Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shefik Shkodra: Testi i maturës shtetërore

| E diele, 19.06.2011, 08:04 PM |


Për arsimin kosovar

 

TESTI I MATURES SHTETËRORE

 

NGA SHEFIK SHKODRA

 

Verifikimi jo veç i mësimnxënies, po edhe i mësimdhënies.

 

Testi është puna më mirë për vlerësim, por edhe përgatitja, kushtet dhe angazhimi do të duhej të jenë të larta e të gjithanshme. Me bazë nga praktika e realiteti i jonë kosovar. Do të thotë, sa punohet dhe sa angazhohemi, jo veç mësimdhënësit, por edhe strukturat në ministrinë e arsimit, pa dyshim aq edhe do të arrihet suksesi i përgjithshëm. Në qoftë se është shprehur përqindje madhe i suksesit negativ, do të duhej patjetër që të kërkohet shkaku. Në këtë rast, shprehja e madhe e suksesit negativ te nxënësit, është edhe shprehja e suksesit negativ për mësimdhënësit, drejtorët e shkollave, drejtoratet komunale, ministria e arsimit dhe të tjerët. Duhet të mësohemi, po për çdo segment më shumë po na kushton prova si element për një përvetësim të mirëfilltë e të drejtë, se sa esenca e krejt asaj barre që po angazhohemi. Ku dhe kur është ajo e mirë që të arrijmë ato njohuri, për t’u verifikuar me një test të tillë, çfarë po mundohemi ta vëjmë në praktikë qe disa vite në Kosovë. Është mjaft punë e mirë dhe e shëndoshë, po qe se do të ishte test konform njohurive të fituara te nxënësit për njohuri të kësaj moshe, që e quajmë – maturë. Për të arritur këtë mundësi do të duhej më parë të maten njohuritë e fituara, punët që janë bërë gjatë gjithë shkollimit dhe organizimi, që të kurorëzohet në atë nivel sa mos të ketë aq shumë pakënaqësi. Më parë është një mungesë e kushteve teknike. Hapësira shkollore nëpër disa qytete ende e pamjaftueshme: në dy e tri ndërrime – nga tridhjetë minuta ora e mësimit. Numri i madh i nxënësve në paralele (mbi 40). Kuadri dhe mjetet konkretizuese. Digjitalizimi i shkollave (hulumtimet dhe ndihmat nga interneti). Plan-programet me literaturën e nevojshme, gjithnjë konform me atë qëllimin e fundit, fitimin e njohurive të përgjithshme sipas interesit tonë.

 

Kontrolla e nevojshme dhe e domosdoshme

 

Nuk mund të pritet edhe një kohë vetëdije te qytetarët tanë. As te mësimdhënësit që të punojnë pa ndihmën e të tjerëve. Nuk mjafton, të themi, trajnimi i mësimdhënësit po bëhet sipas standardeve e metodave bashkëkohore. Duhet rregullore e punuar nga njerëz të ditur, që njeh mirë natyrën e punës në arsim. Dhe ajo rregullore e dalë nga ligji duhet të jetë pa alternativë sa i përket personelit mësimdhënës. Nuk mundet që secili sipas dëshirës të shkoj në orë të mësimit. Ose, të merret edhe me punë të tjera. Nuk duhet të lejohet, që mësimdhënësi të shkoj para nxënësve i pa përgatitur. Nuk mund të mos aplikohet plan-programi me orët (mësimin) që i mban arsimtari dhe i shënon në ditar të punës. Kontrolli është formal në të gjitha nivelet. Mbikëqyrja është e nevojshme.

Veç këshillave profesionale dhe sugjerimeve në raste të përgjithshme, po më shumë për raste shumë të veçanta, për ta cilësuar kuadrin punëtor nga jo punëtori, kjo po na mungon. Angazhimi i pedagogëve (të zgjedhur), psikologëve dhe personelit adekuat për përcjelljen dhe mirëvajtjen e procesit edukativo-arsimor është imanente dhe nuk duhet të mungoj. Kjo veç sa do të ndihmojë dhe në asnjë mënyrë nuk i uzurpon të drejtën e askujt.

Hospitimi nëpër orët mësimore gjatë vitit nga ana e një inspektorati profesional, do të ishte mirë të bëhet prej klasës parë e deri në fund, para këtij provimi. Këshillimi i drejtpërdrejt i mësimdhënesve për metodat dhe përgatitjen e tyre për orë mësimore. Jo në mënyrë stihike dhe kush sa dëshiron e “mëshiron” ta bëj punën e mësimdhënësit. Por edhe strukturat tjera duhet të jenë përgjegjëse për atë që u takon. Gjatë vitit shkollor nuk është e pranueshme që nxënësit të notohen falso. Deri në fund me shtatë-tetë nota të dobëta, në ditën e fundit sillet nxënësi në provim, ose kalon me sukse pozitiv. Të rriten notat që nuk përkojnë me realitetin, pastaj askund. Në pamje të parë, formalisht, duket arritje e mrekullueshme, por në realitet është veç një tradhëti që u bëhet atyre nxënësve nga vetë arsimtarët. Këtë e bëjnë mësimdhënësit, sepse nuk kanë përkrahjen e duhur, por edhe mbikëqyrjen. Kjo dukuri tashmë do të duhej të ndërpritet. Një përpjekje e mësimdhënësve në kushtet si i kanë që ta shikojnë gjendjen se, kush është realisht fajtor për mos sukses dhe anasjelltas, do të ishte analizë në çdo pikëpamje. Nuk do të duhej të merret përherë se, vetëm nxënësi është fajtor. Ata e shohin mirë se edhe mësimdhënësit dhe strukturat tjera janë bashkëfajtorë në këtë proces. Nuk do të duhej që, plan-programet t’i bëj ndonjë amatorë. Nuk duhet t’i lejohet që kushdo mund të bëj tekst shkollor...

 

 Pas vlerësimit – hartimi i testit

 

Drejtoritë e Arsimit merren vetëm me statistika, por nuk kanë kuadro nevojshme dhe nuk kanë kompetenca që të bëjnë kontroll dhe vlerërsim të duhur profesional.

Kur të bëhet vlerësimi i mësimdhënies në terren, atëherë, ulet komisioni dhe bën testin përafërsisht, sipas asaj punës (të shumtën) që është realizuar. Sipas krejt punës që është zhvilluar dhe që është për t’u përvetësuar. Jo imitime. Jo metoda të sterotipe e nga ex cathedra, po krejt në mbështetje praktike e me fakte në vend ngjarje të verifikuara. Edhe testi do të dilte, përafërsisht ekuivalent me vlerësimin nga terreni

Vendvendosja dhe vendmbajtja e testit me mbikëqyrës që do të kontrollonin nxënësit, pa telefona dhe mjete të tjera, që shfrytëzohen nga ata, një pjesë e mirë pa i penguar askush deri më tash. Në këto vite prej kur ka filluar të praktikohet ky test, kemi raste, kur nxënësi i shkelqyeshëm gjatë gjithë shkollimit, tash ngel për një pikë. Ndërsa, nxënësi që është dashur ta përserit vitin saherë, ai fiton pikë të mjaftueshme. Kjo nuk do të ishte kurrfarë sadisfaksioni as stimulim për ata nxënës që aq shumë përpiqen seriozisht dhe në fund bijnë nga provimi. Ndërsa tjetri, që nuk e çelë gojën për sa vite që vijon shkollimin e kalon këtë test si më i miri?! Ku ka më keq se kjo?! Kryerja e këtij testi është relative, që do të thotë, se ky nuk është testim i mundshëm vetëm për nxënësit e shkëlqyeshëm. Megjithatë, ka diçka zbraztësi që lejohet të manipulojnë ata nxënës që nuk janë të përgatitur. Kontrolli ose është rigoroz ose nuk ka fare gjatë mbajtjes së testit. Kur duhet të punohet drejt, atëherë, pse mund të ndodhë që në disa paralele me mbikëqyrës tolerant, të gjithë kalojnë. Në paralelën tjetër, për shembull, të gjithë ngelin. Kriteret do të duhej t’i respektojnë njësoj të gjithë. Ata që bëjnë lëshime të paarsyeshme, do të duhej të marrin edhe përgjegjësinë.

 

Testi të lirohet me ngarkesë kohe dhe të materies

 

Ky test nuk do të duhej të mbahet i tëri, sipas mendimit tim, për këto lëndë pa ndërprerje, për 180,oo min (tri orë të plota), kjo nuk është diç që duhet të zihet gjithqysh veç në këtë interval kohor. Koha është e gjatë pa pauzim për moshën e të rinjve. Koha e gjatë pa shlodhje psiqike shkakton turbullira, monotoni, kokëdhimbje dhe jo qëndrueshmëri. Mandej, lëndët do të ishte mirë të ndahen në dy grupe dhe ky test të mbahet për dy ditë. Edhe gjuhë edhe shkencat tjera për njëherë nuk do të ishte e preferueshme. Përzierja e shkencave shoqërore me ato natyrore, do t’ishte një dekoncentrim për nxënësit dhe do të sillte huti. Testi do të duhej t’i përshtatet pak edhe vëllimit të materies sipas shkollës dhe plan-prigramit. Bie fjala, në njërën shkollë që mësohet lënda dy orë në javë, vetëm një a dy vite, nuk është e mundur të jetë e barabartë me atë shkollë, në të cilën materia mësohet me një fond më të madh orësh, apo për më shumë vite se te ajo tjetra.

Nëse diku tjetër në Evropë (nuk besoj) testi i tillë mbahet përnjëherë, kjo nuk do të thotë se, ne kemi arritur kulmin dhe ne gjithashtu të bëjmë si diku tjetër, duke pasur parasysh edhe krejt rrethanat që përmenda po edhe shumë e shumë që nuk janë përmendur më ketë rast.