| E diele, 26.06.2011, 02:59 PM |
Uni ynë i shprishur
Nga Fahri Xharra
Pse jam? Çka jam? Kush jam unë? Pse jam këtu? Për çka jam këtu? Janë pyetjet e rëndomta dhe sfilitëse të rinisë sonë. Nuk janë vetëm të rinisë së Kosovës por edhe e prindërve të tyre. Të gjithë sillemi rreth shumë pyetjeve, të cilave nuk uu dimë përgjigjen. Jo pse nuk dimë të përgjigjemi por nuk mundemi. Nuk mundemi se na mungojnë shumë gjëra të cilat i kishim dashtë t’i kishim por s’i kemi. Uni ynë na është dobësuar dhe ka humbur nga origjinaliteti. E ka humbur peshën e tij.
Vlerësimi i vetes. Parafytyrën e vetvetes (imazhin për veten) e bën një sistem goditës, mirë i strukturuar, ngushtësisht i lidhur me vlerësimin e vetvetes për planet, dëshirat dhe motivimet vetjake të çdo motivimi. Parafytyra e vetvetes nuk është aq e lehtë për të luajtur me formën e saj, por vetë fakti i dëshirës për vlerësim të aftësive, përtej bartjes së arritjeve nga vetja te tjetri është mundësi për ndërrim të parafytyrës së vetvetes.
“Në shikim të parë parafytyra për vetveten nuk është një shprehje e thjeshtë: ajo krijohet duke kaluar nëpër përvojat tona, sukseset dhe dështimet tona, gjykimi i të tjerëve për veprimin dhe sjelljen tonë; në këtë mënyrë çdonjëri i fut në mbamendje një mori informatash për vetveten” (P.Warr,1987; Puna. Papunësia dhe shëndeti mendor. Claredon Press, Oxford).
Parafytyra e vetvetes ndërtohet mbi themelet e përvojës së kaluar, ky veprim i parafytyrës nuk ndalet kurrë; i riu e formon imazhin e vetvetes, i rrituri vazhdimisht e ndërron atë por edhe mosha e tretë dhe katërt synon gjithmonë në ndërrimin e tij, por parafytyra aktuale është ajo që e përcakton; në çdo kohë mënyrën se si përvoja dhe informatat e reja janë të ndërlidhura me strukturën përplasëse (cognitive).
Ky proces përplasës është shumë i ndërlikuar sepse parafytyra e vetvetes është e shumëfishtë. Së pari i jep çdonjërit një identitet, një UNË, të cilin mundohet ta bëjë të kuptueshëm e të pranueshëm për të tjerët. Në vetvete do të thotë çdonjëri përdor mënyra të ndryshme me taktika të ndryshme për t’iu shfaqur të tjerëve me një parafytyrë (imazh) për vetveten.
Parafytyra e vetvetes është dinamike e gjallë, por jo aq lehtë e ndërron trajtën. Ne e kemi një parafytyrë si extravertis në të njëjtën kohë një parafytyrë intravertis. Parafytyra e vetvetes është një llojllojshmëri e përbërë nga natyrat e ndryshme. Punimet e Wylit (1974) mbi zhvillimin e parafytyrës së vetvetes te fëmijët e tregojnë mirë llojllojshmërinë progresive dhe dimensionet e konceptit të vetvetes gjatë etapave në vazhdimësi:
Ndërtimi i Unit duke u identifikuar nëpërmjet rrethit dhe reagimeve të mjedisit; ndryshimi i parafytyrës duke iu falënderuar roleve të cilat i ofrojnë shkollat, aktivitetet familjare dhe argëtimi; mandej gjatë rritjes në moshën e pjekurisë për të dalluar vetveten me një Unë më original dhe më të thellë. Me rritje dhe pjekje zhvillohen aftësitë e zhvillimit duke u bazuar në atë se çka jemi të aftë të bëjmë e ndërkohë të krahasohemi me të tjerët dhe të çmojmë aftësitë e mundësitë tona për të gjykuar për vetveten.
Sajimi i parafytyrës së vetvetes tek i rrituri, së pari bazohet në përvojën shoqërore dhe pastaj shumë e më shumë në procesin e brendshëm të përcaktimit të vetvetes. Parafytyra e vetvetes nuk ndalet së ndryshuari edhe pse pas pensionimit ndërprerja e jetës aktive e zvogëlon vlerën e Unit profesional në dobi të rolit shoqëror e familjar. (J.M.monteil, D.Martinot, 1991, Vetvetja dhe vetitë e saj, Psychologie Française 36).
Në metodat e ndryshme psikologjike mbi përcaktimin e parafytyrës së vetvetes është edhe metoda WAY-KJT (Who Are You? – Kush je ti?).
Ne në Kosovë, së pari duhet të testohemi me metodën WIA –KJU (Who I Am? – Kush jam unë?). Kush jam unë, që në shkollë shkoj vetëm sa për të shkuar? Kush jam unë, që e kryej shkollën fillore vetëm sa për të vazhduar të mesmen? Kush jam unë, që e kryej shkollën e mesme vetëm sa për të shkuar në fakultet? Kush jam unë, që e kreva fakultetin vetëm për ta kryer! Kush jam unë, që nuk gjej punë. Në moshën kur fillon të rëndojë barra ekonomike mbi ne, atëherë fillojmë të mendojmë se kush jemi; e kjo pyetje bëhet në mosha të ndryshme varësisht nga potenciali ekonomik i familjes. Dikush pyetet menjëherë pas fillores, shumica pas të mesmes, e të tjerët pas fakultetit.
Kush jam unë? Çka mësova? (ai që e kreu shkollën) Çka po mësoj? (Ai që
momentalisht mëson). Të gjithë jemi duke lozur me vetveten, me rrethin, me shoqërinë, e më e keqja duke prishur ardhmërinë tonë. Për nga natyra të gjithë jemi ekstravertë (të shpjegojmë: rrotullim jashtë vetes me dëshirë për njohje të rrethit, me dëshirë të kyçjes në shoqëri për të jetuar dhe mbijetuar). Por, situata e krijuar pas luftës, të rinjtë dhe të vjetrit i ka bërë intravert (të shpjegojmë: dëshira për t’u futur në vetvete, ikja nga takimi me të tjerët, humbja e shpresave për një shkollë të mirë, për një martesë të lumtur ose për një jetë si i ka hije).
Të rinjtë tanë që rrinë me një kafe para vetes e i humbin orët e mësimit në kafeteri, a janë ekstravertë? Jo. Jemi bërë të gjithë intravertë. Çdo dalje prej shtëpisë e mbyt Unin tonë edhe ashtu të shprishur. Intravertë janë pamundësitë për punësim, rritja e çmimeve, zvogëlimi apo mospasja e të ardhurave, pasiguria në ushqim, frika për të nesërmen, pasiguria në ballafaqim me jetën.
Ballafaqimet (sfidimet) janë teste të ndryshme natyrore që e vënë në sprovë Unin tonë. Sa jemi të aftë me atë që po mësojmë, me atë që po shohim e lexojmë të ballafaqohemi me ardhmërinë tonë. Në rastet e pasigurisë njeriu kërkon mbështetje, në raste të kërcënimit njeriu lyp shpëtim.
Sa është e aftë e çka po bën shoqëria jonë në mirëmbajtjen e Unit tonë. Si ta pengojmë Unin tonë që të mos na stërkeqet. Kush është i plotfuqishëm në këtë rast? Arsyetimet se jetojmë në kohën e ekonomisë së tregut, nuk do të thotë të kemi shkollën pa disiplinë, qytetarin e papërgjegjshëm dhe pushtetarin e korruptuar. A s’është ky Uni ynë i shprishur?