| E enjte, 23.06.2011, 07:18 PM |
SKËNDER R. HOXHA
HAIKU I DUSHKAJËS (III)
Haiku udhëton, shtegton
Nëpër fusha kodra, alpe –
Dhe në krahinë t’Dushkajës…
Eh, Dushkaja ime
T’i dua të gjitha stinët
Por më tepër pranverën…
U nis stinë e pranverës,
Dallëndyshet u kthyen –
TI nuk je me lulet!
Lulet qëndisin fushat
Malet e bregoret n’Dushkajë,
I nuhas në pritje me diellin…
Zanat e malit habiten
Kur më shohin pa TY,
Në netët pa hënë!
Nganjëherë si fëmijës
Më vjen shpresë e re –
Se një ditë do të kthehesh…
Në net të serta –
Ëndërroj gjumin nën flokët tua,
Mbi gjethe dafine…
I dua zogjtë e natës,
I dua të lehurat e qenve
Që na shoqëruan pesë vjet…
Pesë vjet dashuri – idilë
Me aromë virgjëreshe –
I vumë në litar jete!...
Idilet tona të përsëritura
Deri te hija e zbehtë e ndarjes,
Deri te fustani yt i nusërisë…
Në terr vizatonim frymëmarrjen
E dashurisë së pavdekshme –
Por, ndarja vinte me hapa helmi!
Kaloja net në male të Dushkajës
Herë ishin të nxehta herë me shi e brymë
Me të dashurat virgjëresha…
Pata shumë dshnore (atëherë)
Më vonë janë martuar, gëzuar ato (?) –
U kam uruar mbarësi…
Të dashurova kur isha i ri - i martuar.
Për TY derdh lot e shkruaj vargje –
Tash i moshuar – pa TY, e pafajshme!
Ah, si të kishte mundësi –
Lotët e mi të derdhen
Në qukat e faqeve tua!
Iku ajo kohë shpejt, sa shpejt!
Si ëndërr e pakryer,
Në anije të fundosur…
Të rrëmbeu fjalë e Kanunit
Të rrëmbeu fjalë e traditës
Unë pa ty – në atë pikë të ditës!
Karvani i krushqve ecte krenisht,
Ty, në një makinë të kuqe –
Të kishin nisur të bëhesh nuse…
Si kusar deti përcillja çdo gjë
Nga rrugica të atij katundi –
Athua si do t’më zënte muzgu?
Peja më priste atë mbrëmje
Ky qytet pranë alpeve –
Ishte vendbanimi im i dytë.
Humbe, u trete pa adresë
Çdo lidhje jona mori fund –
Mbetën kujtime dashurie…
Dashuria e sinqertë
Në pyllin bungishtë –
Më ther si shigjetë!
Ëndrrat nuk më lënë rehat
Më molis MOSPRANIA –
Më kapit PAFAJËSIA…
(Maj - qershor 2011)