Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nexhmije Mehmetaj: Një shkëndijë pozitive po vjen nga Kosova

| E shtune, 25.06.2011, 08:00 PM |


NJË SHKËNDIJË POZITIVE PO VJEN NGA KOSOVA

 

Nga Nexhmije Mehmetaj, mësuese në Jura, Zvicër

 

Ministri z. Ibrahim Makolli i afrohet diasporës shqiptare. Nën organizimin e Shoqatës ”Bashkësia Shqiptare në Jura ”, Zvicër, të martën dhe të mërkurën më 21-22 qershor priti Ministrin për diasporë z. Ibrahim Makollin dhe stafin e tij z. Banush Pacolli zëvendës Ministër i infrastrukturës, z. Halil Mustafa këshilltar i jashtëm i ministrit, si dhe këshilltari për diasporë z. Ahmet Hasani me qëndrim në Zvicër. Ata fillimisht u pritën dhe u nderuan në komunën e Baskurtit nga autoritete komunale pjesë e së cilës është edhe këshilltari komunal z. Demush Memeti.

Të mërkurën z. Pierr Kohler kryetari komunës Delemont, kryeqyteti i kantonit Jura, shtroi drekë për z.Ibrahim Makollin dhe shoqëruesit e tij nga Kosova. Ministri pati takim edhe me personalitete të Qeverisë Kantonale, z.Philippe Receveur Ministër i Ambientit dhe Planifikimit, z.Charles Juillard Ministër i Financave, Drejtësisë dhe Policisë, ku prej tyre mori premtime për mbështetje në realizimin e projekteve që lidhen me diasporën. Gjithashtu ata ishin të ftuar dhe morën pjesë në një seancë në Parlamentin e Jurës.

Dje, pas dite z. Ministri Ibrahim Makolli vizitoi shkollën shqipe në Delemont, ishte një ditë e veçantë për nxënësit dhe mësuesen Nexhmije Mehmetaj, dua t’ju falënderoj sinqerisht për nderin e madh që më keni bërë me këtë rast. Fakti që ministri nga Kosova angazhohet për të mirën e fëmijëve të popullit të vet në mërgim, nuk është aspak diçka që vetëkuptohet. Për mua kjo vizitë e pasqyron vullnetin e tij të madh që do të  bëj çmos për fëmijët dhe rininë shqiptare që  kërkon rrugë për të përmirësuar perspektivat e saj jashtë Atdheut. Ju përgëzoj për vullnetin tuaj fisnik, duke ju shprehur respektin tim të thellë. Investimet në të ardhmen e rinisë janë me vlerë të veçantë pikërisht brezi i ri i formuar në nivel të lartë, përfaqëson edhe një burim të rëndësishëm po për Atdheun.

 

Ndërsa mbrëmë në restorantin ”Titanik ” kryetari i Bashkësisë shqiptare z. Xhevxhedin Ahmeti ftoi bashkatdhetarët për një mbrëmje kuvendimi me z. Ministër Makollin.  Ndër të tjera tha” Diaspora shqiptare është pjesë e pandarë e qenies sonë kombëtare. Ajo, edhe pse e ndodhur fizikisht larg vendit të vet , vazhdimisht luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ngjarjeve në trojet e veta shqiptare, duke u përpjekur që tërë potencialin e saj mendor, material dhe ekonomik të angazhonte në interes të çështjes sonë kombëtare. Në anën tjetër, Diaspora shqiptare numerikisht është shumë e madhe, është vështirë për të iu qasur në çdo aspekt ashtu siç e meriton. Por, do të mundohem që me tërë qenien tonë të përballem me tri çështjet kryesore të saj: Organizimin e diasporës përmes qendrave kulturore siç është e paraparë me ligjin mbi mërgatën, organizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe të ketë kahe institucionale, që të dyja këto do të ndihmojnë integrimin e shqiptarëve në vendet ku jetojnë. Të rinjtë shqiptarë do ta kenë derën hapur në zyrën tonë në Prishtinë, përmes bashkëpunimit ata do të kenë rast të japin kontributin e tyre intelektual në atdhe duke kryer punë praktike apo duke bërë ndonjë hulumtim të frytshëm i cili do të jetë i pritshëm dhe i   mirëseardhur për të dy palët. Si këshillë z, Ministër udhëzoi mërgimtarët që të dinë ta respektojnë dhe të bashkëpunojnë me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bern, sepse ajo i bënë të gjithë të barabartë, ajo është e jona, është e gjithëve. Ndër pyetjet që ju parashtruan nga bashkatdhetarët ishte : A do të ketë mundësi Ministria për diasporën t’i ndal veprimtarit jo të mira të disa klubeve shqiptare, individ të caktuar marrin lej për hapjen e tyre në emër të  komunitetit shqiptar e më pastaj ato keqpërdoren vetëm për lojë bixhozi apo diç tjetër? Është me rëndësi që klubet të kenë rolin e vet kulturor shqiptar, me themelimin e qendrave kulturore në mënyrë institucionale veprimtarive jo të mira do të ju këputën degët, nuk do të kenë mundësi të marrin leje në emër të komunitetit përveç se të hapin restorante në emër të vet, klubet do të mbushen me libra në gjuhën shqipe që do të shërbehen brezat për ta ruajtur apo përvetësuar gjuhën amtare.

 

Delemont, 23.06. 2011