| E merkure, 06.07.2011, 07:59 PM |
Çka do të thonë tani ata që ishin kundër bisedimeve me Serbinë?
Nga Halit Bogaj
Gjatë kohës kur filluan bisedimet me Serbinë, kishte të tillë që ishin kundër, pa u shkuar fare mendja se çfarë dëmesh ndërkombëtare i shkaktonin vendit tonë.Disa prej tyre shkonin aq larg sa që thonin se‘’delegacioni ynë duhej të tërhiqej fare nga ato bisedime të sponsoruara dhe të mbikqyrura pikërisht nga ata që e kanë çliruar dhe ndihmuar këtë vend që të vinte deri këtu. Ata flisnin pa i bluar fare fjalët e tyre dhe na i kujtonin edhe ata që ishin kundër bisedimeve të Rambujesë dhe atyre të Vienës. Deputetët e dy partive opozitare shkonin edhe deri atje ku nuk shkohej fare, se kinse pozita e paska shitur Veriun e vendit! Kjo ishte një akuzë shumë fyese dhe radikale të cilin nuk guxonin ta bënin në asnjë mënyrë. Të gjithë e dijnë (ata që marrin pak vesh në politikë) se Kosova nuk mund të ndahet, jo pse mund ta ndalojmë ne ndarjen e saj, por që e ka ndaluar ai i cili na ka sjellur deri në pozicionin që të jemi në gjendje të filozofojmë dhe ti shesim mendë edhe atij, përkatësisht atyre. Skeptikët e bisedimeve me Serbinë si duket i kishin harruar ose kishin dashur t’i harronin tri parimet kryesore ‘’në bazë të të cilave është krijuar pavarsia e Kosovës’’,duke i ofenduar edhe miqtë kryesor të këtij vendi. Kur filluan bisedimet, nga të gjitha kryeqendrat e diplomacive euro-perëndimore vinin deklarata urimi, kurse këta tanët (si për inat të miqve tanë) thonin se Kosova duhet të tërhiqet nga bisedimet deri sa Serbia ta pranojë pavarsinë e Kosovës! Atyre nuk u shkonte mendja se Serbia në mënyrë indirekte e ka pranuar pavarsinë e Kosovës pikërisht at ditë kur është aprovuar rezoluta në OKB, ku Jeremiq si i çmendur, dëshironte që të largohej delegacioni ynë qeveritar nga selia e OKB-së. Mendonte i shkreti se ishte në ndonjë bashkësi lokale të Serbisë! Disa kundërshtarë të bisedimeve, si duket edhe të painformuar sa duhet në rrjedhat e gjërave, do të duhej t’i gëzoheshin atij fakti që delegacioni ynë (faktikisht shtetëror) ua kishte bërçë 8 me 2 serbëve të lazdruar aq shumë nga nëna e tyre Rusia, e cila, përveç zhurmës ,nuk po mundet t’u ndihmojë në asnjë mënyrë. Deputetëve tanë nihilistë për bisedime do t’u duhej t’u shkonte pak mendja se ato janë të udhëhequra nga një euro-perëndimor i cili u rri mbi kokë dy delegacioneve për t’iu treguar atyre se përse kanë shkuar atje, natyrisht për t’i zhvilluar vetëm bisedimet teknike, pa i prekur fare ato statusore të cilat janë kryer njëherë e përgjithmonë me rastin e pranimit të kufijve të Kosovës nga shtetet më të fuqishme të botës. Çka do të thonë skeptikët e tillë të cilëve nuk po i’u del ashtu siç e kishin menduar! Natyrisht se nuk do të thonë asgjë, ashtu siç nuk patën thënë disa të tjerë që mbanin protesta të mëdha përpara Teatrit kombëtar kundër bisedimeve të Vienës, bile kishte edhe të tillë që pa asnjë turp i thonin kryeadministratorit të Kosovës se Rugova duhet ta blejë një biletë pa kthim në mënyrë që të merrte azil në Europë! Ja pra se çka ishin në gjendje të bënin patriotë të tillë të cilët donin ta debonin presidentin e vendit nga Kosova. Njerëzit e tillë na i ‘’rrotullonin zorrët në bark’’. Por këta të sotmit prapë do të thonë se Serbia nuk e pranoi Kosovën, duke mos u shkuar fare mendja, se në mënyrë indirekte,e kanë bërë pikërisht atë. Me këtë shkrim mbase e zgjata pak më tepër, por desha të tregoja se sa lehtë flasin disa nga deputetët tanë, pa dhënë fare përgjegjësi për deklarimet e tyre publike, duke e marrë rrogën nga taksapaguesit kosovarë, të cilët kinse po i mbrojnë në debatet e tyre të shpeshta. Ne e dimë se do të kalojë një kohë e gjatë gjersa Serbia ta pranojë gojarisht Pavarsinë e Kosovës, por gjithashtu e dinë edhe ata vetë se pas bisedimeve të zhvilluara dhe arritjes së tri marrëveshjeve të para, kanë filluar ta pranojnë Pavarsinë e vendit tonë. Këtë po e thonë edhe në Serbi, sidomos opozita e saj, duke e theksuar edhe televizioni shtetëror ‘’si një arritje e dobishme edhe për vetë Serbinë’’, ani pse Oliver Ivanoviq vazhdon të krekoset kinse Serbia ka biseduar me EULEX-in.