| E shtune, 09.07.2011, 06:59 PM |
Thembra e Akilit të demokracisë shqiptare
Nga Dorian Koçi
Në raportin e fundit të publikuar nga Transperancy International, zbatimi i ligjit në Shqipëri ishte në masën 66%. Raporti bënte të ditur gjithashtu se Shqipëria krahasuar me raportin e një viti më parë kishte pasur ngritje përsa i përket zbatueshmërisë së ligjeve por nuk nënvizonte me hollësi fushat në të cilat zbatimi i ligjit është më problematik. Gjithsesi edhe pse raporti mund të mos i nënvizonte këto fusha problematike nuk është e vështirë që të hamendësosh se cilat mund të jenë ato. Duke hedhur një vështrim të shpejtë në çështjet gjyqësore që kërkohen të shqyrtohen nga qytetarët shqiptarë në gjykatën e Strasburgut, mund të vëresh lehtë se ato në të shumtën e rasteve janë çështje pronësie dhe penale që kanë të bëjnë me shkelje të së drejtave të qytetarëve shqiptarë në raport me drejtësinë shqiptare. Sigurisht që evidentimi i fushave përkatëse është i rëndësishëm përsa i përket dhe masave që mund të merren për përmirësimin e situatës, në fakt në perceptimin e thjeshtë të gjërave është e vështirë që të arrish në një përfundim të qartë se çfarë i mungon me të vërtetë drejtësisë shqiptare. Kështu p.sh kur themi shifrën 66% të vjen ndërmend njëherë që nga përmasat sasiore mund të jenë se 66% e çështjeve gjyqësore që gjykohen drejtë në Shqipëri dhe në këtë rast shifra e 34 % që gjykohet keq tingëllon e frikshme pasi shumë lehtë mund të evindetosh se kjo përbën një shkelje flagrante të së drejtave të njeriut. Por jo, mbani frymën. Gjendja nuk është aq keq. Sigurisht që zbatueshmëria e ligjit nuk matet nga ana sasiore në raporte të tilla, por nga ana cilësore e tij që do të thotë që vetëm 66% e vendimeve gjyqësore zbatohen kurse pjesa e mbetur zvarritet për të mos u zbatuar. Por a nuk është kjo 34% një shifër alarmuese? A mund ta bëjmë gjumin të qetë se drejtësia si garantuese e lirive tona individuale po funksionon mirë në Shqipëri?
Pyetjet besoj se janë retorike. Nuk do shkencë të madhe të kuptosh se në krahasim me vendet e tjera të rajonit, vazhdojmë të mbetemi problematik dhe të mbajmë vendin e parë për sjellje që ndoshta paraardhësve tanë do tu vinte rëndë. Thashë paraardhësve tanë? Por a nuk dëgjon lartë e poshtë se sjellja jonë përkundrejt ligjit është si rezultat i së shkuarës sonë. Me pak fjalë opinioni i përhapur gjithandej është se Shqipëria duke mos ardhur nga një traditë e fortë shtetformuese ka vështirësi në zbatimin e ligjit, prandaj do të duhet kohë që zbatimi i tij të kthehet në një edukatë të vërtetë qytetare. Bukur, me këtë justifikim të gjithë besoj se mbeten të kënaqur. Drejtësia shqiptare në radhë të parë që do të vazhdojë të funksionojë ashtu si ka funksionuar, partnerët ndërkombëtarë që në rekomandimet e tyre do të duhet të kuptojnë kushtet specifike të Shqipërisë, kështu që mund të shkelin njërin sy a ndoshta dhe të dy nëse drejtësia nuk zbatohet, rëndësi ka besoj stabiliteti i vendit që do prodhojë në mos sot, ndoshta pas 10 vjetësh e ndoshta dhe më shumë se 10 vjet, demokraci të vërtetë legjislative dhe organizatat jo qeveritare që do të duhet të marrin projekte shumë vjeçare për të krijuar kulturën e duhur ligj zbatuese. Një moment! Këtu harruam sërish qytetarin, për të cilin besoj se është ngritur i gjithë sistemi i drejtësisë për ti shërbyer. Ekuacioni për fat të keq të atyre që duan ta besojnë e gjërat janë kështu nuk del. Masa 34% mos zbatim ligji është shumë madhe dhe me efekte të drejtë për së drejta në jetën e qytetarëve kështu që do tu duhet të kthehen nga e para në arsyetimet e tyre. Dhe aty ku do të kthehen në për të zbuluar rrënjë të tjera problemi të mos funksionimit të drejtësisë në Shqipëri nëse lexojnë pak histori do të shikojnë se udhëtarët anglezë të shekullit të XIX kur vizitonin pashanë karizmatik të Janinës, Ali Pasha Tepelenën, nuk flasin për moszbatueshmëri ligji nga shqiptarët, madje ndonjëri prej tyre shkruan se “e ndjen veten më të sigurtë në rrugët e Janinës se në Londër”. Po kështu studiuesit që merren me figurën e mbretit Zog, mund ti numërojnë disa cilësi negative por asnjëherë nuk e bëjnë problematik mbretërinë e tij për mos zbatueshmëri ligji. Atëherë ku e gjetën edukatën e ulët ligjore të shqiptarëve? Ndoshta e kanë parë në ëndërr dhe mundohen ta shesin për të vërtetë. Apo ndoshta ia kanë marrë dorën nga regjimi i kaluar që kur u kujtoje gjyqtarëve të kohës teknikën legjislative, meqenëse akte të tyre ligjorë binin në kundërshtim më ligjin, ata thërrisnin egër po pse vendimi i partisë do të gjykohet nga procedurat? Dhe kështu zbatonin vendimet e partisë-shtet duke shkelur brutalisht të drejtat e qytetarëve shqiptarë që në atë ishull stalinizmi që ishte Shqipëria nuk kishin se ku mund të ankoheshin.
Kohët për fat të mirë kanë ndryshuar, njerëzit gëzojnë të gjitha drejtat politike dhe individuale por drejtësia shqiptare edhe pse nuk është më abuzive ndaj të drejtave politike të qytetarëve shqiptarë si në të kaluarën është abuzive ndaj lirive të tjera po aq të ndjeshme si është ajo e pronës. Sot , pas njëzet vjetësh tranzicioni , Shqipëria mund të jetë nga të vetmet vende në ish-Evropën Lindore që ende nuk e ka zgjidhur drejt këtë problem dhe akoma më keq në disa raste me ndihmën e drejtësisë është bërë dhe tjetërsim pronash si ka evidentuar me të drejtë Gjykata e Strasburgut. Vullneti politik i përcaktuar ndonjëherë dhe nga qarqe të ndryshme dhe të dyshimta ekonomike ka përcaktuar dhe perfomancën e drejtësisë shqiptare, çka e ka bërë atë në perceptimin popullor një nga aspektet më negative të elementëve të qeverisjes. Një poet bejtexhi shqiptar në shekullin e XVIII, Hasan Zyko Kamberi kas shkruar se “Kadiut,(gjyqtarit) t’i rrëfesh paranë/Ters e vërtit sheriat(ligjin)/Për para se ç’e shet t’anë/Ja di kimenë parasë...”. Mesa duket diçka ka ditur, diçka ka ndjerë që e ka bërë ta shkruajë këtë bejte. Mirëpo për fat të mirë Shqipëria s’është më në shekullin e XVIII dhe as më pjesë e Perandorisë Otomane, kështu që nëse me vërtetë dëshiron që ta fitojë betejën me të ardhmen duhet ta fillojë nga reformimi i drejtësisë-thembra e Akilit të demokracisë shqiptare.