| E diele, 19.06.2011, 06:58 PM |
E lumtur midis prindërve, Takim pas 8 vjetësh, Tiranë 2005
Keze Kozeta Zylo
Babait tim
Drithërohem e tëra kur të shkruaj baba,
Larguar nga prehëri yt qysh fëmijë,
E zhytur thellë në humnerën e mallit,
Lus Zotin që një ditë aty të vijë.
Ca lot si gur brilantësh,
Ku brenda kanë plazmën e dhimbjes,
Si katarrakt rrjedhin mbi gjoks,
E aty formojnë shtratin e pritjes.
Se zemra tënde është një det,
Ku si shtëllungë mbledh kujtimet,
Në mendjen tënde aq brilante,
Pasurohem unë në ditë e vite.
Hap faqet e ditarit me fletë malli,
Të shoh nëpër letra vite dërguar,
Ndoshta të dy në të njëjtën kohë,
I shfletojmë ato si relike, çmuar.
Komunikoj me to qetësisht vështruar,
Dhe miklojnë shpirtin të ëmblat fjalë,
Edhe pse vitet si erë kanë shkuar,
I shtrenjti Baba, je shok i rralle!
Dhjetor, 2007