| E premte, 24.06.2011, 07:59 PM |
Me Eulex-in keq, pa Eulex-in edhe më keq!
E Urrej ndihmën e miqve të vonuar (Euripidi)
Nga Zejdush Kastrati
zejdush@hotmail.com
“Synimi kryesor i Misionit Europian për Sundimin e Ligjit (Eulex) si Misioni më i madhë i vendosur deri më tani nga Bashkimi Europian është t’i ndihmojë dhe përkrahë autoritetet kosovare në fushën e sundimit të ligjit, posaçërisht në fushën e policisë, gjyqësisë dhe doganave. Qëllimi i misionit nuk është të sundojë apo të administrojë në Kosovë, por ky është një mision teknik, i cili do të monitorojë, udhëzojë dhe këshillojë përderisa do të mbajë një numër të kufizuar të kompetencave ekzekutive. EULEX vepron në një kuadër të përgjithshëm të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe ka një zinxhir të njësuar komandues në Bruksel.”
Është kjo, vetëm një pjesë e cituar dhe e nxjerrë nga vebfaqja e këtij misioni e që është spostuar në shtyllën e kësaj faqe me mbititull “Çështë Eulex-i”. Besoj se ia vlen të ceket edhe një fakt tjetër kur po në këtë faqe, pos materialeve tjera që kuptohet janë më tepër “promo” për këtë strukturë ndërkombëtare, lexuesi mund të shohë dhe tëlexojë edhe slloganin ”Parneritet për drejtësi”.
A na zhgënjeu Eulex-i?
Nësë kthehemi në kohën kur zbarkoi Eulex-i në Kosovë, apo në vendimin e datës 4 shkurt 2008 të BE, e që na kujtohet mirë se kundërshtohej me të madhe nga Beogradi, por edhe disa qarqe tjera, e në vaçanti për shkak të gjashtë pikëshit të Ban Ki Mun-it, pjesa më e madhe e kosovarëve kishin simpati dhe besim se me vendosjen e ketij misioni, i cili llogaritej si “ajka “ e demokracisë evropiane, definitivisht nga Kosova do të largohen struktuart burokratike të UNMIK-ut, të cilat konsideroheshin si jofunksionale për të çuar proceset përpara, do të nis një faqe e re në historinë e shtetëndërtimit dhe funksionimit të shtetit ligjor, dhe në rend të parë, do të pamundësohet javashllëku, anarkia, e në veçanti hajnia, korrupcioni e deformimet e shumta, që përcillnin shoqërinë kosovare që nga pas lufta.
Pra, me zbarkimin e Eulex-it, ishte krijuar një opinion i përgjithëshëm, se, më në fund, (shpresohej) vlerat europiane, do të instalohen edhe në Kosovë, dhe se shteti më i ri në botë, që është edhe pjesë gjeografike e kontinentit të Europës, do të orientohet përfundimisht kah zhvillimi, prosperiteti, dhe e bukura që identifikohet me Europën e zhvilluar dhe demnokratike.
Ne, që ishim pjesë të debateve gjatë asaj kohe, na kujtohen edhe mendime dhe opinione, të cilat thodhin të kundërtën që mendonin pjesa dërrmuese e kosovarëve, duke shtuar edhe këto “komplimente” për Eulex-in se ata, “janë të njejtë si Unmi-ku”, ”janë ata që në vendet e tyre janë të dështuar”, “janë njerëz me qëllime dhe misione të dyshimta”, dhe realisht, pjesërisht, këto vlërsime, sot janë realitet, por kuptohet, atë kohë, pos që ishte një bindje dhe besim tek Eulex-i, nëse rezistoje dhe refuzoje vendosjen e Eulex-it, shumë lehtë identikoheshe edhe si përkrahës i aferave dhe skandaleve, klaneve e grupacioneve të interesit, por edhe i qarqeve e përsonaliteteve të politikës së asaj kohe, që ishin të përfolur për afera te llojëllojshme që kishin kapluar Kosovën.
Të mendoje, ishte e pakapshme, e leje ma të bindeshe atë kohë, se një diplomat, gjeneral, apo zyrtarë i lartë i Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Holandës, Shteteve skandinave… të cilët, vetëm për 16 muaj qëndrim, nga tatimpaguesit e tyre, kishin paraparë të merrnin një buxhet prej 205 milionë euro, për të rrezatuar, në radhë të parë, shembullin e sundimit të ligjit e të sigurisë, por edhe vlerave univerzale të shteteve prej nga vinin, t’i lejojnë vetes, të sillen me papërgjegjësi dhe të adaptohen, e pse jo, edhe të involvohen në realitetin që mbretronte në Kosovë, ishte një utopi, që as nuk paramendohej, dhe edhe sot është vështirë t’i besohet.
Pas një periudhe mjaft të gjatë, e që arsyetohej me akomodim dhe njohje të realitetit, e që u përcoll nga një pjesë e madhe e stafit vetëm me ndërrim të garderobës nga ajo e Unmik-ut në atë të Eulex-it, kur “ kupa” ishte “mbushur” dhe ishte para shpërthimit, Eulex-i filloi ”gjahun” dhe një pjesë e madhe e kosovarëve mendon se kjo fushatë është ba në mënyrë selective, jo në katër cepet e Kosovës, por fillimisht ndaj çlirimtarëve, pastaj ndaj të “padëgjueshmëve”, në bazë të letrave anonime, por edhe në bazë të diktateve të grupeve të caktuara të interesit, që ishin pjesë e bizneseve dhe orekseve për përfitime përsonale dhe grupore.
U bastisën disa Ministri e ministra, (por shumë të përfolur u “amnistuan”), departamente e drejtori, kompani publike e private, por fatkeqësisht, në vend, që hetimet e nisura të përfundojnë e të mbyllen me vendime meritore, e të bazuara në fakte, dhe pa pardon, shume raste, edhe sot e kësaj dite, jane të pambyllura dhe nën hetime, që s’u dihet fundi, dhe kur përsonat që nisën këto hetime, së shpejti do të largohen edhe nga ky mission dhe nga Kosova, atëherë me të drejtë ka vend për kritikë dhe rezerva se Eulex-i gjatë kësaj periudhe mbi 2-vjeçare nuk përmbushi nevojat dhe parashikimet, por edhe premtimet.
Eulex-it i faturohen edhe dështime tjera që një pjesë e madhe e kosovarëve kanë menduar dhe shpresuar se kjo componentë evropiane ka fuqi, moral dhe kredibilitet, jo t’i eleminojë, por paksa t’i zbusë dhe t’i identifikojë e t’i fusë në agjendë të gjyqësorit e segmenteve tjera shtetërore, për t’i zgjidhur në vazhdimsi. Eulex-it i zihet për të madhe që nuk veproi edhe në një rast kur në zgjedhjet e fundit u vodh dhe manipulua skajshmërisht ajo që në përendim quhet e shejtë e që është vota e qytetarit. Pra edhe këtu dështoi Eulerx-i dhe vështirë është t’i falet.
Eulex-i, kohëve të fundit u kritikua edhe nga disa institucione vendore e liderë lokalë, por edhe disa nderkombëtarë, por u kritikua edhe nga “sulltani “ i Kosovës, Piter Feid!
Pa Eulex-in, Kosova, me siguri do të zhytej edhe më shumë, në një pasiguri dhe dështim institucional më të theksuar, e në veçanti në aspektin e krimit të organizuar, korrupcionit... por këto rezultate që ka arritur ky mekanizëm ndërkombëtarë, që përfaqson Evropën demokratike, karshi premtimeve, e në veçanti pritjeve e nevojave tona, për rezultate në vijën e sundimit të ligjit e të sigurisë, nuk përmbushën as paarshikimet e as zotimet që në nismë kur erdhën e që janë të përshkruara edhe në preambulën e këtij misioni. Edhe sa i përket slloganit “partneritet për drejtësi” mund të themi se kjo është një marketing dhe parullë që nuk përkon fare me kronologjinë e ngjarjeve dhe rrjedhave të këtij misioni në Kosovë, që nga vendosja e misionit e deri më tash!
Megjithatë, Zotërinj, edhe pse jeni vonuar, Kosova ka nevojë për Juve, por JU duhet të veproni, sepse keni një rast të mirë për të dëshmuar se kush jeni dhe nga jeni. Pa ju me siguri do të bëhej më keq.