| E premte, 17.06.2011, 07:50 PM |
Recension
Një libër faktografik me portrete të anatemuarish
Nga Skënder IDRIZI
Se në qindvjeçarin e sundimit të regjimit jugosllav, jeta e shqiptarëve ka qenë një tragjedi e luajtur në shumë akte, këtë më së miri e dëshmon libri publicistiko-dokumentar i sociologut ferizajas, Enver Zhinipotoku titulluar "Portrete të anatemuarish". Ky libër mëton të sjell para lexuesit një pasqyrë të ngjarjeve të kohës dhe personazheve të tyre, të cilët duke mos u pajtuar me tradhëtinë që iu bë Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore, u rreshtuan si pjesë e vertikales së kombit për të sfiduar pushtetin antishqiptar që ishte instaluar asokohe. Dhe në përballje me të nuk ishte aspak lehtë. Intelektualë të kohës, një numër prej të cilëve janë personazhe të këtij libri, ishin ata që më së miri kishin honepsur djallëzitë e këtij regjimi antishqiptar dhe i ishin rrekur krijimit të një vetëdije thellësisht kombëtare për të shuar vetëdijën proletare falso që shqiptarëve u mori shumëçka dhe nuk u dha asgjë.
Ngjarjet e këtij libri hapen me periudhën e largët e dëbimit masiv të shqiptarëve në vitet 1877-78, ardhjen e muhaxhirëve, periudhat e mëvonshme historike që çuan deri në konfrontim të hapur me pushtuesin, ngjarje nga periudha e mbretërisë SKS-së, të Luftës së Dytë Botërore, Betejës së Ferizajt më 2 dhjetor 1944, konfrontimi i parë i ballistëve me partizanët, lëvizja e NDSH-së e deri tek dekadat e mëvonshme të lëvizjeve për çlirim, periudha këto që dhanë martirë e heronj. Dhe në gjithë këto ngjarje personazhet e këtij libri, që janë personazhe historike dhe familjet e tyre, sikur e përplotësojnë atë që është shkruar deri më tash nga historia jonë kombëtare. Por, Zhinipotoku ka arritur që materies historike, të cilën e njeh mirë, t'i ndërvë edhe fakte tjera nga dëshmi reale të dëshmitarëve, duke dhënë argumente shtesë dhe duke dimensionuar këto epoka edhe në rrafshe tjera, të cilat mbase e bëjnë këtë libër me mbreslënës për lexuesin.
Libri hapet me një vështrim faktografik për familjen më të vjetër të Ferizajt, familjen Goga, e cila shumë herë gjatë shekullit u la në gjak, u ndoq dhe u persekutua. Zhnipotoku sjell të dhëna të vjela nga goja e më të moshuarve të kësaj familje, mbi aktivitetet e Muharrem, Riza, Faik, Mustafë dhe anëtarëve tjerë të kësaj familje ndër vite që me lëkurë e paguan rebelimin kundër komunistëve. Në kapituj tjerë të librit zënë vend familja Dubova "dy vëllezër e dy motra të një nëne e të një babai, të varrosur në katër kontinente" kapitull që flet për përmasën e tragjedisë individuale të shqiptarëve si pjesë e pandarë e tragjedisë kolektive. Përveç Gogëve dhe Dubovëve një familje tjetër emblematike e Ferizajt, ndriçimit të së cilës i është qasur Zhinipotoku është ajo e familjes Matoshi nga Nikadini. Jepen fakte për sakrificën e tre brezave për atdhe apo 11 martirët e kësaj familje.
Pas vështrimeve mbi familjet meritore, autori jep porteretet e një numri të madh atdhëtarësh të devotshëm: Salih Svarçës, Adem Selimit-Gllavicës, Abdullah Musliut, Adem Zenelit-Çuklit, Jusuf Ukës-Bregut, Ibrahim Graincës-Cërnillës, Bajram Qykovcit-Currit. Periudha e veprimit të tyre, sipas autorit, ishte ndër periudhat me të rënda. Këtyre emrave u takoi barra që për herë të parë të përballen me forcat komuniste në vitin 1944, të pakënaqur me zhvillimet e kohës që e lanë Kosovës jashtë trungut etnik. Lexuesit i ofrohen të dhëna shumë interesante që kanë të bëjnë me formimin intelektual e kombëtar të këtyre perosnazheve “të mallkuar”, pastaj detaje mbi organizimin e mirëfillt për luftë të armatosur dhe për jetën në ilegalitet si dhe për tmerret që përjetuan në kazamatet serbo-sllave. Por autori ka depërtuar edhe në rrafshe tjera, duke sjell edhe tablo nga jeta e tyre, relacionet e tyre me familjet deri tek situatat emotive që u janë krijuar si optimizmi, dashuria, zhgënjimi dhe të ngjashme. Ndër tablot intersante janë edhe ato që flasin për komukimin me atdheun nga distanca, nga vendet ku kishin mërguar dhe kishin gjetur strehë dhe tek të cilët kishte mbetur e pashuar dëshira për t'u kthyer edhe prehur në atdhe. Fatkeqësisht një numër prej tyre nuk e përjetuan këtë.
Grupin tjetër te portreteve që kanë zënë vend brenda këtij libri e përbëjnë peronalitetet që punuan një kohë për regjimin, por ansjehrë nuk u pajtuan me politikën që bënte pushteti i kohës. Njëri nga ta është edhe Sali Bajra nga Kaçaniku, një figure emblemë e këtij qyteti, disa herë kryetar komune. Bajra, sipas autorit njihet si njeri që i dha vrull zhvillimit të kësaj qyteze, e cila aso kohe i ngjasonte një kasabaje. Hapja e shkollave fillore dhe të mesme, kontributi për hapjen e Univeristetit të Prishtinës janë ndër meritat që i atribuohen sot Bajrës, për të cilit i ishte marrë libreza e kuqe dhe ishte shkarkuar nga pozita e kryetarit. Autori jep detaje edhe mbi konfrontimin e tij me pushtetarët maqedonas. Një kaçanikas tjetër që zë vend është edhe pjesëtari i NDSH-së, Rexhep Bunjaku, i dënuar me vdekje dhe i mbijetuar. Si nëpunës i OZN-as, Bunjaku 18 vjeç kishte përjetuar tmerret e dhunës së çmendur që ushtrohej ndaj shqiptarëve dhe kishte përqafuar konceptet e NDSH-së, deri në arrestimin e tij.
Libri sjell të dhëna edhe mbi dy personalitete të kohës, dy disidentëve, Sadik Tafarshikut, shpërndarësit të librit shqip në gjitha vendbanimet shqiptare në Kosovë e troje tjera etnike dhe të burgosurit, historianit dhe krijuesit letrar, Ramadan Haziri.
Këto portrete të dhëna në këtë libër janë të lidhura mes vete, ashtu siç janë të lidhura periudhat të cilave u takuan ata. Ngjarjet janë koherente dhe shpalosen kronologjikisht ashtu siç kanë ndodhur. Pjesët e ndërvëna me biseda dhe referenca janë specifike, meqë ato forcojnë faktet historike. Ky libër i Zhinipotokut është një libër që lexohet me një frymë. E karakterizon edhe gjuha shumë e pasur, përpos asaj fakto-grafike dhe ajo figurative. Sociologu e thotë troç në momente një mesazh drejtuar klasës politike, se kanë qenë këta njerëz të mëdhenj që e deshën dhe punuan mbarë për atdheun, jo për parti e ideologji.