| E diele, 03.07.2011, 08:01 PM |
Nga folklori ynë:
MJETET E UDHËTIMIT DERI TEK VENDTAKIMI ME TË DASHURËN – NË KËNGËT TONA POPULLORE
Shkruan : Demir KRASNIQI
Në thesarin aq të begatshëm të folklorit tonë muzikor , ka aq shumë tema interesante , sa njeriu kureshtar që i dëgjon dhe i shijon këto vlera , po të ulej dhe t’i analizonte me kujdes këto vlera , do të mund të shkruante edhe romane për to , madje do të mund edhe të xhironte filma dokumentar të metrazhit të gjatë !
Secila nga këngët tona popullore tradicionale , që është krijuar nëpër dekada e shekuj të kaluar , ngërthen në veti një roman të përjetshëm i cili në mënyrën më besnike dhe më autoktone na e përshkruan dhe rikujton realitetin e asaj kohe ,kur gjeniu krijues popullor e skalitë një ngjarje përmes vargjeve poetike dhe tingujve melodik muzikor .
Nga hambari i thesarit kaq të begatshëm të folklorit tonë muzikor , kësaj radhe e nxora një këngë shumë të vjetër nga lirika e dashurisë , e cila këngë dallon për shumë çka nga këngët tjera të kësaj gjinie . Është kjo një këngë shumë e vjetër qytetare me motive kosovare , që mbanë titullin :”Na ka çu’ Dudia letër”.
Kjo këngë flet për dashurinë e zjarrtë në mes të dy të rinjve , mu në kohët kur rinia shqiptare i bënë hapat e parë drejt shkollimit, arsimimit dhe emancipimit të femrës shqiptare . Kohë kjo , kur të rinjtë e dashuruar për herë të parë në historinë e popullit shqiptar , fillojnë të komunikojnë në mes veti përmes një anonimiteti të fuqishëm përmes letrave , e jo përmes mesitëve , apo ndërmjetësuesve tjerë matrapaz !
Rruga deri tek takimi i dy të rinjve të dashuruar ishte shumë e gjatë, e vështirë , e mundimshme dhe e rrezikshme .
Në kohën kur është krijuar kjo këngë , nuk ka pasur mjete tjera të komunikimit , përveç letrës dhe takimeve të drejtpërdrejta intime dhe të fshehta . Në këtë kohë madje nuk kishte as rrugë të mira për të udhëtuar nëpër terrene të largëta , por as mjete të përsosura udhëtimi të komunikacionit .
Në vargjet e këngës , të cilën e kemi marrë për analizë, gjeniu krijues popullor , përmes vargjeve poetike dhe tingujve shumë artistik melodik , së pari na i përshkruan disa nga qendrat më të mëdha urbane të Kosovës , nëpër të cilat dy të rinjtë e dashuruar jetonin larg njëri – tjetrit dhe kontakti në mes tyre ishte shumë i vështirë , nga se djali i dashuruar marrëzisht në vajzën që quhej Dudie , duhej siguruar mjetet për të udhëtuar larg deri tek vendtakimi me te .
Këtu është shumë interesante përshkrimi i mjeteve të udhëtimit në komunikacion prej një vendi në një vend, apo prej një qyteti në një qytet , ku përmendet së pari qyteti i Prizrenit dhe i vetmi mjet i udhëtimit në atë kohë , që ishte “seremi “.
“Serem “, në atë kohë quhej një qerre me katër rrota , të cilën e tërhiqnin dy kuaj dhe ai shërbente si mjet komunikacioni me të cilin bartnin udhëtarët dhe mallrat e ndryshme me çka përfitonin pronarët e tyre , e që ishin të rrallë dhe kushtonin shumë për të udhëtuar me ta .
Ky mjet i thjeshtë komunikacioni , në atë kohë konsiderohej si një e arritur e madhe në komunikacion , andaj të gjithë ata që kishin mundësi që të udhëtonin me “serem”, konsideroheshin si “njerëz të pasur” dhe “zotërinj”.
Duke u nisur nga ky mentalitet i krijuar i asaj kohe , vajza e dashuruar – Dudia, e thërret përmes letrës , të dashurin e vet për t’u takuar në qytetin e Prizrenit, por që përmes letrës e lutë të dashurin që të mos udhëtojë këmbë, por le të vjen me “serem”, nga se ajo ka dëshirë që shoqet e saj t’ia shohin të dashurin se si po udhëton me “serem” dhe që ai është një njeri i pasur dhe zotërinj !
Në vargjet e strofës së dytë të kësaj kënge, vajza e dashuruar – Dudia , do ta përzgjedh për vendtakim qytetin e Gjilanit, ku do t’i shkruaj të dashurit të saj me lutje që në Gjilan të vijë me “pajtan”, nga se dëshiron që ta shohin shoqet e saj se i dashuri i saj është njeri i pasur dhe zotërinj .
“Pajtani” ishte një qerre pak sa më e avancuar se sa “seremi”, nga se “pajtani “ ishte pak më komod , nuk kishte rrota të hekurta, por të gomës, nuk rrapëllinte shumë nëpër gropa dhe atë e tërhiqte vetëm një kali i ruajtur dhe i zbukuruar mirë .
Në atë kohë, me “pajtan” udhëtonin vetëm pasanikët e mëdhenj, zotërinjtë, kryetarët e rretheve dhe merreshin nuset me ta nëpër dasma të zotërinjve .
Në vargjet e strofës së tretë të kësaj kënge , gjeniu krijues anonim popullor, na e përshkruan një avancim në mjetet e udhëtimit në komunikacion , që atë botë llogaritej si një e arritur marramendëse tek populli. Ky mjet udhëtimi quhej biçikleta , apo siç i thoshin atëherë “vilispici”.
Me të dalë në përdorim të udhëtimit – biçikleta (vilispici) që ishte vetëm me dy rrita , populli habitej se si ishte e mundur udhëtimi me te dhe e shikonin me përbuzje të madhe aq sa shumë prej tyre e quanin “Kali i dreqit “!
Edhe vajza e dashuruar – Dudia , me të dëgjuar për hyrje në përdorim të këtij mjeti të udhëtimit , do ta ftojë përmes letrës të dashurin e vet për një takim në qytetin e Mitrovicës dhe deri atje të udhëtoj me “vilispic” (biçikletë) , në mënyrë që kur ta shohin shoqet e veta të dashurin e saj, të habiten dhe të binden se ai njeri qenka shumë i pasur dhe i aftë për ta vozitur biçikletën !
Kohët ecin përpara dhe mjetet e komunikacionit për udhëtim të njerëzve sa vijnë e përsosen prej ditës në ditë .
Pas daljes në skenë të biçikletës si mjet udhëtimi për njerëz, mjet ky që lypsej ngarë përmes lëvizjeve të këmbëve , tani na paraqitet edhe një mjet tjetër shumë më i përsosur dhe më i avancuar se sa biçikleta dhe që ky mjet do të lëvizë përmes benzinës , pa pasur nevojë që të lëvizet me këmbë !
Ka mjet i ri i komunikacionit quhej “motoçikleta” , por që populli më tepër i thoshte “motor”.
Me të dëgjuar për këtë mjet të udhëtimit, vajza e dashuruar – Dudia, përmes vargjeve të strofës së katërt të kësaj kënge dhe përmes letrës, do ta thërras për një takim të dashurin e vet, në qytetin e Gjakovës .
Edhe atje, shoqet e Dudisë , do t’ia shohin të dashurin e saj se si po e nget motoçikletën , se si është shumë i aftë, i pasur dhe si po e përcjell trendin e zhvillimit të mjeteve të komunikacionit .
Zhvillimi teknik i mjeteve të komunikacionit për udhëtimin e njerëzve nuk ka të ndalë , por dashuria në mes të dy të rinjve nuk pushon dhe nuk shuhet asnjëherë .
Tani, pas të gjithë atyre mjeteve primitive të udhëtimit , nëpër rrugët dhe qytetet e Kosovës , fillojnë të qarkullojnë vetura të përsosura dhe komode për udhëtimin e njerëzve, me të cilat mund të udhëtohej më shpejt , pa u lagur nga shiu e balta, pa u pluhurosur , pa i rrahur erërat dhe pa u djegur nga rrezet e diellit.
Me të dalë në skenë të komunikacionit veturat, tani Dudia e dashuruar , do ta vë në sprovë të dashurin e vet, duke i kërkuar atij përmes letrës, që vendtakimi i tyre i ardhshëm do të jetë Prishtina, ku i dashuri i saj do të vinte me makinë (veturë), në mënyrë që edhe shoqet e saj të habiten e të mahniten me aftësinë dhe pasurinë e të dashurit të saj, i cili tani po e drejtuaka edhe veturën , apo “maqinën” siç e quante populli atë botë !
Për të mos u zgjatur më shumë, tani po ua lë në disponim tekstin komplet të kësaj kënge, me të cilën ju uroj çaste të bukura dhe disponim të këndshëm , me shpresë se krahas leximit edhe do ta këndoni së bashku me shoqërinë tuaj, në ndeje, ahengje dhe gazmende popullore:
NA KA ÇU DUDIA LETËR
Na ka çu’ Dudia letër –
Hajde n’ Përzeren !
Thuj jaranit t’ dadës , o ,
Le t’ vjen me serem !
Me serem , e , o,
Pashë ahiretin , o ,
Le t’ ia shohin shoqet , o,
Marifetin ,o !
Na ka çu’ Dudia letër –
Hajde në Gjilan !
Thuj jaranit t’ dadës , o,
Le t’ vjen me pajtan !
Me pajtan , e , o,
Pashë ahiretin , o ,
Le t’ ia shohin shoqet , o,
Marifetin, o !
Na ka çu’ Dudia letër –
Hajde n’ Mitrovicë !
Thuj jaranit t’ dadës – o,
Le t’ vjen n’ vilispic !
N’ vilispic, e o,
Pashë ahiretin, o ,
Le t’ ia shohin shoqet, o,
Marifetin, o !
Na ka çu’ Dudia letër –
Hajde në Gjakovë !
Thuj jaranit t’ dadës , o,
Le t’ vjen me motor !
Me motor , e , o,
Pashë ahiretin , o,
Le t’ia shohin shoqet , o ,
Marifetin , o !
Na ka çu’ Dudia letër –
Hajde në Prishtinë !
Thuj jaranit t’ dadës , o,
Le t’ vjen me maqinë !
Me maqinë, e , o,
Pashë ahiretin , o,
Le t’ ia shohin shoqet , o,
Marifetin , o !
*****Mblodhi, shënoi dhe analizoi:
Demir KRASNIQI
Gjilan, më 01.07.2011.