Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shefik Shkodra: Ruaju nga tërbimet

| E marte, 05.07.2011, 07:58 PM |


RUAJU NGA TËRBIMET

 

(Errare declinationes*)

 

NGA SHEFIK SHKODRA

 

[Shikoni, këto fjalë do të duhej t’i lexojnë më shumë ata që u ka bë çerdhe ‘miza pas veshit’.      1. Personazhi që merret me servilizëm e vasalitet i dëmton të tjerët. Avazin e vazhdon. 2. E më i rrezikshëm është ai që e mban dhe e ndihmon këtë të parin. Dramatizimi bëhet edhe më i zhurmshëm, kur financimi bëhet nga mjetet shoqërore. Doza e sëmundjes sado e vogël, rritet për infektim me përmasa më të gjera. Diçka prej asgjësë që bëhet më e madhe.]

 

Emërore :  Ftigani. Vetmitari. Qeni. Ziliqari. Mumia. Qyqja (qyqani, në gjininë tjetër). Zgori. Neveria. Intelektuali. Sëmundja... zgjatet nga shpikësit e saj.

Gjinore: Infektimet vijnë, jo nga anë të botës, nga sëmundjet... e kokës së tij. E vrasësit për qefin e tij. E rrënimeve të çobanëve të pa edukuar. E tërbimit pa nevojë. E pazargatëve matrapazë. E palaços në një qark. E shkumës... gërdi. E kundërmimit të kakërdhisë së dhisë. E çervishit të pisit, që veç përzien. Dhe, e kurrkush hiçit, kur i merr punët krye në vete.

Dhanore : Dushk e barë, kujtdo qoftë: Intelektualit modest. Intrigantit të çarshisë. Përrqyrranit pa ndjenja. Shpirtkeqit duke u zgërdhi, si në mahi. Dufit të lugatit. Birit dreqit në çdo skutë që ka hy. Shkartit a trupit pa fyshtë. (ai që veç për vete ‘dimrin e bën verë’). 

Kallëzore: (...vjen zëri nga shkretëtira: aty mbetet mjerimi). Korbat e hetojnë së larti kërmën. Turmën e njerëzve e kaplon kllapia – me neverinë për skamjen e shpirtit. ‘Tërbimi më parë e zuri katërkëmbëshin, pastaj dhe dykëmbëshin’. Zërin e hedh Zgori shurdhët:  “– Ua ngjes flamën. Botës ua ndyj fytyrën. Ua errësoj ditën. Ua zë diellin, qiellin, frymën!” E njihni ju Ftiganin, Cjapin e djallit, Frikaçin, Mafiozin, Mumien, a Lugatin...kaq shumë emra (për dje, sot, deri më atë rast – kast!) që ta njohin njerëzia rreth kasabasë së Shatërvanit...? (ai që mësimet e arrogancës unitare përtërinë).

Thirrore: - He-e-ej! Shkoni e hipni në pampurin e tij krejt zi! Jo. Hipni në barkën e tij! O-o-o, barka vetëm me kërmën...! Era e...kundërmuese te shtroja e tij! Edhe qeni! Qeni na ruan ne! – Jo! Ai ruan gramatikën...! Gramatikën e rrenës e të përgojimit, si Gramatika e gomarit – me fonemat: ai, ai-ai-ai; ua-ua-ua-ua-hë-ë-ë-ë-hë-ë-ë...! Vraponi në barkën e Ftiganit milet se mbaruat! Kapuni për fije kashte, para se të vdisni në barkën e përmbytur! Ikni po bëhet kataklizëm! Kataklizmi erdhi! (Mileti s’e dëgjuan zërin. Nga shkretëtira me atë zë Zgori u mundua të shëmbëllej në Shenjtin. Kë-ll-u-u-u-u-më! Ai u zhyt i vetmuar në baltën e ndyrë. Ndoshta, s’e kuptuan librin e tij, medet!) Milet, këndoje uratën! – Amin! Zoti ia lashtë familjen e farefisin të qetë (s’kanë faj), përveç atij që është tërbuar! Amin!

Rrjedhore: (Përemri vetor, veta e tretë njëjës në vetën e parë njëjës): me pika, me presa, me pikë-presa, me pikëpyetje. Ku janë këto shenja? Vaj halli! Ku t’i gjej gomari?! Me modesti u tradhtua bashkudhëtari. Prej mosdije, a dhe ai prej vetëkënaqësie? Ndoshta, pak prej instinktit, i lindur me veti të tilla...ky shkon “te bren miza hekur”. Kush di, ku s’dilet. Po, po ju të nderuar qytetarë, s’keni parë ende libër pa shkronja. Në te kishte gramatikën e vjetër të vetë tellallit (me një diftong, jo më tepër se qeni i Ftiganit). Prej librit të shenjtë kishte krisur si djalli. – A-u-u-u-uh! Tinëzisht mjaullinë. Me nam të madh ka dalë, si macja e zezë natën që lëpinë govatën. Rrapëllimë e teneqeve deri te krevatet natën. Këtu i doli gjumi turmës dhe mori frymë. Fshinë sytë si nga ankthi e filluan të flasin njerëzisht. Ra perdja. Ikën një nga një nga sokaku ku luhej drama – cirk. Edhe regjisori sikur i ngjante qenies së vërtetë. Ecte kokulur, herë si në përgjërime, herë nga smira, duke qeshë me vetveten. Arsyetohet se, ka zgjedhur elita rreth vetes, më në fund s’çan kokën më shumë, le të flasë e le të bërtas kush çka dojë. (Një zë nga bregu i nderit thirri: - lere  Ftigani, le të shkumoj ndër dhëmbë, derisa ta kalojmë urën e njerëzisë!)

 

Nëse dikush është marrë dhe merret me keqpërdorime në shoqërinë tonë, nuk do të duhej që të mos i tregojmë, por s’bën që të bëhemi të gjithë njësoj!

_________________________

*) – Me i gabua rasat e emrit.