| E diele, 10.07.2011, 07:55 PM |
BAKI KRASNIQI (1954)
U lind më 27 gusht 1954 në fshatin Priboc,komuna e Bajanocit. Ka kryer fakultetin filozofik,dega e Gjuhës dhe letërsisë shqipe. Shkruan poezi,prozë e dramë. Ka botuar dy përmbledhje me vjersha Në krah të shqipes dhe Zogu i qyqes. Është anëtarë i kryesisë së klubit letrar Nositi me seli në Dardanë dhe njëri nga themeluesit e tij. Gjithashtu është anëtar i redaksisë së revistës letrare me të njëjtin emër. Jeton në fshatin Petrit të Dardanës. Punon në shkollën e mesme të ulët Xhela Sopi në Petrit.
FLAMURI QEFIN
biri im
jeta dhe varri im
buzëqeshja po ta shton madhështinë
flamuri – qefin
këngë e lot
dasmë në mort
ne qajmë ti qesh
dikur ishte ndryshe
më kujtohet si sot kur ti erdhe në jetë
ne këndonim qeshnim ti qaje
nuk e dija pse
ndoshta pse erdhe në këtë botë mëkatare
apo ishin lot gëzimi
se përherë të parë u ndeshe me diellin
sot i kemi ndërruar rolet
ne qajmë ti qesh
KULLA IME
eh kulla ime
sa herë u dogje
dhe u ndërtove sërish
u godite me top
u rrënove gjer në themel
oxhaku mbeti pip përpjetë
jetën vazhdova
atje ku miza bren hekur
dhe mësova këngën e re
ZOGU I QYQES
erdhe në jetë
me dashuri të madhe
pesë minuta zgjati romanca
lindja jote qe kob
tash jeton në ankth
pret të ndalet rrebeshi
lakmon diellin
me lot pikturon ylberin
flokët më çohen përpjetë
kur shoh qyqen e mjerë
pjellën e vet e lë n`udhëkryq
e ik e ik nga vetja
SI TA MPOSHT TERRIN
si ta mposht terrin
këtë natë pa hënë
si ta largoj vrerin
medikamentet fals
si ta shuaj etjen
Kroin e Ftoftë e zuri Kulçedra
si ta vras Shpendkeqen
ndjell kob mbi pullaz
është natë
kandili nuk ka vaj
llambën e vajgurit e kam hedhur n`tavan
si ta zbres poshtë këtë natë
kam frikë nga Shekulli i Ri
do të bëhem gaz
është terr
shpirti vuan e gjumi nuk më merr
e thirra time mbesë
të sjellë ujë me kënatë nga Kroi i Ftoftë
Zana u zhduk në errësirën e natës
medet u bëra vrasës
i thirra zjarrfikësit e qytetit tim
të shuajnë zjarrin në damarët e mi
erdhën me ters e sinjale
u kthyen fluturim duke sharë
thanë : ne fikim zjarr e jo tym
thirr astrologë psikologë hoxhallarë
të shkruajnë hajmali të qesin fall
është natë
sytë m`u kanë verbuar
shpirti është trazuar
nuk kam Gjenerator me flakë
të mposht errësirën këtë natë
nuk kam kënatë
të sjell ujë nga Kroi i Ftoftë
Poçarin e vranë katilët
Zjarrfikësit nuk po e kuptojnë gjuhën e zemrës
Kroi i Ushtarit është larg
gurët e tij ende pikojnë gjak
RIKUJTIM MOTESH
e nënshkroi paqen
me gjakun e tehut të shpatës
rrugën për në fund të detit ia ndriçoi flaka
froni e djepi i arit mbetën të zbrazët
Teuta
ku gjendet Tamara
n`Hot a n`Kelmend
e kërkova n`libra
e gjeta n`legjendë
Nora
dy emra kishte
dy kobure ngjiste
me dy gërsheta nën plis
lidhi librin e historisë
Shota
eca vijës gjakut grykës nëpër Drenicë
të gjej Altarin ku flijoheshin Hyjnitë
një rrasë e kuqe ende nxirrte avull
aty u flijua Nusja bashkë me Dhëndrrin
Xheva
LEGJENDA
një ditë prilli kur çelin lulet
u nisa drejt bjeshkës
të pi ujë t`Currit
të dëgjoj këngën e bilbilit
eca nëpër prush
nga shkrumbi e mësova legjendën
dikur një piroman i përzuri shpendët
ia dha zjarrin Zabelit
shqiponja me një zog nuk e lëshoi çerdhen
e pashë një varr në qiell
një skelet bënte dritë ngrohte si diell
i mora syrin ia vura në maje Ante-nës
puplën e kuqe ia vura kapelës
me dy krerët zbukurova xhaketën
VARKA E NOES
re të zeza shtëllunga-shtëllunga
mynxyra të nxira si futa terri i zi çerep
në pikë të ditës ka rënë muzgu
është shkrirë bora e kuqe nga bjeshka
lumenjtë kanë dalë nga shtrati
oqeanit deti po i tepron
po vjen drejt nesh stuhia
dua t` iki po s`di nga t`ia mbaj
si të eci me një të vdekur-barrë
ku të bëj varrin tim në qiell a oqean
ku të marr një grusht dhe ta hedh mbi të
si nëpër ëndërr u nisa zhagas drejt bjeshkës
kam një parandjenjë të keqe
por po më mbanë shpresa
se do të dalë Ylberi
a do të lindë nga perëndimi Dielli
shqipja mike t`më çojë mbi re
medet Ylberin e ka marrë Zana
Hëna e ka eklipsuar Diellin
Shqipes iu kishin tharë krahët
kur e pashë me sy kiametin
mendova se do të bëhem ushqim për peshq
Varka e Noes doli në breg
-Eja baba dëgjova një zë si n`ankth
eja tha : merri edhe 60 vetë
eja mos lyp shpjegim
jam biri yt që vjet më mbështolle
me flamur qefin
NËNA
nëna ime e dashur
t`kanë lodhur dertet
t`u kanë lënduar gishtat
duke arnuar shekujt
po t`i shoh duart e bardha
që lanë këmisha me gjak
po t`i shoh edhe sytë e shqetësuar
hapur në drejtim të portës
rrudhat e pleqërisë
po ta shtojnë madhështinë
kurrë nuk m`gjykove e name
ndonëse ta hëngra mushkërinë
ma bën hallall
se t`kam bezdisur
s`kishe bukë për t`më dhënë
unë të lypja tambël zogu
FENIKSI
n` Unter Grupenbah tërmet
Janarin e mbuloi ploja
akull e zjarr në zemrat tona
borën e bardhë e shkriu flaka
në zjarr iu dogj kënga Bilbilit
qyqja këndon n`mjedis t`dimrit
edhe Allamani ra në kurthë
çka lëshoi plumbi dogji zjarri
mantilbardhë vetë satani
furrë krematoriumi
hiri u bë urë
Feniksi fluturoi mbi lumë
kthjelloi qiellin e mërrolur
çliroi Diellin e lodhur
luleve ua ktheu aromën
Feniksin që solli dritë e diell
shpata e Demokleut e ndau n`dysh
gjysma n`tokë e gjysma n`qiell
NDARJA
jetonim në ishullin e lumturisë
unë si pëllumb Eva si flutur
nuk hanim as pinim
s`është zakon për engjëj
si mallkim në ishull erdhe ti Satana
me dekret fals
surratin e kishe të njeriut
në shpirt tradhtinë mashtrimin
shportën e kishe plot
me mollë e lëng trëndafili
Evën e pushtoi lakmia
Mollën e Kuqe e hëngri me apetit
mua më mbeti në fyt
i pashmangshëm qe ndëshkimi
hëngrëm Mollën e sherrit
njëri tek lind dielli
tjetri tek perëndon