Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kostaq Duka: Bisedë me veten

| E marte, 12.07.2011, 07:56 PM |


Kostaq Duka

 

Bisedë me veten

(cikël me poezi)

 

 

Misioni

-Tim Biri-

 

Në udhën e gjatë e të vështirë

pranë teje isha me qënie e frymë si prind i mirë...

Tani pas statusit

të qytetarit të lirë,

të burrit të përgjegjshëm,

të vizionarit në dialog me ditët që vijnë,

e shoh se

ngadalë pa thënë lamtumirë

më duhet të kthehem,

si një luftëtar që e kreu misionin,

në kasollen e vjetër plot thinjë.

 

Në rini e pleqëri...

 

Në rini

më “dhimbte” shpirti

në vrapin pa fre pas dashurive

qe s’dija ti rrokja a ndoshta si meritoja....

 

Tani në pleqëri

kur më dhembin kockat.

shpirti ka veç një dhimbje therrëse:

“përkujdesjen deri në flijim të gruas

si ta shpërblej me dashuri ?!”

 

Pëllumbat


Pëllumbat,

kishin mbushur sheshin.

Pëllumbat shijonin mes diellit, thërrimet e fëmijve

duke gugitur për paqe.

Pëllumbat përplasën krahët prej tmerrit

Kur nga tribuna mes sheshit,

Një klithmë e çjerrë lideri "karazmatik"

plumboi qiellin.

 

 

20 vjet

 

Në ditëlindjen e demokracisë

ajo doli në shesh.

Foshnjën, vajzë, e ngriti lart

si të ish një karafil, një trëndafil i bardhë.

E lumturuar u përlot

prej ëndrrës së madhe të lirisë....

20 vjet nga ajo ditë, vajza studente

shkruan esenë :

“Realitet = iluzion i demokracisë.”

Korrik, 2011