se që nga ajo ditë që lexova këtë libër, më ndryshe dhe më me këmbngulje i shoh deputetët, për të gjetur se cili është ai deputeti i trafikut të femrave që shkruan ti. Dhe fjalimet e tyre më ndryshe i interpretoj. Sidomos kur flasim për luftë kundër korupsionit , kundër prostitucionit, etj etj Domosdo që në këto fjalime qëndron edhe sekreti i tyre, po hajde gjeje, se.
Nuk e di pse mu mbush mëndja se kandidatët për deputetë të kësaj kategorie, kur dalin nëpër elektorat, dalin të shikojnë për…vajza të bukura, të cilat i ndihmojnë të …punësohen …në Milano.
Dhe çuditërisht, gjithnjë në prag fushatash, punësohen shumë…Ka një bum ofertash nëpër trotuarët dhe bordellot e Europës, dhe vetkuptohet që çmimi është në ulje në këtë …sezon.
4-Kjo është e vërteta përvëluese, që të djeg si mashë e skuqur kur e prek. Bëjmë çmos për mos e prekur këtë mashë me damkën e turpit , të gdhëndur e të skuqur në majë.
Por nga shenja e saj nuk shpëtojmë dot si komb, vetëm e vetëm se nuk e prekim ne.
Na ka prekur ajo në ballin e emrit tonë dhe ngado që vemi na dallohet.
Na ka prekur pikërisht aty, ku…dy gisht nder për midis ballit/na i ka fal i madhi zot.
Lexova para ca kohësh në gazetat tona, se mediat e huaja kishin shpërndarë njoftimin se nëpër shtëpitë publike në botë …“punonin” 30 mijë vajza shqiptare. Gazetat tona protestonin se …në fakt numëri duhej të ishte… nja pesë a gjashtë mijë… më pak, thua se qeveria jonë ka evidence të sakta … për bordellot e botës.
Ndoshta dikush do qeshë, por në fakt, të gjithë po qajmë me lotë shpirti.
Ky krim nuk zhduket duke e haruar.
Asnjë plagë që ka mbledhur qelb nuk shërohet duke e fërkuar. Duhet marë bisturia në dorë dhe i duhet rënë mes përmes këtij çibani, dhe me forcë bile
5-Ato tmere që kanë hequr këto vajza e gra të reja, të shndruara nga njerëz me ndjenja në makina të thjeshta seksi paraprurës për sekserët…fatkeqësisht bashkëkombas të tyre, në mos edhe të afërm në jo pak raste, ato lemeri që kanë përjetuar, janë të tilla që ska penë në botë që i shkruan. Ne vetëm le ti lexojmë si i ka përvijuar Daniel Gazulli në intervistat e tij të shkurtëra,ose më saktë në ato copëza intervistash, ku vetëm emri i femrës ndryshon, se përjetimi është pothuaj i njëjtë.
Dhe përpiqemi të ngremë nga haresa legjendat tona të mjegullta për kinse, nderin e papërlyer të femrës shqiptarë .
Përralla me mbret.
Mjafton të kujtojmë maskaçjerrësin Migjen, mjafton të lexojmë “Intervista me vajza të mira” që e kemi në dorë, për të parë varrin e legjendës dhe për të kuptuar shkakun e vdekjes së …moralit.
6-…Kush thotë se “është më mirë me vdekë se sa me shitë nderin” thotë një rrenë të madhe…
…Unë nuk kam shkollë, por një gjë e di mirë;-kush nuk ka bukë me hangër, të paktën një herë në ditë, nuk është më njeri, por një vemje e shkretë që mund ta shkelin të gjithë…
Njeriu shqiptar, ai , krenari i legjendave, luftëtari, mikpritësi e bujari…nuk është njeri, por një vemje që mund ta shkelin të gjithë… Dhe kjo, vetëm e vetëm se s’ka një copë bukë të hajë , qoftë dhe njëherë në ditë.
Edhe në Kosovë flitet për një numër të madh grash dhe vajzash të përdhunuara nga ushtria serbe, por aty aktin mizor e kreu armiku. Dhe për këtë ska pse tu vijë turp kosovarëve, të cilët vetëm për këtë krim heshtin e nuk flasin. Turpërimi është një armë lufte dhe është përdorur nga të gjitha ushtritë pushtuese për të mposhtur moralisht rezistencën.
Por si tja bëjmë ne , që asnjë pushtues nuk na sulmoi. Na sulmoi vetëm …varfëria. Ajo, e padukëshmia, ajo kafshata që skapërdihet.
Uria mposht edhe luanin, dhe ujkun e kthen në një “qëngj të urtë” për sa kohë që është në kthetrat e saj.
E ç’mund të themi pas deklarates së mësipërme të një prindi, që jetën dhe mbijetesën e tij dhe të familjes e bazon te …”puna e së bijës në…Milano”. Cili nga këta prindër dëgjon televizorin, që gjëmon për përparimin e vendit etj etj. Ai nuk e di se sa përqind u rit ekonomia e vendit, se në fshatin e tij,ai e sheh që askush nuk i punon tokat.
Ai nuk di asnjë nga këto. Dhe në fakt nuk i interesojnë fare.
Ai numëron minutat e ditës dhe llogarit se sa …klientë mban e bija, atje larg.
Dhe trëmbet se mos vdes nga …”puna “ e shumtë. Trëmbet se, sidoqoftë e ka fëmijën e tij, dhe çdo lot i së bijës, është një plumb për zëmrën e tij të drobitur. Por ai e ka zemrën të fortë, edhe sepse ka dhe disa …fëmijë të tjerë, që duhet ti ushqejë ,e ai ska me se.
Sa herë është lutur të vdesë, sa herë. Por edhe vdekja qënka e padrejtë. Nuk mer atë, prindin që s’ka të ushqejë fëmijët, por vete mer ata që gjezdisin me benca nëpër botë.
As jeta por dhe as vdekja s’qenka e drejtë në këtë vend.
E ai prêt datën e caktuar, kur lotët e së bijës, të konvertuar tashmë në euro, i vijnë në bankë. Ajo ditë është shpëtimi i pritur. Së paku për fëmijët e tjerë, se ai ka kohë që ka vdekur shpirtërisht. Pret vetëm ditën e varrimit të trupit.
7-Por ne të tjerët nuk i dimë këto. Ne i shohim kur vijnë ndonjëherë me pushime, pas asaj stërlodhjeje fizike e shpirtërore dhe fjala e parë që themi me zë ose me vete është fjala “prostitutë” ose edhe më shqip.
Por Daniel Gazulli nuk është dakort me ne.
Ai i quan ato thjeshtë dhe qartë…vajza të mira…
Po Daniel Gazulli, ato janë vajza të mira.
Ato janë vajza të mira, sepse sakrifikuan rininë, lumturinë dhe jetën e tyre që vëllezërit dhe motrat më të vogëla apo edhe prindërit e pamundur fizikisht, të mund të jetonin në këtë vend, që ne e quajmë atdheu ynë, por që nuk u bë kurrë edhe atdheu i tyre.
Ky vend që ngeli përherë njerkdheu apo edhe thjeshtërdheu për këto vajza fatkeqe, të cilat sakrifikuan gjithçka ka në botën shpirtërore të njeriut. Dhe përse vallë?
Të kishin vëllezërit e motrat një çati mbi krye, të kishin bukë dhe diçka më shumë se buka në sofër, të blenin libra dhe të shkonin nëpër shkolla. Të mësonin motrat dhe vëllezërit më të vegjël për ti dalur zot jetës. ( Ti do vazhdosh shkollën,kurrë nuk do bësh këtë që bëj unë, i thotë njera prej këtyre vajzave të mira, motrës së saj më të vogël , të cilën e mori me vete në Itali)
E pra,ato sakrifikuan veten për familjet e tyre.
Për ta jetuar pjestarët e familjes, si njerëz këtë jetë, që ato e jetuan si…kafshë seksi.
Ato e sakrifikuan jetën e tyre, ndonëse me përdhunë në nisje.
Ato u martirizuan për familjet e tyre.
8-Dhe si çdo martir dhe ato kanë të drejtën e një vend përkujtimi.
Sikur ne, more miku im Daniel Gazulli, të shkojmë vilë më vilë, tek vilat e ngritura me paratë e dërguara prej tyre, të fituara prej…”punës” së tyre dhe të marim… vetëm nga një tullë ose nga një bllok betoni te secila dhe këto ti hedhim në atë vend përkujtimi, unë të siguroj se do ishte ngritur një muranë shumë herë më e lartë se monumenti ‘Nënë Shqipëri”.
(Them muranë, sepse jemi ende shumë larg të pranuarit të ngritjes së një monumenti për këto vajza, diku në breg të detit, prej nga niseshin skafet si varkat e Karontit)
Dhe kjo muranë, të siguroj unë se do ishte vend pelegrinazhi pendimi për gjithë shqipëtarët.
Ajo nuk do na turpëronte si komb, të siguroj unë.Ajo do na nderonte.
Por së pari, le ta ngremë këtë muranë në zemrat tona.
Këtej le të fillojmë.