| E premte, 08.07.2011, 09:03 PM |
Prishësit e këngës
Nga Timo Mërkuri
Nje ditë, ndërsa shikoja TVSH tek po jipte një program të Asamblit Shtetëror të Këngëve e Valleve s’di pse vëmëndjen time e tërhoqi në veçanti kënga ‘’Shqipe katër vilajete’’.Kjo ndoshta edhe nga fakti që për këtë këngë kisha shkruar diçka në librin tim ‘’Madhëria e saj-kënga iso-polifonike’’,bile me një grup shokësh edhe patëm debatuar për këtë këngë,për autorin e mundshëm dhe variantet e saj jo të pakta.
1- Problemi i motërzimeve të këngëve popullore është tëpër i njohur dhe i pranueshëm, por varianti që po këndonte grupi i Asamblit Shtetëror, i kënduar vite më parë edhe nga grupi i fshatit Dukat, gjithsesi ishte i pa pranueshëm.Nuk e kam fjalën për faktin se qe një variant i përpunuar i kësaj kënge aqë të njohur. Edhe e përpunuar melodia qe magjike dhe të mbushte me krenarinë e të qënit shqiptar. Edhe interpretimi i artistëve qe i admirueshëm.
Problemi qëndronte pikërisht te teksti i kësaj kënge, që s’di se kush e ka ndryshuar i pari, gjasme për ta bërë me hierëndë a për ti dhënë më tepër kolor , për të cilën ajo, kënga, s’ka dhe aqë shumë nevojë.
2- Fillonte kënga e grupit me vargjet;Shqipëri tre vilajete.
Që këtu fillonte edhe gabimi. Realisht në ndarjen administrative turke Shqipëria përbëhej nga katër vilajete të cilat qenë;1-Vilajeti i Janinës,2-Vilajeti i Manastirit, 3-Vilajeti i Shkodrës dhe 4-Vilajeti i Kosovës. Atëherë kush e ka hequr një vilajet dhe cilin ka hequr, me ç’të drejtë e ka hequr xhanëm. Aqë më tepër që populli vetë në këtë këngë përmënd pikërisht katër vilajete kur këndon ;Shqipe katër vilajete. Si ta marim këtë, si rastësi apoi si një mosnjohje të historisë.
Vargjet e tjera;
Në mes të krajlëve mbete
Gjithkush të kërkon për vete
I thonë sulltanit jepe. nuk kanë ndonjë ndryshim.
Por ja që ‘’novacionet’’ dhe ‘’novatorët’’ paskan ditën e tyre edhe tek kjo këngë, sepse menjëherë pas vargut ;’’I thonë sulltanit jepe’’,vargu që vjen realisht është; -E jap,por duan më vete.
3- Por grupi i Asamblit Shtetëror e këndon ndryshe edhe këtë varg duke e ndryshuar në ;-Se jap.E dua për vete, duke futur më pas vargun kompromentues;E dua për dit të keqe’’.
Le të arsyetojmë pak. Në vitin 1912 kur luftohej për mëvetësinë e Shqipërisë në fushën dipllomatike, pas qindra vitesh luftrash të përgjakëshme, askush nuk e pyeste më Turqinë, të cilës i kishin rënë brekët në fund të këmbëve dhe nuk po gjënte dot ushkur t’i lidhte së paku, që mos ti binin, e jo më të mbante lidhur pas vetes Shqipërine e Shqipëtarët. Këtë e dinte dhe e ndjente edhe poeti popullor ndaj në gojën e sulltanit vë përgjigjen ;E jap,por duan më vete.
Shiko si e trajton poeti popullor problemin; Sulltanit i thonë ta japë Shqipërinë, pra të rijë urtë e mos të bëjë zhurmë se do ‘’hajë dru’’ po bëri naze. Dhe sulltani përgjigjet urtë e bute ; E jap.S’ju pengoj unë ore. Aman, më leni në punën e pronën time. Sa i urtë qënka bërë ky sulltan. Sikur s’është nga ata që betoheshin të lidhnin kalin te porta e Shën Pjetrit në Vatikan. Bile sikur s’ka të bëjë fare me ata.
Kjo përgjigje tingëllon edhe si një justifikim për mos angazhimin e madh të Turqisë në zbatimin e marveshjeve të shteteve evropiane për njohjen e mëvetësisë së shteteve që shkëputeshin prej saj, por edhe si një paralajmërim që u bën Turqia shteteve të Evropës dhe sidomos fqinjëve, për karakterin e shqipëtarëve, të cilët duan domosdo mëvetësinë dhe jo ndonjë bashkim me ndonjë shtet fqinj, që ëndëronte fshirjen e Shqipërisë nga harta e Ballkanit. Dhe këtë Turqia e dinte shumë mirë se e kishte provuar në ‘’kurizin’’ e saj.
Duke njohur agoninë që po kalonte ‘’i sëmuri i Bosforit’’, poeti popullor s’mund të vinte në gojën e sulltanit vargun arogant;Nuk e jap .E kam për vete.
Dhe aqë më tepër ta vazhdonte me vargun kompromentues;Më duhen për ditë të keqe.
4- Se sa i ka dashur sulltani Shqiptarët, dëshmojnë masakrat e betejave dhe pas betejave. Se sa e kanë dashur Shqiptarët sulltanin dëshmojnë’’Treqint kryengritje/në katërqint vjet/
Është tjetër punë pse shumë Shqiptarë, falë zotësisë së tyre, nga fëmijë të rëmbyer për jeniçerë u bënë pashallarë që drejtonin e komandonin. Po sa gjak u derdh në këtë rrugë. Dhë mbi këtë gjak nuk mund të ngriheshin këngë lavdërimi për sulltanin , gjasme si një baba i mire, që s’i lë djemtë e tij të vegjël t’ja marin bota etj etj..
Këtë varg se ka ngritur poeti popullor dhe këto vargje stonojnë në tërësinë krenare të këngës.
Sado bukur ta interpretojnë artistët e Asamblit Shtetëror,ajo stonon në veshin e popullit.Ajo duket si një thirje e haruar ‘’Dum babën’’.
E po, vetëm për babën, sulltanin e sulltanatin s’na ka marë malli, ndaj mos na e kujtoni.
Por ky tip novacioni vijon edhe më tejë.Të gjithë e kemi dëgjuar këngën e bukur ‘’Te rrapi në Mashkullorë’’ që me aqë shpirt këndohet nga këngëtarja e mirënjohur Irini Qirjako. Jo vetëm e kemi dëgjuar por edhe e kemi kënduar nëpër dasma e festime të ndryshme Ndoshta e kemi ngritur pak më tepër zërin te vargjet’’Të vran’ o bimbash të vranë/Çeçua me Hito labnë’’ dhe s’na ka shkuar nëpër mënd se sa gabim janë këto vargje te kjo këngë.Jo se nuk u vra bimbashi në Gjirokastër, por se bimbashin nuk e vrau Çerçizi. Atëherë pse duhet të përmëndet Çerçiz Topulli si atentator i bimbashit, kur ai nuk është i tillë. Vërtet që Çerçizi ishte komandant i çetës, ai e projektoi dhe e zbatoi planin e atentatit ndaj bimbashit, ai i instruktoi dhe udhëzoi atentatorët,ai mbështeti tërheqjen e tyre pas atentatit, ai drejtoi luftën e mëpastajme me garnizonin turk që u vu në ndjekje të tyre etj etj.Trimëritë e tij janë të shumta dhe e vlejnë tu këndohet këngë, por ama vetëm bimbashin nuk e vrau ai.J o se nuk donte apo u shmang, por se antarët e çetës e hodhën në short se kujt do ti takonte lavdia e vrasjes së bimbashit.
Që do vritej nuk diskutohej më, por edhe të gjithë s’mund të venin ta vrisnin, ashtu turmë e zemëruar. Një ose dy do qëllonin mbi bimbashin, të tjerët do ti mbështesnin atentatorët. Dhe kështu ndodhi vërtet. Shorti për të kryer atentatin u ra Bajram Ligut ose siç njihej me emrin e fshatit Bajram Prongjia dhe Hito Lekdushit ose siç njihet nga kënga Hito Labi. Të dy qëlluan mbi bimbashin dhe mbi shoqëruesit e tij.(Ka zëra që thonë se realisht mbi bimbashin qëlloi vetëm Bajram Ligu ndërsa Hito Lekdushi qëlloi rojet që e shoqëronin.Por tashmë ne s’mund ta vërtetojmë këtë)Të dy rezikuan dhe fituan.
Hito Lekdushi paskësh qënë më me fat sepse kënga e përmënd kur thotë... me Hito labnë, por pse është haruar Bajram Ligu dhe ç’kërkon Çerçizi te vrasja e bimbashit, ende s’është marë vesh. Nuk besoj se Bajrami do kishte ndonjë ‘’cen në biografi’’. Po ashtu nuk besoj se Çerçizit do ti pëlqente kjo shmangie e shokut të armëve nga lavdia e merituar, duke e hedhur atë në haresë, dhe aqë më tepër që kjo lavdi ti vishej atij. Portreti i Çerçizit, që njohim nga bashkëkohësit dhe bashkëluftëtarët e tij është krejt ndryshe nga ai i një përvehtësuesi të meritave të shokëve. Nuk do humbiste asgjë kënga në qoftë se do këndohej...Të vran o bimbash të vranë/Bajrami me Hito labnë.
Mandje ne besojmë se në këtë mënyrë do ketë qënë varianti origjinal i kënëgs së mësipërme, ose sëpaku, i tillë. Sepse populli kur këndon i pasqyron realisht ndodhitë, trimëritë apo edhe tradhëtitë. Shtrëmbërimet e këngëve, qoftë si tekst apo si melodi, apo edhe veshja e melodisë të një kënge ndonjë kënge tjetër(thua se meloditë janë si vellot e nuseve që një herë e një kohë e vishnin të gjitha vajzat e fshatit që martoheshin, se vetëm një ose dy vello qenë në gjithë krahinën) pra këto lloj marifetesh janë vepra jo të popullit, por të atij që kërkon ti imponohet popullit.Dhe që në një farë mënyre ja ariti qëllimit. Dhe këtë për faktin e thjeshtë se populli donte ta këndonte me doemos këngën e Çerçizit,qoftë edhe me ndonjë ndryshim, qoftë edhe me ndonjë sakrifikim.
Në fakt as Bajrami e as Çerçizi se kishin mëndjen te kënga që do t’u këndohej se ata kishin të tjera halle. Por ne që si kemi ato halle që kishin ata,ne pra na duhet ti vëmë në vendin e tyre ca gjëra.
Se po të jetë fjala për “cene” në biografinë e pasvdekjes së tyre, te pasardhësit është fjala, dalin probleme të tjera.Se vërtet që një pasardhës i Bajramit e “prishi pakëz biografinë” me një përzierje me Ballin Kombëtar gjatë luftës, por edhe një nga njerzit e Çerçiz Topullit u reshtua në radhët e Ballit Kombëtar. Po të shihet me këtë këndvështrim, atëhere na del që ndryshimi është bërë me porosi “politike”.
Por ama vlen të sqarojmë edhe diçka tjetër; Çerçiz Topulli ishte me origjinë nga Suli dhe mbiemrin e parë e kishte patur Mavromati, dmth syziu. Kur erdhën në Gjirokastër dhe u shtua familja e Syzinjve (Mavromatajt) ndodhi edhe ndarja e familjes në tre degë, në Mavromataj(në Gjirokastër ska të tillë) në Karagjozaj, fis i famshëm intelektualësh të dëgjuar(Karagjozi do të thotë Syziu) dhe në Topullaraj. Mbiemri Topullaraj ka kuptimin e numëroreve të topit, që do të thotë se janë shumë.
Vërtet në atë kohë që u krijua dega e Topullarajve, në Kalanë e Gjirokastrës vendoseshin topat e turkut dh banoret shikonin numërorët(ushtarët që i shërbenin ) e shumtë të topit dhe nga kjo lindi mbiemri Topullaraj,dmth të shumtët që i shërbenin topit. Kjo për faktin se familja kishte shumë fëmijë. Ne dimë luftërat e shumta të Çerçiz Topullit por një luftë nuk e dimë.Ne nuk dimë betejën ku u vra Çerçiz Topulli dhe Muço Qulli nga malazestë në Shkodër. Dhe kjo mbahet e fshetë me kaqë xhelozi sa që të lindin shumë pyetje. Por çdo lloj sqarimi nuk do ta dëmtonte figurën e këtij heroi. Aqë më tepër rishikimi dhe rivendosja në vënd e vargut të këngës.
Me që ra fjala , po ju rikujtoj se edhe kënga e Selam Musait ka disa probleme. Realisht Selam Salaria u hodh mbi top dhe nga topi fluturoi në këngë. Por mbi top nuk u hodh vetëm, por bashkë me një djalë nga Nivica. Dhe bashkluftëtarët e tij e populli mbarë i këndoi;
U nise nga Drashovica
Lule Selam labi lule
Me nja treqint djem komita
Zbrite poshte nga Babica
E zure topin nga grika
Me një djalë nga Nivica.
Po ja që ky djalë nga Nivica, nga dikush është hequr nga kënga,duke e lënë Selam Musa Salarinë të vetëm përballë topit italian si dhe përballë topave të shpifjeve dhe denigrimeve të mëvonëshme nga disa që e retushojnë historinë.
Ata që s’e njohin mirë historinë e Selam Musait le të dinë se ai nuk qe një ‘’puntor guroreje’’ që u nis rastësisht për në Drashovicë. Ai qe një luftëtar i disa dhjetra betejave, nga të cilat kishte dalur me këngë. Dhe me që erdhëm në këtë pikë po ju citoj një këngë për Selam Musain që thotë;
Kush u hodh proto në lumë
Selam Musai me gunë
Në Hundkuq vuri hudunë
Në Hundkuq vuri graminë
Tek ja dha me sokëllimë
Djem do vemi në Janinë
Dhe me qëllim që ndonjë ‘’novator’’ të mos na thotë nesër se ‘’Selami vate në Janinë për të zënë peshk në liqen, që të shoqëronte rakinë në Drashovicë’’,
ju sqarojmë se pasi i vuri kufirin(graminë) te ‘’thana’’ ushtrisë turke në betejen e Hundëkuqit u nis për në Janinë duke kënduarë këngët e famëshme;
Janinë çerek Stambolli
Dil moj të mbuloftë gjoli
Se tu afrua sinori
Dhe me këtë këngë në gojë u hodh drejt e në frontin e Bezhanit ku ai u plagos në të dy këmbët.Dhe për këtë betejë kënga thotë;
Ç’ka që qan bimbashi ynë
Qan për ixhixhi hordhinë
Në Bezhan ja pren,ja grinë
O Bezhan përmbi Janinë
Treqint topa,një të shtirë
Vijnë gjyletë zinxhirë
Në këtë betejë Selam Musait i vjen lajmi se në Vlorë u shpall pavarësia, dhe ai , donëse i plagosur në dy këmbë, duke ju drejtuar luftëtarëve shqiptarë me sokëllimë triumfi thotë;-Sihariq o shqipëtarë.Shqipëria u bë.
Dhe pas këtyre fjalëve shkrehu në ajër të dy koburet e tij.
Kujt i intereson denigrimi i figurave të tilla heroike, duhet të gjejë të tjera mjete e mënyra sepse kënga e popullit nuk i pranon retushimet e redaktimet e tilla.Zyrtarisht mbase u hoq nga teksti i këngës ai ‘’djali nga Nivica’’, por ai nuk u hoq kurrë nga kënga popullore, dhe për të këndohej kudo në labëri. Dhe për Selam Salarinë do këndohet gjithmon sa të egzistojë kënga popullore, pavarësisht se dikujt s’do t’i pëlqejë.
5-U nisa ti shkruaj këto radhë jo vetëm për këto tri raste ,por shohim shpesh që disa artistë apo të vetëquajtur artistë ja lëshojnë frerët fantazisë nëpër këngët e popullit, meloditë e këngëve popullore apo ritmet e valleve popullore, si të jenë në mall pa zot.
6-Hiq një varg e shto dy vargje,hiq një notë e shto një varg notash, ndrysho një kërcim valltari e shto tri tundje shamie. Të kuptojmë një gjë. Në këngët e popullit, në valleet e tij, asgjë nuk është e tepërt, dhe asgjë nuk ka lënë mangët që të heqim a të shtojmë ne për festivale e konkurse në lagje apo në fshat. Apo edhe ne rang kombëtar.
Mund të krijohet momentalisht bindja e ndonjë ‘’novacioni’’, ecje përpara e traditës etj etj. Mundet që dhe ndonjë ndërhyrje të ketë edhe ndonjë sukses, por gjithsesi këto novacione janë thjeshtë prishje e këngës.
Këta ‘’novatorë ‘’ s’janë gjë tjetër veçse prishësit e këngës.
Në qoftë se s’bëjnë dot gjë tjetër, vetëm këngët e vallet e popullit të mos na i ngasin .Ato janë të shënjta. Dhe në vendet e shënjta shërbesat i bëjnë vetëm njerëzit që shërbejnë aty, jo ata që vijnë e falen apo rëfehen për mëkatet e bëra dhe luten për shpëtimin e shpirtit.
7- Për keta s’mund të themi ‘’Fali zot se s’dinë se ç’bëjnë’’. Sepse mëndoj se e dinë mirë se ç’bëjnë, por s’na duhet fare, bile na dëmton ajo që bëjnë. Prandaj nuk duhet t’i lëmë të bëjnë këto ndërhyrje e ndryshime në artin e popullit,dhe jo më që tu bëhet strehë dhe Asambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve.