| E marte, 05.07.2011, 07:57 PM |
Për një qytet miqësor
Nga Artur Zheji
Tanimë Lulëzim Basha është Kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës. Një sinergji pozitive u mblodh rreth tij dhe përcaktoi largimin e Ramës nga ajo poltronë tanimë e humbur. Nga ana e vet, është e pamohueshme që Rama luftoi si luan në krye të një armate të fortë dhe rezistente, porse një koalicion edhe më i fortë e mundi në një betejë të hapur atë. Por më së shumti Ramën e mundi vetmia që ai mbolli rreth vetes. E mundi mbivlerësimi i vetvetes dhe nënvleftësimi i kundërshtarit. Porse në krye të herës dhe në fund të fundit, Ramën e mundi një ‘Jo’ e qartë që e vendosi Qyteti i Tiranës. Sepse ky Qytet, për mjaft kohë, votues i palodhur i tij, e kuptoi më së miri se Rama tanimë i kish dhënë de facto lamtumirën Qytetit dhe ambiciet e tij politike synonin një poltronë tjetër, të tjerë butonë për të shtypur, tjetër majë komanduese, tjetër amok dhe tjetër libido politike.
Basha pra, me hovin e pandalshëm të një shkëlqimi në rritje, të profilit të tij si politikan, ka kërcyer me këmbët e tij të gjata në kërcim së larti, nga Transportet dhe rruga e Durrës – Kukës, te Politika e Jashtme dhe vizita e parë e një Presidenti amerikan në Tiranë, nga Ministria e Brendshme e vizave të liberalizuara te Bashkia më e madhe në vend. Në kërcimin e tij së larti Basha, atletik dhe elegant, është në një fjalë të vetme, ‘Winner’.
Kjo për sa i përket Lulit, me një intelekt fin, me vullnet të fortë dhe metodist, me këmbë të gjata me muskuj të fortë dhe me erë të mbarë në velierin e karrierës së tij.
Po Tirana? Çfarë pret nga Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës? Natyrshëm që pret zbatimin e programit të deklaruar dhe të premtuar në fushatën e tij elektorale. Një program energjik dhe nëse zbatohet, me tipare rilindëse për Qytetin. Një program që flet (të shohim a bën dot) për një europianizim të thellë të Tiranës, për një rizgjim të periferive të cilat duhet të ndriçohen nga një vëmendje e posaçme, për t’i shndërruar ato në qyteza brenda Qytetit, duke i çliruar së pari nga braktisja.
Basha duhet të ndalojë dorën e një urie mafioze të ndërtuesve, të cilët kanë shqepur këto vite shumë koncesione dhe shumë para, duke shtypur dhe vrarë njerëzoren e Qytetit, duke e betonizuar atë dhe duke burgosur brenda kllapave të betonit qytetarët, si brenda ca qelive të ngushta kubike, pa ajër të mjaftueshëm dhe pa gjelbërim.
Dikur Rama thoshte se Tirana është një qytet ambicioz dhe do të rritej e zhvillohej në lartësi, tiranasit nuk e kuptuan se ku çonte kjo tezë, por më 2011 dhanë respektivisht një ndëshkim me votë, për atë çka kjo tezë na polli.
Sepse Tirana u rrit vërtet në lartësi, por humbi po kaq frymë e frymëmarrje, humbi njerëzoren dhe u shndërrua vetëm në një sipërmarrje me fitime përrallore, mbi parqet e gjelbra, mbi lodrat e pamundura të fëmijëve, mbi pushtimin që betoni na bëri të gjithëve, në çdo cep a kënd të Qytetit, duke na rrethuar, shtypur dhe kërcënuar në çdo hap të jetës sonë urbane. Basha pra, ka përpara vetes një mbretëri çimentoje, që si një përbindësh ka nën kthetrat e veta pothuaj të gjithë qytetin.
A ka apo jo Basha forcën dhe vullnetin ta sfidojë dhe të ftojë e të organizojë në një front të gjerë aleancash, qytetarësh me vizion, fillimisht për ta ndalur e më pas për ta nënshtruar këtë përbindësh?! Ky monstër që është bërë padron arrogant i Qytetit tonë, ka në dorë shumë para dhe influenca, nuk ka skrupuj, moral dhe arsyetim publik. Kjo mafie e ndërtimtarisë betonizuese, shfrytëzuese djallëzore e urisë së shqiptarëve nga e gjithë Shqipëria për një strehim dinjitoz, shndërroi në oportunitet biznesi dhe paraje çdo pëllëmbë të ashtuquajtur të lirë të Qytetit, me ëndrrën për ta shndërruar të gjithë jetën tonë në një procesion të detyruar mbi dhe brenda një platforme të stërmadhe betoni. Kjo mafie është harbute dhe nuk ka as nuancën më të largët të perceptimit të ligjësive urbanistike, është agresive dhe e egër, kapitalet financiare i ka brenda dhe jashtë Shqipërisë, ku dhe ka vendosur rezidencat e veta alternative, kuptohet në qytete njerëzore dhe mrekullisht të ruajtura e të ndërtuara.
Sfida e Bashës, tani fillon nga e para. Sfida e Bashës nuk është më një premtim, por sendërtim aktesh ligji dhe force ligjore, me pasoja jo të vogla për padronët e kësaj Mafie.
Sfida e pritme e Bashës është një Luftë e mirëfilltë, për të ndalur dhe nënshtruar përbindëshin prej çimentoje. Sfida e Bashës është për të mos u tunduar nga rrjeta e gatshme me fije të florinjta dhe shumë fitimprurëse që kjo Mafie shumë e pasur ka në këmbë. Sfida e Bashës është të përballet me dinjitet me ushtrinë e panumërt të mercenarëve dhe rrogëtarëve që kjo organizatë kishte dhe ka akoma. Sfida e Bashës nuk mund të realizohet pa kaluar përmes një lufte, një luftë në emër të Qytetit, një luftë e ligjit dhe ligjeve njerëzore urbanistike, që është në fund të fundit një luftë në emër të paqes.
Pushteti qendror, Qeveria, lipset të hartojë me urgjencë një projekt dhe program kombëtar, mbi një paketë emergjence dhe të posaçme ligjore, për të pajisur me armët e ligjit, forcat pozitive të atyre bashkive dhe komunave, që duan të ndalojnë ndërtimet shkatërruese në të gjithë vendin e sidomos në bregdet, duke i dhënë jetë një projekti bazik të centralizuar, për të ruajtur dhe evidentuar natyrën e rrallë që na ka falur Zoti. Tirana është ndoshta segmenti më i dukshëm dhe më ulëritës i masakrës urbane, por e njëjta sindromë ka shtrirje kapilare në të gjithë Shqipërinë.
Basha pra, duhet të udhëheqë këtë kryqëzatë që kërkon një ekspozim dhe përplasje të fortë frontale dhe vertikale. Ligji dhe ligje të reja duhet të veprojnë me forcë dhe pa tolerancë për të rivendosur autoritetin antikorrupsion në shtabin e përgjithshëm të kësaj beteje, e që quhet Bashkia e Tiranës. Jo për të dënuar njerëz apo, ruajna Zot, për dënime me seleksion politik, por për të zhbërë sa të jetë e mundur më shumë mëkatet e bëra dhe për të ndalur atë mjerim që do të ishte vazhdimësia e së njëjtës skemë, tashmë me koka të reja dhe me fytyra të pakonsumuara.
Që të jetojmë sa më shpejt të jetë e mundur në një qytet miqësor dhe të jetueshëm, duhet më parë të shpallet një luftë, e cila duhet fituar së brendshmi dhe së jashtmi, në terren dhe në koshiencë.
Basha, duhet të ngulë fort në truall këmbët e tija të gjata dhe të mos shkulet nga erërat dhe stuhitë që shumë shpejt do të nisin të fryjnë me shkulme dhe ulërima. Betejat me Mafien mund të fitohen dhe Qyteti t’i kthehet qytetarëve. Në mos Basha, do të mbyllë në mënyrë të palavdishme në Tiranë karrierën e tij politike dhe njerëzore, që premtohet deri më tash, si shkëlqimtare.