Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Kryetari i Parlamentit ka frikë, zotni...!

| E enjte, 14.07.2011, 06:58 PM |


KRYETARI  I  PARLAMENTIT  KA  FRIKË,  ZOTNI..!

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Shumë vetë më drejtojnë pyetje përse nuk vepron kështu apo ashtu Kryetari i  një organi apo institucioni shtetnor, si bie fjala tash së fundi për Kryetarin e Parlamentit tonë, për cilen arsye nuk ndërton obelisk apo pse nuk bahet ...

            Po e persëris, shikojeni mirë foton sipër... Në fund të fundit mos harroni thanjen e vjetër se: “Ka le frika para trimnisë...”. Shumica nuk e kuptojnë këte thanje! Askund nuk asht e shkrueme se “ka vdekë frika”. E keni pa kund të shkrueme se Kryetari i Kuvendit Popullor nuk duhet me pasë frikë? – Jo, atëherë nuk e kuptoni se kështu ndodhë edhe ma nalt apo edhe ma poshtë... Le të flasim ma troç:  Jozefina ka frikë Saliun, Saliu po ka frikë Bamirin, Bamiri ka frikë Haxhiun, Haxhiu ka frikë Ramizin, Ramizi ka frikë Nexhmijen, Nexhmija ka frikë Enverin...e kështu frika shkon tue shëtitë sa tek njeni, sa tek tjetri, dhe jo vetem ndër shtëpia, por edhe ndër zyre... ndër koka, ndër rrashta, vorre apo në ministri, në gjykata, në Parlament e deri tek vetë zyra ma e nalta, ajo e “kthimit të pronave”. Edhe ajo ka frikë nga zyra e arkivit ku ruhen dosjet...ajo e arkivit ka frikë nga një tjeter jo e pa randsi, ajo e “shtetëzimeve”, që ka forcë të përjetshme...se mbrohet nga gjykatat deri sa të gjitha metastazat e frikës arrijnë sa andej këndej, pra kthejnë edhe njëherë tek “shoku” Enver! Duhen kuptue mirë, zotni, këto çeshtje...nuk asht thjeshtë me vendosë se ku duhet me vue “monumentet”..? A nuk shihni se “akademikët” nuk po dinë ku me ia gjetë vendin propozimit të “dr. Prof...” që po kërkojnë madje deri në TV edhe heqjen e “mitit” të Skenderbeut? A nuk e kuptoni se sa gati janë buldozierët me shkulë jo vetem Skenderbeun, po edhe pishat përreth tij... nuk di njeriu ku ve kambën! Je tue ecë dhe nuk mundesh me dallue me vesh se kush po të vjen mbas shpine nga tingujt e “zileve”, apo si i kemi pasë thanë dikur, “këmbanave” të sqepëve, që sa po sjell kokën, sheh mbas vetes gjybe e veladona ngarkue me dekorata “nderi i kombit” nën mjekerr e deri pak nën bel...

Nuk shihni në rrugën qendrore të Kryeqytetit “besimtarët” që tashti ua kanë vu emnin “muhaxhirë” tue “u falë para Komitetit Qendror të PPSh e zyreve të Kryeministrisë, ku deri dje ishte zyra e Enverit dhe Mehmetit?”...I harruet ata xhahilët tjerë që ishin pak ma këndej në Ministrinë e Mbrendshme...Kadrit’ e kompani...? Pse mendoni ju, se Ramizi e bani kot “Revolucionin Kultural” në Shkoder?! – Jo, mor jo, nuk tha kot atë ditë “Valia” i katundit para se me vdekë: “Ma leni jashtë copen e litarit!”...i keni harrue ju këto porosi të “xhaxhit”... e dinte ai se do të vijë koha e “muhaxhirëve”, e dinte qysh kur pat shkrue librin “Shenime për Lindjen e Mesme”...Aty u bazuen edhe Ramizi, edhe Sala, kur na futën me sy mbyllë në “Konferencën Islamike” me 2 Dhetor 1992...E harruet edhe këte?

            Shikojeni mirë foton sipër, mandej flisni! E shihni se po kalon nga Banka e Shtetit Shqiptar, harruet se ajo bankë vazhdon me kenë edhe sot e tij...? Po toka ku po ecin “ata” zotnitë që po e bajnë në krah...nuk e shihni se asht e Bankës së Shtetit të tij...a e kuptoni se jeni tue kerkue një veprim jashta ligji “Me ndertue Parlamenti një Monument apo obelisk” të viktimave të Tij “simbas jush”, mbasi deri tashti askush nuk e ka akuzue per “terror, krime apo Gjenocid”, apo nuk i veni veshin Qoses ju çka thotë për “Pavijonin e Gjenocidit”, që asht aty përbrijë, dhe që duhet të “hiqet” sa ma parë prej asaj tokë...se edhe ai asht ndërtue pa leje të “pronarit” të Bankes në oborrin e saj?!

E kujt do t’i flasin për këto çeshtje Jozefina, si do të guxojë ajo me folë kundër “një heroi të popujve të Jugosllavisë, dy herë hero i popullit shqiptar, që ka vra mbi 45 mijë Shqiptarë, hero i punës socialiste që ka masakrue 500.000 Shqiptarë ndër burgje dhe kampe pune e interrnimi...”. E kjo, si do të matet me té...? Ju thoni se sot qeveritarët tanë po shesin copa copa Shqipninë...Jo, bre jo, Enveri e shiti “një cope” e nuk po i thotë kush as “tradhëtar”...e këta sot po i jepkan grekut apo dreqit dy kopshtije për maroana.... Leni mos u merrni me gjana të vogla... Mandej, keni ndigjue “tellall” nëpër Tiranë tue thirrë me të madhe: “Kush e do një copë Shqipni..?” Jo, atëherë, si u shitka “toka” pa u qitë në ankand? A e dini se neser pa pritë pa u kujtue i del i zoti? Jozefina i di këto...

Shikoni mirë foton nalt! Më duket se keni harrue... Djalë “muhaxhiri” ishte ai që u ngul aty, e djalë “muhaxhiri” ishte edhe Rama që e nguli aty...Po a kujtoni se nuk i ka aq pare Nexhmija sa me grumbullue 5000 muhaxhirë tek ai vend e me i ulë përmbys edhe dy muej rresht...pa hanger e pa pi si në ramazan, e mos me lanë njeri me u afrue aty..?

Ajo asht pronë e një “muhaxhiri” kaukazian, dhe a  dini se ai pronar ishte djali i njëfarë bylykbashi të Gjirokastres, e i biri i tij Enver Hoxha, jo vetem ka pronë Banken bashkë me rrethina deri tek Mali me Gropa e tunelet e Dajtit, por njat Bankë që shihni në foto nalt, e sa Banka ka në Paris...e sa që nuk i di njeri të tjera, po mbani mend fjalen teme, kur të dalin se edhe Sheshin e Prishtinës, ku kerkojnë me ndertue “muhaxhirët” sot, edhe ai asht pronë e tij... Nuk janë budallej ata që kerkojnë me vue edhe monumentin e tij atje dhe, besa nuk ka me shkue gjatë që kanë me kerkue me e ngulë prap aty ku ishte!

Ju kujtoni se e keni zhgulë para njëzet vjetësh me 20 Shkurt 1991, po keni harrue se i keni lanë rrajen mbrendë bashkë me qelbin komunist Tokës Shqiptare!

 

Melbourne, Korrik 2011.