| E hene, 11.07.2011, 07:13 PM |
Vullnet Mato
PORTRETI I HEMINGUEJIT
Portret si Hemingueji
nuk ka të dytë.
Një fytyrë të ngjashme
mundet të gjesh,
kur flenë katër zogj:
hunda, buza, sytë,
në fole zogu të thurur
me fije të leshtë.
Tregimtarit të madh
me libra botuar,
nga lind e perëndon
dielli mbi tokë,
nuk i gjendet
afërsia e stilit të shkruar,
as shkrimtarë në gjah
t’i bëhen shokë.
Në brezin e humbur
nga lufta e përgjakët,
ngriti monumente
për njerëzit më fatkeq,
djegur e pocaqisur
nga tmerri dhe plagët,
ku ai skuqi me gjak
të gjithë kohën e vet.
Rendi pas vdekjes
mes plumbash në stuhi,
nga përtej Atlantikut,
gjer në malet Pirenej
dhe e mbylli me plumbin
në zemrën e tij,
kolosi i gjallë në letra,
Ernesto Heminguej.