Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vlashi Fili: Ti Shqipëri më ep nder

| E marte, 21.06.2011, 08:05 PM |


Kendohet Himni i Flamurit
Kendohet Himni i Flamurit

 

TI SHQIPERI ME EP NDER

 

Shkolla shqipe “Gjuha jonë” përfundoi vitin e tetë

 

Nga Vlashi Fili

 

Vesa Dobi duke puthur Flamurin
Vesa Dobi duke puthur Flamurin
“Ti Shqipëri më ep nder”, është vargu shumë i njohur i poemës madhore “Bagëti e bujqësi”, e bilbilit të gjuhës shqipe, poetit të madh, Naim Frashëri, varg që tashmë është shumë i përhapur ndër shqiptarët, në përgjithësi dhe sidomos ndër ata që janë larg atdheut, në veçanti.

Nën siglën “Ti shqipëri më ep nder”, grupi i fëmijëve të shkollës shqipe “Gjuha jonë” në Filadelfia, kishte përgatitur dhe dha, më 12 Qershor 2011, para prindërve dhe bashkatdhetarëve të tjerë, programin e tyre me këngë e recitime, në mbyllje të vitit shkollor 2010 – 2011.

Është viti i tetë që mbylli me sukses kjo shkollë, nën patronazhin e këshillit drejtues të shoqatës “Bijtë e shqipes”. Tetë vjet jetë, tetë vjet suksese, tetë vjet që grupe fëmijësh kanë mësuar në bangat e kësaj shkolle, nuk janë shumë, por as edhe pak. Dhe atë çka fëmijët mësojnë në këtë shkollë e shpalosin në programin e tyre në mbyllje të çdo viti shkollor. Kjo tashmë është kthyer në një traditë të bukur në këtë shkollë. Kështu ndodhi edhe këtë vit, në ceremoninë e bukur, që u organizua në sallën e veprimtarive të qendrës kulturore të shoqatës, para shumë të pranishmëve.

E Diela e 12 Qershorit 2011, në shkollën shqipe “Gjuha jonë” filloi si çdo ditë tjetër, në ora 10:00 para dite, por më tej nuk vazhdoi si ditët e zakonëshme. Fëmijët të ndarë sipas klasave e të ulur nëpër tavolina, nuk kishin mbi tavolinë librat e fletoret, që shoqata u a ka dhënë falas, por vetëm një letër të bardhë dhe lapsin me majën e mprehur mirë. Do të bënin testin përfundimtar për të treguar se në çfarë shkalle kishin arritur në përvehtësimin e programit të shkollës. Dhe testi ishte i diferencuar, sipas nivelit mësimor të klasave. Klasa e parë dhe e dytë u testuan në diktim, kurse tre klasat e mësipërme, në hartim.

Eshtë i treti vit që në programin e shkollës shqipe është futur testimi i nxënësve në mbyllje të vitit shkollor.

Mbas përfundimit të testit, ndërsa mësueset merreshin me kontrollin e flet-testimeve, fëmijët përgatiteshin për të filluar shfaqen para të pranishmëve që mbushën sallën.

Në fillim fëmijët ngritën fletat e bardha me gërma të mëdha ku u lexua sigla e programit: “Ti Shqipëri më ep nder”, që u shoqërua me duartrokitje në sallë. Pastaj në krye të grupit dolën dy nxënëset që sapo përfunduan vitin e pestë, Anxhela Fili dhe Xhesida Pajollari. Të dy këto bukuroshe nuk kanë qenë të vetme nga familjet e tyre në këtë shkollë. Anxhela ka patur vëllanë por që ka përfunduar shkollën tre vjet më parë, kurse Xhesida vëllanë e saj e ka më të vogël, sapo përfundoi vitin e dytë në këtë shkollë.

– Të dashur prindër, mësues e të ftuar.

– Mirëse keni ardhur në programin tonë.

– Duam me këtë rast të falenderojmë mësueset tona për punën e palodhur, prindërit tanë, që edhe pse të zënë me punët e tyre, e gjejnë kohën për të na sjellë ne,  në këtë shkollë, si dhe shoqatën “Bijtë e shqipes” që kujdeset për shkollën.

– E hapim programin me Himnin e Flamurit.

Ishin fjalët e këtyre dy vajzave-spikere që hapën programin duke folur herë njera e herë tjetra. Të gjithë të ngritur në këmbë shoqëruan fëmijët.

Daniel Bici ne momentin e puthjes se Flamurit
Daniel Bici ne momentin e puthjes se Flamurit
Në emër të këshillit drejtues të shoqatës përshëndeti z. Petrit Zanaj, kryetar i shoqatës. Mbasi uroi fëmijët dhe falenderoi të pranishmit midis të tjerave ai theksoi.

“…….Të gjithë fëmijët që kanë kaluar në bangat e kësaj shkolle, dhe të tillë ka që janë duke vazhduar tashmë arsimin e lartë, e kujtojnë me nderim shkollën shqipe “Gjuha jonë”. Ne, prindërit dhe fëmijët do ta vazhdojmë këtë traditë të bukur në Filadelfia, të filluar tetë vjet më parë…..”

Në përfundim të fjalës së tij z. Petrit Zanaj falenderoi të ftuarën e nderit, znj. Dorothy Thomasini, që ka ardhur në Amerikë vetëm shtatë vjeçe dhe e ka ruajtur gjuhën shqipe, si dhe mësueset e shkollës Mirjana Kina, Raimonda Bardhi, Nikoleta Papaj e Irini Zenelaj, që me shumë pasion kanë punuar për t’u mësuar fëmijëve gjuhën tonë të bukur, gjuhën shqipe.

Pastaj fëmijët paraqitën atë çfarë kishin përgatitur. Dy drejtueset e reja, Angela dhe Xhesida njoftuan me radhë grupet, sipas klasave, nga e para tek e katërta dhe e pesta, dy të fundit u paraqitën së bashku. Të gjithë fëmijët në sejcilin grup, recituan vjersha për abetaren, atdheun, gjuhën shqipe, flamurin, nënën, natyrën, mësueset, etj. etj. nën drejtimin e mësueseve të klasave përkatëse.

Grupi i klasës së dytë, përgatitur nga mësuesja Nikoleta Papaj, bëri një paraqitje disi ndryshe nga grupet e tjera. Çdo pjestar i grupit recitoi një pjesë nga poema “Bagëti e bujqësi” të Naim Frashërit, dhe njëri pas tjetrit, të gjithë së bashku kompletuan këtë poem të bukur.

Kur përfundonte programin njëri grup, të gjithë së bashku këndonin një këngë. E kështu me radhë u paraqitën të katër grupet. Kështu u kënduan këngët për atdheun, flamurin, nënën, dhe pranverën. Ishin këto momente që salla buçiste jo vetëm nga zërat e fëmijëve që këndonin, por edhe nga përplasjet ritmike të pëllëmbëve që shoqëronin gjithë këngët.

Në vazhdim një nga drejtueset u shkëput nga grupi i fëmijëve dhe u ul para pianos, ku interpretoi një pjesë, me të cilët tregoi se këta fëmijë ushtrohen edhe në vegla muzikore. Duartrokitjet që e shoqëruan në përfundim treguan se ajo u pëlqye.                    – Ju falenderojmë për pjesërmarrjen tuaj dhe ju urojmë të kaloni një verë të këndëshme, - ishin fjalët e Anxhelës dhe Xhesidës në mbyllje të programit të fëmijëve.

Në vazhdim u kalua në pjesën tjetër të ceremonisë, në shpërndarjen e dëftesave dhe çmimeve të vëna për nxënësit më të mirë, pjesë që pritej me kureshtje nga të gjithë.

Z. Llazar Vero thërriste emrat e fëmijëve, duke filluar nga klasa e parë.

Ishte me të vërtetë moment i bukur ky i dorëzimit të dëftesave. Në krye të sallës doli Kevin Matraku, nxënës i dalë nga kjo shkollë dhe që e ka përfunduar atë një vit më parë. Ai mbajti në dorë flamurin tonë me shqiponjën dy krenore në mes. Z. Llazar Vero thërriste emrat. Fëmijët afroheshin tek flamuri, uleshin në gjunjë, i drejtoheshin atij me fjalët “Të falem o flamur”, e puthnin dhe e vinin në ball. Pastaj z. Llazar u jepte zarfin, brenda të cilit ishin dëftesa dhe vlerësimet. Nxënësit e vitit të pestë kishin dhe çertifikatën që vërtetonte se kishin përfunduar me sukses ciklin e plotë 5-vjeçar të kësaj shkolle. Çdo fëmijë që i thirej emri, shoqërohej nga britmat e gëzuara të shokëve apo shoqeve të shkollës si dhe nga duartrokitjet e të paranishmëve.

Këto ishin me të vërtetë jo vetëm momente të bukura por edhe emocionuese, tek shikoje gëzimin e fëmijëve si dhe fytyrat e qeshura të prindërve dhe më pas edhe përqafimet midis tyre, në shënjë urimi për fëmijët.

Pastaj u ndanë edhe çmimet.

Z. Fred A. Gllas, anëtar i shoqatës, kishte vënë pesë çmime për nxënësit më të mirë të çdo klase. Z. Sadik Elshani, nënkryetar i parë i shoqatës, kishte vënë një çmim për hartimin më të mirë, kurse znj. Dorothy Thomasini, dy çmime për nxënësit më këmbëngulës në mësimin e gjuhës shqipe.

Në mbyllje z. llazar Vero uroi edhe një herë fëmijët për punën e bërë dhe njoftoi se shkolla do të rihap dyert në vitin e nëntë të saj më 11 Shtator 2011.

Këtë festë të bukur e mbylli koktejli i zakonshëm i shoqatës.

Edhe ne ju urojmë fëmijëve pushime të gëzuara dhe mirëardhëshi në shtator.

Anxhela ne piano
Anxhela ne piano

Nadja e vogel recitoi me shume pasion
Nadja e vogel recitoi me shume pasion

Ne castet e testimit
Ne castet e testimit

Filadelfia, 13 Qershor 2011