| E marte, 28.06.2011, 08:03 PM |
Ali Sh. Berisha
O Kastriot
Të morën peng
Dhe të dërguan në humbëtirë
Të mbajtën trurin për ta mpirë
Ta forcuan krahun të zgjërosh perandorinë
E ti s’durove kot
O Kastriot
Dhe prite çastin në ndeshje të madhe
Ta lësh pa krye hordhinë vrastare
Gjakut t’shqipes t’i prish në kthim
Mëmëdheun ta çlirosh
Plagë e dhembje t’i mjekosh
Fluturim i madh zot
Gjergj Kastriot
Ngritu lart mbi jelë të kalit
Shiko fushat prapa malit
Puthe dheun mëmë Shqipërinë
Që hareshëm krahët t’i shtrinë
Shpejto nëpër gryka t’malit
Se të pret betejë e mallit
Krerë të Arbërit
Të presin tok
O Kastriot
Të dalin para me gërneta
Të shoqërojnë mbret mbi mbreta
T‘i bashkosh shpatat e lirisë
Kundër barbarit të Azisë
Shqipërinë ta bësh me zot
O Kastriot
Veriu thanë e acari ngrinë
Qielli plumb e nata nxinë
Ngrihen trimat ftojnë agime
Nëpër fronte e në fjalime
Plasin krykat si tërmet
Vrërësira shi e breshër vijnë
Vringëllojnë shpatat e burizon
Hidhet i tërbuar i ziu turkoman
Zënë detin venecianët
Mu në vatër mbijnë trathtarët
O Kastriot
Krahun tëndë të ta ndalin
Por s’ndalet dot dielli as agimi
Që ta ndrijë gjithë Shqipërinë
O Kastriot
Më në fund doli vera
Male e fusha u mbushën shqerra
Dhe ëmbël rrodhi kroi
Se bashkimi për liri triumfoi
Dhe flijimet s’u bënë kot
O Kastriot
Nëpër shekuj marrsho e thërrit
Trim i ndritur n’luftë për dritë
Thërrit që edhe zoti të dëgjojë
Se Shqipëria është Zojë
Se këmbë të huaj s’do durojë
Se do më vete të rrojë
Sot e mot
O Kastriot
(Poezi e shkruar me rastin e mbajtjes së Simpoziumit për Gjergj Kastriotin - Skënderbeun në Prishtinë më 1967)