| E diele, 19.06.2011, 07:09 PM |
Liman Zogaj
AKUPUKTURA E DHEMBJES
Gjilpëra të shpuara
këmbë e kokë
operim i dhembjes
në heshtje.
Akupuktra
le ta marrë edhe tokën
ku dhembje
e gjak kullon.
po zogu
po fëmijët jetimë
po lejleku mbi detin e ngrirë
po ylberi mbi grunajat që kallen
po Vehbi Skënderi në vargun e fundit
po unë pa djep e pa varr
Po Bekim Fehmiu në Premierën prej Hiri
po Lumbardhi me Aktorin e Puplave
po unaza e Inflandit pa Moisiun
Po Shqiponja me do gjemba mbi kokë
po flamuri me dhe mbi zemër
po Atdheu lesh e li
Bac, ende nuk u kry, jo,
Akupunktura e Dhembjes
dhemb!
HERBARIUMI I ËNDRRAVE
Një nga një
i herri dëshirat dhe ëndrrat
e i var në Herbariumin
e botanikës së vrarë.
Gjeometrinë e shpirtit
e thyj
në njëmijë kënde
ani se flijohem për yjet.
Kohë lavire
nëpër dritë,
Xhelatin dhe Engjëjt
mos i i fut në një urnë.
Në qiellin e syve të mi
Je dritë shprese.
Në pranverën e buzëqeshjes sime
Je diell i amshimtë.
Në stinën time pa ty
je shpirti im i plagosur!
DËSHIRAT E MIA
Po të isha reze
do t’i përkëdhelja
fëmijët jetimë,
zogjtë, lulet, ylberin.
Kam dëshirë
të jem dallgë
kur deti trazohet
vala të ma lajë gjoksin prej guri.
Kam dëshirë
të jem gurë
kurrë të mos digjem
prush e flakë në supe.
Kam dëshirë
të jem vetëtimë
Atdheut t’ia shkruaj
Kufirin prej flake.
Kam dëshirë,
o kam dëshirë,
Nënën ta thërras Zemër
e Nëna të më thotë Zogu im!