| E merkure, 29.06.2011, 07:59 PM |
Misionet Impossible
Nga Mr. ARDIAN RAMADANI
Kemi dëgjuar vazhdimisht deklarata të bëra nga personalitete të ndryshme shqiptare që shprehen kundër bashkimit kombëtar, po të dëgjosh këto shprehje nga njerëz që duhen të kenë rolin kyç në drejtim të avancimit të çështjes shqiptare drejt unifikimit, e më konkretisht nga një Ministër i Punëve të Jashtme, i shtetin tonë amë, është me të vërtetë akt pa precedent. E di se si duhet të shprehet dhe flasë një person që është i veshur me kostumin diplomatik, ngase i`a ka sjellë rastësia të ketë të veshur atë kostum, por kur dëgjon shprehje nga personalitete që konsiderohen të ngritur në botën shqiptare, se shqiptarët nuk duhet të bashkohen kurrë, apo deklaratat se shqiptarët e Preshevës duhet të orientohen drejt Serbisë, e jo drejt Kosovës, kjo të bën të dyshosh më shqiptarinë e këtyre deklaruesve.
Ndërsa, përjetimin më të madh shokues e përjetova kur dëgjova deklaratat e vazhdueshme të z. Haxhinasto, edhe atë në drejtim të këtyre shtyllave që nëse kuptohen përmes rreshtave janë shumë të rrezikshme.
Ai, sa për fillim u shpreh kundër bashkimit Kosovë Shqipëri, një deklaratë kjo e dëgjuar shpesh nga gojët e tilla dhe nga njerëz të ndryshëm, për shkak se shqiptarët duhet të presin, sepse ata po u bashkuakan automatikisht në Evropë. E si do të bashkohen, atëherë kur shqiptarët e Kosovës do të kenë hjekur më dorë përfundimisht nga shqiptaria e tyre dhe do të ndërtonin dhe kultivonin kosovarizmin e tyre si përkatësi kombëtare, dhe me këtë rast Migjenin, Halilin dhe Nexhmedinin do ti gëzonin ata deri në atë masë sa të përjetonin ata “orgazëm” nga kombi i tyre fantazmë kosovar, në inkubator. E si do të bashkohen shqiptarët, kur sot kufiri mes Kosovës dhe Serbisë nuk kontrollohet nga shqiptarët, por nga serbët. E si do të bashkohen kur Mitrovica e ashtuquajtur padrejtësisht “e Veriut” është aq e pakalueshme për shqiptarët, sa më lehtë do të shkonin serbët në Drenicë, se sa një shqiptar në Mitrovicë. Ndërsa, Ministri Haxhinasto krekoset me bashkimin e shqiptarëve në Evropë, që nuk do të ndodhë asnjëherë nën këto kushte politike. Papjekuri dhe mungesë guximi politik dhe diplomatik, dhe asgjë tjetër!
Deklarata e tij e radhës, ishte se arrestimet e luftëtarëve shqiptarë të ushtrisë së lavdishme të UÇK-së, një fushatë kjo e mbështetur kjo nga qarqet serbo-ruse, po u mbështetkan në ligjet e ashtuquajtura të Bashkimit Evropian dhe shtetit të Kosovës. Nuk e di se ku e ka marrë këtë informatë Ministri i nderuar, sepse unë nuk e di se në ndonjë ligj të Bashkimit Evropian parashihet burgosja e atyre që luftuan kundër një asgjësimi, kundër një politike të bazuar në etnocid dhe gjenocid. Nuk e di të ketë ligj Bashkimi Evropian apo ndonjë subjekt tjetër ndërkombëtar, apo edhe ndonjë shtet, që luftëtarët që kanë mbrojtur popullatën civile nga kasaphana serbe, duheshkan gjykuar, ngase “paskan bërë krime të rënda”.
Deklarata e tij që më preku tej mase ishte ajo kur u shpreh se pavarësia e Kosovës është rezultat i kontributit të ish- Presidentit të Kosovës, Z. Ibrahim Rugova. Nuk e mohoj rolin e Dr. Ibrahim Rugovës në drejtim të sensibilizimit të çështjes shqiptare në Kosovë, as edhe figurën e tij që megjithë mangësitë, ka qenë figura unifikuese dhe udhëheqëse për shqiptarët e Kosovës, gjer në vitin 1997, po t`i atribuohet merita e pavarësisë së Kosovës vetëm Rugovës, kjo është me të vërtetë e patolerueshme dhe deklaratë alogjike, kur dihet se po të mos ishin krismat e Jasharajve, krismat e Adrian Krasniqit, Zahir Pajazitit, vëllezërve Haradinaj si dhe shumë trimave të tjerë të lirisë, duke mos anashkaluar edhe ndihmën e aleatëve perëndimorë me në krye SHBA-të, kjo liri të cilën aktualisht po e gëzon Kosova, do të ishte utopi për ne. Po, ama u desh të flijohet tërë një familje si Jasharajt, dhe shumë e shumë familje të tjera, u desh të luftohet dhe të hiqen të zinjtë e ullirit që të arrihet deri në këtë shkallë ku jemi sot. E gjithë kjo falë trimave të lirisë. Sepse ata sensibilizuan botën dhe na çmendën nga gëzimi mosbesues, duke thyer mitin se shqiptarët e Kosovës janë lepurushë dhe nuk guxojnë t`ia kthejnë pushtuesit pushkën. Kjo dhe asgjë tjetër, e jo politika “duro deri në asgjësim, se do të ndërhyhet nga jashtë” e presidentit Rugova, i cili në vend se të ishte prijës i kësaj rezistence të armatosur, ai shpallte zgjedhje në Kosovë, në momentet kur Kosova digjej flakë, në momentet kur Drenica dhe qytete të tjera gjendeshin nën thundrën e pashembullt të robërisë dhe soldateskës serbe. Në këto momente kur luftohej në Drenicë, në vende të tjera pihej e zihej mishi e muzika, dhe zhvillohej politika pacifiste, duke “pritur Godonë” (lexo: paqen dhe lirinë). Meritat e pavarësisë nuk mund t`i atribuohen vetëm z. Ibrahim Rugova, ngase me këtë anashkalohen lëvizjet e vazhdueshme dhe përpjekjet kontinuele të shqiptarëve qysh nga ’68-ta, ’74-ta, ’81-ta, ’88-ta, ’89-ta, ’90-ta, ’91-ta, ’92-ta, ’97-ta dhe lufta çlirimtare, anashkalohet roli i figurës së Adem Demaçit, Ukshin Hotit..., Adem Jasharit e kështu me radhë. Nuk e mohoj rolin e Rugovës në drejtim të krijimit të afërsisë me miqtë perëndimorë, edhe atë deri në vitin 1997 (lexo: atëherë kur filluan protestat studentore), por Rugovës nuk mund t`i falet një gjë, mosrealizimi i vizitës në kullën e Jasharajve, kiblën e shqiptarisë dhe vendi i dytë i pelegrinazhit për shqiptarët pas kalasë së Krujës. Më tutje nuk do të vazhdojë.
Andaj tentativat e z. Haxhinasto (Haxhinastove) dhe misionit të tij (misionit të tyre) Impossible, për të tjetërsuar realitetin dhe kontributin e shumë brezave, shumë figurave, dhe ndodhive historike, duke përfshirë këtu edhe deklaratat kundër bashkimit natyral shqiptar dhe krahasimit të këtij bashkimi me Idenë e të ashtuquajturës Hapsirë jetike(jetësore) të Hitlerit, apo të Francës Natyrale të Lui Bonapartës, është (janë) deklaratë(a) në disfavor të shqiptarëve si komb.