| E merkure, 22.06.2011, 07:55 PM |
Sabile Keçmezi-Basha
sabile_basha@hotmail.com
CIKËL POETIK
“NË SAMARIN E HISTORISË”
Fytyra
Kurrë nuk lakmova
Një tjetër fytyrë
Një tjetër botë
Dhe një tjetër fat
Kurrë nuk desha
Një tjetër vend
Një tjetër stinë
. . .
Desha të kem
Vetëm pak diell
Pak ngrohtësi
Pak liri
Për vete
Për nënë-Tokën
Dhe për ata
Që do të lindin
Vjeshtë
Vjeshtë… tetor… ora njëzet
Heshtja bën dialogun me mua
Telefoni nuk bëzan
Si ditëve të rëndomta
Jashtë rigon shi, përsëri shi
Vjeshtë e lotuar në Prishtinë
Në univers zhvillohen betejat
Ushtarët nga të dy anët bien
Pa fitimtarë
Unë pres udhëtimin tej muzgut
Të kohës së sëmurë
Që zgjat me vite
...
Në tokën-Nënë
Në samarin e historisë
As ti as unë nuk e mësuam dot historinë
e tani duhet kuvenduar me varre të atdheut
për të mësuar nga ADN-të e mbetura
mbi gjeografinë e dhembjes
Do të më pyesësh
Ç’kërkoj në skedarët e pluhurosur arkivorë
Kur kurrë nuk pati dritë
E dhembja migrenoze e harrimit
Shteron kroin e pafund të kujtesës
Sot
Ne jemi ushunjëza të kepit
Mumies së panjohur do t’ia grisim maskën
Historinë duhet mësuar me mur e muranë