| E enjte, 30.06.2011, 07:58 PM |
Nëpër Kanionet e Osumit
Nga: Xhelal Marku
Legjenda e gojëdhënave
Pasi ke kaluar qytetin e Çorrovodës dhe ngjitesh drejt rrjedhës së Osumit, papritmas befasohesh me bukuritë e një muzeu të madh natyror, që njihet me emrin – Kanionet e Osumit, një nga supërmrekullitë e natyrës shqiptare. Natyrë e virgjër dhe magjepsëse për çdo vizitor, që ka rastin të shkelë mbi këtë tokë të bekuar dhe të mbushur me plot legjenda e gojëdhëna të lashta, si në botën e përrallave. Kishim biseduar një rast me një ish kolegun tim të fakultetit, studjuesin Mehmet Gëzhilli, për mrekullitë natyrore në këto anë dhe mezi prisja, që t`i vizitoj ato. Një preokupim i përbashkët na bashkoi në idetë e projektet tona, edhe ne: specialistë e drejtues të Agjensisë Kombëtare të Turizmit, për të realizuar një filmim të ri, në pasurim të arkivit të institucionit tonë. Madje, ky u bë dhe objekt i bisedave tona të lira në mjediset e punës. Gjithmonë, unë preferoj që biseda të tilla t`i bëj me njerëz të nivelit, me kulturë e vizion të gjërë, që i karakterizon thjeshtësia dhe inteligjenca. Na nxit fjala optimiste e njërit nga drejtuesit më të ri të AKT-së, z. Belind Këlliçi – Drejtor aktual i Asistencës Financiare të institucionit, (i diplomuar në perëndim), i cili është i gatshëm të mbështes çdo projekt dhe çdo inicsiativë, që i shërben mbarëvajtjes së punës. Dhe ja erdhi momenti, që projekte të tilla të finalizohen nga drejtoria e përgjithshme e AKT-së, duke organizuar një grup të veçantë pune me specialistë të fushave përkatëse. Ka qënë mesi i muajit Maj, kur grupi i punës nisi veprimtarinë e tij për realizimin e projektit. Gjashtë ditë të paharruara e të lodhshme, por dhe të suksesshme të një udhëtimi, që sollën realizimin e mbi katër orë filmime në të gjithë hapsirën turistike shqiptare.
Brigjeve të thikëta të luginës
Afrohemi pranë brigjeve të thikta të luginës, bashkë me dy shokët e mi specialistë të Agjensisë Kombëtare të Turizmit: Andi Nallbani e Borian Koçi, me të cilët kemi ndërmarrë një udhëtim mediatik e eksplorues të vlerave turistike të vendit tonë, nga Shkodra e deri në Butrintin antik. Është një udhëtim, që të ngjall frymëzim dhe emocione të rralla me pejsazhet e natyrës tërheqëse shqiptare, që të shoqërojnë kudo, në të gjithë hapsirën e saj: mal, fushë e det; njëri më i bukur se tjetri. Udhëtimi nëpër sitet turistike të vendit, sigurisht që ka ndjesitë e veta, të cilat të shoqërojnë me magjinë e tyre nga një objekt në tjetrin dhe të bëjnë ta harrosh lodhjen. Një relaks i vërtetë, ku syri s`ka të ngopur me pamje të tilla të magjishme të natyrës dhe të objekteve të trashëgimisë tonë kulturore, të cilat së bashku përbëjnë një nga pasuritë më të mëdha të këtij vendi, thesaret e resurseve të turizmit shqiptar.
Dhe ja tek jemi në luginën e Osumit, ku si një oaz i vërtetë natyror të shfaqet kudo përgjat luginës, pejsazhi karakteristik, mbresëlënës e frymëzues i kanioneve të famëshme, si të ishte ky një maket i punuar mbi tavolinë, nga mjeshtrat më të mëdhenj të arkitekturës së të gjithë kohërave. Kanionet e Osumit përgjat 26 kilometrave të tyre, shpalosin atë reliev madhështor e befasues për vizitorin, i cili me plot kuptimin e fjalës është i paparë në ndonjë vend tjetër. Lartësia, që shkon nga 50 deri në 100 metra, por dhe gjërësia e luginës së Osumit, që është e ndryshueshme në vartësi të faqeve shkëmbore të saj, ku në gjashtë segmente të veçanta, shtrati i lumit ngushtohet aq sa, në një pikë të veçantë të tij, arrinë deri në 1,5 metra gjërësi; i bëjnë kanionet e Osumit të klasifikohen ndër më të mëdhatë e ndër më të rrallat në vend e në rajon. E çuditshme kjo krijesë e natyrës! Por, mrekullia e tyre nuk përfundon këtu, ajo vazhdon me shpatet e thikëta të kanioneve të Osumit, duke shpalosur tej e tej luginës, një pejsazh të paimagjinueshëm për syrin e njeriut. Relievi dhe ekosistemi në këtë vend, vijnë në një harmoni të plotë, si askund tjetër, ashtu siç ka ditur ta bëj vetë natyra me “ dorën e saj” të artë në shekuj.
Sportistë të pasionuar të ” Albania Rafting Group “
Unë me kamera dhe Andi me aparatin fotografik, rrëmbehemi nga kjo natyrë e rrallë shqiptare dhe me pasionin për të bukurën, rendim me shpejtësi për të fiksuar sa më shumë pamje nga ky mjedis turistik, që do ta kishte zili çdo vend tjetër i botës. Në të dy anët e luginës së Osumit, shtrihen me radhë fshatrat e krahinës, të njohur dhe për cilësinë e lartë të prodhimit të rakisë së famshme të Skraparit, një konkurente e vjetër kjo dhe shumë e njohur në tregun shqiptar e më gjërë. Pas nesh vijnë makinat me sportistë të pasionur të “Albania Rafting Group”, që do të organizohen në një garë udhëtimi me gomone. Mes tyre dallojmë edhe mjaft portrete femrash të moshave të reja, por dhe të moshave të mesme, të cilat janë pjesëtare aktive të Federatës dhe e kanë me shumë pasion sportin e ujit. Ato i karakterizon gjithnjë guximi dhe këmbëngulja për të triumfuar mbi vështirësitë e këtij sporti, i cili vitet e fundit, ka marrë një zhvillim të ri dhe një shtrirje të gjërë në të gjithë vendin. Madje mund të themi se sporti i rafting në Shqipëri, tanimë është jo vetëm në preferencën e sporteve të breznive shqiptare, por dhe në modën e tyre, ç`ka pasqyrohet dhe në ritmet e larta të zhvillimit të këtij sporti në të gjithë destinacionet e lumenjëve tanë.
Është kjo arsye, që pasioni për sportin e rafting, i ka imponuar Federatës të planifikojë dhe të realizojë veprimtari të shumëta dhe në proces zinxhir, për këtë sport të njohur dhe me tradita edhe në vendin tonë.
“ E rëndësishme është se në veprimtari të tilla sportive, thotë znj. Blerina Ago – Sekretare e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Rafting, ne presim dhe shoqërojmë jo vetëm turistët vendas, por dhe mjaft turistë të huaj, që vijnë posaçërisht nga rajoni dhe kontinenti, për të ushtruar këtë llojë sporti në kushtet e vendit tonë dhe për të pasuruar përvojën e tyre në sportet e bukura e argëtuese të ujit “. Kështu, sipas statistikave që ka Federata shqiptare e Rafting, vetëm për këtë sezon turistik, ajo ka organizuar e monitoruar mbi njëzet veprimtari të tilla, ndër të cilat përmendim: Eksplorimin e pjesëve të panjohura të lumenjëve të Shqipërisë, takimet me përfaqësues të sportit rafting të rajonit, si: Sllovenia, Bosnja, Italia, etj dhe po punohet për trajnimin e guidave të specializuara të rafting, me synimin për të zhvilluar një turizëm të sigurtë e të qëndrueshëm në këtë llojë sporti. Në këto veprimtari, kanë marrë pjesë rreth një mijë sportistë e sportiste të rafting, midis të cilëve edhe personalitete të politikës, artit e kulturës, por dhe shumë turistë të huaj, që i tërheq natyra e bukur, gara sportive, klima dhe pasuritë e mëdha të trashëgimisë kulturore të vendit tonë.
Brenda stinës së Verës, në garat e këtij sporti, do të jetë një tjetër veprimtari e radhës, tashmë e përmasave rajonale, ajo që do të organizojë FSHR-ja në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Rafting, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues të sporteve të Rafting nga disa shtete fqinj, si: Bosnja, Italia, Rumania, Çekia, Bullgaria, Polonia, etj. E mbase, kjo veprimtari, do të jetë dhe si një prezantim i emrit të ri të statusit të Federatës Shqiptare të Rafting të sapomiratuar.
Origjina dhe ekosistemi i kanioneve
Ashtu siç të befason vetë pamja e rrallë e Kanioneve të Osumit, edhe faktet e menduara për origjinën e tyre, janë disi befasuese. Studjuesit sjellin argumentet e tyre, por edhe vetë banorët vendas kanë trashëguar në shekuj mjaft histori e argumente në formën e gojëdhënave, që hedhin dritë mbi origjinën, formimin dhe lashtësinë e Kanioneve të Osumit. Gjeografikisht, ato shtrihen deri në lartësinë 450 metra mbi nivelin e detit dhe mendohet se janë formuar 2-3 milionë vite më parë nga erozioni i burimeve nëntokësore. Ky argument është i besueshëm dhe ka të ngjarë të jetë kështu zanafilla e tyre, pasi edhe sot përgjat gjithë grykës së Osumit, gjënden mjaft burime të tilla në formën e ujëvarave, që zbresin me vërtik shpateve të thikëta shkëmbore të Kanioneve, duke formuar shirita bardhësie në trupin e hirtë të tyre, që ia shtojnë dhe më shumë bukurinë këtij vendi. Ndaj, ujëvarat, bashkë me disa shpella të paeksploruara, që gjënden përgjat luginës, përbëjnë argumentin më të besueshëm në mbështetje të këtij versioni gjeografik dhe si të tilla, paraqesin interes të veçantë për studjuesit e kësaj fushe, por dhe për vizitorët, që harlisen pas këtij peisazhi mjaft tërheqës e romantik. Për këto Kanione, ekzistojnë gjithashtu edhe hamendësime të ruajtura në formën e legjendave nga skraparllinjtë, sipas të cilave Kanionet e Osumit, shumë shekuj më parë, kanë shërbyer si nënkalime mbi lumin e Çorovodës, por që me kalimin e kohës, tavanet e këtyre nënkalimeve nënujore, janë shembur, duke nxjerrë në pah dhe formëzuar një tjetër reliev, atë pamje të mrekullueshme, që kanë sot kanionet e Osumit dhe krejt lugina e tij tepër e rrallë, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në krejt rajonin e kontinentin e Europës. Por, bukuritë mahnitëse natyrore të Kanioneve të Osumit, përbëjnë vetëm njërën anë të vlerave të tyre, pikërisht atë vlerë, që vizitori e kap me shikimin e parë, anën tjetër të vlerave, po kaq të rëndësishme, për të cilat ato dallohen dhe shquhen në llojin e tyre, është edhe ekosistemi i pasur, që ato ruajnë në gjirin e tyre. Vetë natyra i ka dhuruar Luginës një gjelbërim të përhershëm e karakteristik, me shkurre mesdhetare e bimësi të veçantë, si: mareja, shqopa etj, por dhe një botë të pasur gjallesash, me peshq të llojëve nga më të ndryshmet, të ruajtura në themelet e lumit Osum, që e bëjnë këtë vend mjaft të preferuar për turistët.
Gërryerjet ndër vite, me “ ustallëkun “ e tyre, i kanë dhënë luginës së Osumit formën e një ngrehine natyrore të kultit, i kanë dhënë asaj shenjtërinë, magjinë, fantazinë dhe mrekullitë hyjnore të arkitektes së papërsëritshme – Natyrë. Ndaj, për luginën e Osumit, banorët vendas kanë krijuar dhe rrëfejnë shumë legjenda, të cilat vijnë nga thellësi e shekujve, duke filluar me objekte, që nga Mulliri i Babait, Vrima e Nuses, Katedralja, Syri, Porta e Djallit e deri tek Shenjëtori Abaz Aliu, që janë shumë interesante për çdo vizitor, që ka rastin të shkelë mbi këtë vend të bekuar, që fantazinë e kthen në imazh. Bazuar në këto vlera, studjuesit e huaj, që kanë vizituar Kanionet e Osumit, nuk kanë hezituar t`i klasifikojnë ato, si ndër më të rrallat, ndër më të veçantat e ndër më fantastiket, jo vetëm në territorin e Shqipërisë, por dhe në krejt Kontinentin e më gjërë.
Të ndërtuara për të qënë një bukuri dhe thesar i mbarënjerëzimit, nëpërmjet mrekullisë krijuese të mjeshtres më të madhe të kohërave - natyrës, kanionet e Osumit i imponohen vizitorit me bukuritë e tyre dhe bëhen emocionuese në çdo moment, në çdo kohë, sepse magjia e tyre të mbërthen e të bën shpejt për vete, që në sekondat e para të shikimit, duke rënë kështu pre e menjëherëshme e dashurisë së tyre të përjetshme. Ndaj, është tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur për këdo, që vjen për herë të parë në mjediset e kësaj mrekullie mahnitëse të natyrës, për të përshkruar emocionet e rralla, që përjeton, kur ndodhet pranë këtij Muzeu natyror gjigand. Dhe ndoshta duket si e pabesueshme, por është një ndjesi reale për çdo vizitor, që ka shkelur në luginën e Osumit, ku relaksi dhe bukuritë natyrore, të frymëzojnë e të emocionojnë me pamjet marramendëse e dehëse, që të ofrojnë kanionet, sidomos kur i sheh ato nga lart, ç`ka të bën të mos u besosh as syve të tu, të cilët instikti i pabesueshmërisë të bën t`i fërkosh herë pas here. E mbase, kur futesh mes tyre e shetit, të duket vetja vërtet si në një botë përrallash dhe ëndërrash, si në një botë parajse e mrekullishë të pafundme, që të shfaqen si në ekran përgjat gjithë luginës së Osumit...
Pak histori të rafting në Shqipëri
Kur jeton me atmosferën sportive të Rafting, nuk ka sesi të mos kërkosh fakte dhe shifra nga fillesat e këtij sporti aventuroz, që sot ka marrë përmasat e një përfshirjeje disi masive. Mbase këtë zhvillim të vrullshëm të këtij sporti e dikton vetë natyra shumë e përshtatshme, e frymëzon dhe e edukon tek brezat peisazhi i mrekullueshëm i Kanioneve të Osumit. Dhe organizotorët nisin e kujtojnë me radhë momentet e para, sportistët e parë, rrugëtimin e parë me gomone përmes Osumit.
“ Ishte viti 1985, thotë z. Zamo Spathara – president i Federatës Shqiptare të Rafting, kur një grup djemsh , zbresin në fshatin Hambull të Qarkut të Beratit, buzë bregut të lumit Osum dhe me komerdaret e sajuara nga gomat e kamionave, nisin një aventurë të vogël, duke përshkruar për të parën herë Kanionet e lumit Osum, një vend përrallor me një natyrë të virgjër e bukuri mahnitëse...”.
Ishte pikërisht kjo aventurë e vogël , që realizoi një endërr te madhe me krijimin e shoqatës së parë të rafting në Shqipëri, tashmë të njohur me emrin: “ Albania Rafting Group “, e cila në Maj të këtij viti, me urdhër të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, mori statusin e federatës, me emrin: “ Federata Shqiptare e Rafting”. Dhe përmes vështirësive të shumta, ky grup, i apasionuar pas këtij sporti të bukur, të guximshëm e argëtues, e nisi veprimtarinë e tij me eksplorime të vazhdueshme në Lumenjtë e Shqipërisë, si: Valbona, Buna, Drini, Shkumbini, Vjosa, etj, derisa në vitin 2000, tërheq vëmendjen e mediave kombëtare, por dhe të disa mediave të shkruara ndërkombëtare, të cilat do të jepnin një Shqipëri ndryshe, duke lançuar të ashtuquajturën prej tyre “Zbulimi i shekullit”. Dhe imazhi i ri i sportit të ujit Rafting në Shqipëri, nëpërmjet pasqyrimit në media do të kapërcente shpejt kufijtë e vendit, drejt Sllovenisë, Italisë, Gjermanisë e deri në SHBA.
”Albania Rafting Group”, është e vetmja shoqatë e liçensuar e sportit rafting në Shqipëri, anëtare e Federatës Shqiptare të Rafting dhe e vetmja me një ekip të kompletuar profesionistësh. “ Albania Rafting Group”, ka shoqëruar te Kanionet e lumit Osum, si dhe në lumenjtë: Vjosa, Devoll, Shkumbin e Valbonë, jo vetëm turistë vendas, por edhe shumë turistë të huaj, që vinin nga i gjithë globi. Bota e personaliteve më të njohura të sportit të rafting, i ka vlerësuar këto kanione, si një nga “ Mrekullitë e kontinentit të Europës “. Sot, “ Albania Rafting Group “, ka marrë një zhvillim të madh dhe shtrirje të gjerë në të gjithë Shqipërinë. Me një staf të kompletuar, profesionist dhe të apasionuar të sportit rafting nga e gjithë Shqipëria, ajo tashmë bashkë me shoqatat e tjera të rafting, pas 26 vitesh veprimtari si shoqatë, sipas urdhërit nr. 135, datë 12 Maj 2011 të MTKRS-së, gëzon statusin e Federatës Shqiptare të Rafting dhe znj. Blerina Ago zgjidhet sekretare e përgjithshme e kësaj federate. Marrja e statusit t ë federatës nga rafting, sigurisht që do të krijojë kushte e mundësi edhe më të mëdha e më të shpejta zhvillimi e progresi të këtij sporti me tradita në vendin tonë, por dhe aq të preferuar nga turistët.