| E enjte, 16.06.2011, 07:00 PM |
PËR ATA QË NUK DUEN ME BESUE !...
Nga Fritz RADOVANI
Shpesh përdoret një thanje: “Kjo botë asht e bukur, se ka gjithfarë njerëzish!”. Sigurisht, edhe kjo ka shpjegimet e veta filozofike. Secila thanje që i ka qendrue kohës, gati-gati asht ba e padiskutueshme. Jeta dhe puna të përpjekë me shumë nga provat e këtyne thanjeve.
Në Shqipni erdhi një kohë që shumica e njerëzve na dukeshin se nuk besonin në Zotin.
Mbas vitit 1944, kur erdhën në pushtet komunistët, për pak vite ata nuk e zbuluen fytyrën e tyne të vërtetë ateiste. Madje, në ditët e para të Janarit 1945, kur ka ardhë në Shkodër vetë terroristi Mehmet Shehu dhe ka vizitue Gjimnazin “Illyricum” të Françeskanëve në Gjuhadol, aty ai u ka folë studentëve për vlerat e mëdha Atdhetare dhe kulturore të Asaj shkolle...
Nuk asht aspak me u çuditë. Në vitin 1967, kur Enver Hoxha me Ramiz Alinë kishin nxjerrë nga kllefi shpatat e tyne të përgjakuna në luftë kundër Zotit, Fesë, Klerit Katolik dhe simbas tyne edhe kundër “zakoneve prapanike”, në letrën që At Pjetër Mëshkalla, i ka drejtue me 5 Prill terroristit të Spanjës, shokut të tyne të “armëve”, kriminelit Mehmet Shehut, që ishte asokohe kryeministër, Ai i shkruen: “...Kur në vj. 1945, në Tiranë, me 8 Mars, unë u ankova Juve, Shkelqesë, se kishem ndigjue prej komunistave fjalët: ‘Këte Kishë do ta bajmë kinema’; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.
Me të vërtetë, as armiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vedit...”.
Me datën 15 Nandor 1946 Kuvendi Françeskan i Gjuhadolit u kthye në burg. Të gjithë klerikët që u ndodhën aty u konsideruen të arrestuem si “armiqë të popullit”. Pra, pa pasë kalue as dy vjet, Ata profesorë që kishin edukue Atdhetarë prangohen në hekura si “armiqë”!
Me datën 16 në darkë dhe në të zbardhun të datës 17 Nandor, rreth orës 02.00 të mengjezit, forcat e Sigurimit të Shtetit, të drejtueme nga Shefi i Sigurimit të Shkodres, kasapi Zoji Themeli, me Pjerin Kçirën, Hulusi Hakon, Dilaver Sadikajn, Gjovalin Mazrrekun, Nush Babën, Lin Çollakun etj., fusin në Kishën Françeskane pranë kuvendit “Burg”, arkë municioni, armë të vjetra, mitraloza etj., dhe i mëshehin nën Elterë të Shna Ndout dhe të Zemrës së Krishtit. Armë u futën edhe nën Statujën e Shna Ndout. Atë ditë drejtues të organizatave të grues, rinisë, frontit etj., vizitojnë Kishën e shpërthyeme nga Sigurimi, që Populli i Shkodrës me pa me sytë e vet rolin reaksionar të Klerit Katolik, që donte me përmbysë Pushtetin “me armë”. Në darkë, operatorët jugosllavë xhiruen film me Klerikët pranë Elterëve ku “u gjetën” armët e vume nga vetë ata me spijunët tonë të Sigurimit në sherbim të shovenistëve serbë. Proceset e Fretënve të akuzuem për futjen e këtyne armëve vazhduen gati dy vjet. Askush nuk ndigjoi një nga gjyqet e zhvillueme të kësaj ngjarje. Me 11 Mars 1948 u pushkatuen: Imz. Frano Gjini, At Mati Prennushi, At Çiprian Nika, Don Nikollë Deda, të akuzuem për këte vepër. U dënuen shumë të tjerë si: At Donat Kurti, At Frano Kiri, At Pal Dodaj etj., me shumë vite burg të randë.
Kishte shumë nga ata që nuk u besonin komunistëve, po kishte edhe të tjerë që besonin. Në vitin 1967, të lidhun si mishi me thonin e kalbun me “vëllaznit” kinez, në Shqipni u zhvillue “Revolucioni Ideologjik Kultural”. Shqipnia u shpall “Shteti i parë ateist në botë”.
Ata që e kujtojnë atë kohë, besoj se nuk mund të harrojnë ankthin e një Populli: “Çka po ndodhë me mue sonte?!...” Lufta e pamëshirshme u ba kundër Kishës, Klerit, Popullit Katolik e Musliman të Shkodrës dhe kujtdo që mund të dyshohej nga komunistët dhe Sigurimi i Shtetit “i pakënaqun”, madje edhe mbrenda radhëve të vetë partisë dhe spijunëve të saj.
Ma në fund u mbyllën të gjitha Kishat. Shumë klerikë shkuen edhe një herë ndër burgje.
Shumë Kisha u kthyen në stalla, magazina, vatra kulture kooperativash, etj. Katedralja e Shkodrës u ba pallat sporti, Kisha e Motrave Stigmatine “Sallë gjyqi klerikësh” (Klubi i Rinisë), Kisha e Fretënve u ba “Kino Klub Punëtori”. Të gjitha, pa përjashtim, u vodhën, tue fillue nga parmakët e mermerit, gurët e kompanjelave, kumbonët, sahatat, shalldanat e deri tek unazat e Ipeshkvijve ndër vorrezat e Atyne Kishave. Kisha e Zojës, tek Kalaja, Kisha e Rusit, dhe Ajo e Vaut të Dejës e shek. XIII, mbas zhgatrrimit me dinamit, u rrafshuen fare. Këtë fat pat edhe Xhamija e Parrucës ku qylymat e saxhadet u vodhën nga komunistët, spijunët veteranë.
Me porosi të Ramiz Alisë, u projektue “Muzeu Ateist” mu në qendër të Shkodrës. Flitej se aty janë vendosë shumë objekte nga ata të Kishave e Xhamive, shoqnue me karikatura dhe fotografi të ndryshme kundër Fesë dhe besimeve. Unë nuk e kam vizitue kurrë, prandej edhe nuk di saktësisht çka përmbante ky muze...Koha eci ma shpejt se mendonim na. Dikund, aty nga Moska, hagrepët e sahatit të madh të Kremlinit, filluan me ra mbi kumbonët e ndryshkuna pa e kuptue njeri se dishka po ngjiste!...
Shtëpia e Bardhë mori pamjen e një tempulli ku Reagani dukej sikur një Përmendore...
Në horizontin e Vatikanit doli ylberi!...
Muri i Berlinit ra!...
Edhe pse e djegun dhe e zharitun, ngrihej Aty në mes të atyne selvijave në Rrëmaji, mes vorresh e gropash pa Shenj tek kryet t’ Atyne Martirëve të Fesë e t’Atdheut, na dukej e zhdukej nga frika, ankthi e mosbesimi, hija e Skenderbeut, me mjekerr të bardhë e të thinjun si biluri, e murrlani e merrte me vete tue u naltue drejt një kupole të shembun, me dorën nalt. Ai sillte sa andej këndej një pelhurë me vija bojëqielli të një Nanës së Madhe Shqiptare, që Bota mbarë u përul para Saj. Ishte pikërisht ajo, Shpresa jonë e humbun,...që u Ringjall!...
Liria e Fesë - Liria e Atdheut!
Ja pra, binomi gati i harruem “Fé e Atdhé” i Françeskanëve Martirë Shqiptarë!
U riparue Kisha Katedrale, që edhe pse e shihnim me sy, s’ na besohej se ishte mes nesh madhështia e Atij Burri, po, e Atij që komunizmin e shembi me kulm e themel, Polaku Trim Vojtila, për të cilin u flijue një Kler Katolik, jo vetëm tue mos i ra mohit, po tue dhanë edhe jetën për Té, Ai brohoriste në Zallin e Kirit: “Rrnoftë Papa e Rrnofshin Katolikët në Botë!”
U riparue edhe Kisha Françeskane në Gjuhadol.
Kur hyna herën e parë, them të drejtën m’u mbushën sytë me lot...
Ishte krejt e pastër dhe e dritëshme, po mue m’u duk shumë e vorfën. M’u kujtuen Klerikët që dikur fëmijë i ndihmonim në Meshë, por që s’ ishin ma asnjë. Eltërët ku gjyjzoheshim dhe me kemtarët ndër duart e njoma tonat tymosej Ai vend krejt ndryshej... As lampadari i bukur që varej në mes të Kishës nuk ishte ma... Asnjeri nuk kishte as tek vendi i korit...heshtje...
Të gjitha figurat dhe veprat e artit nuk ishin ma! As Udha e Kryqit, aq e bukur, s’ishte ma!
Nuk ishin ma as statujat e Shejtënve, as Elterët e Tyne....Të gjitha janë thye e zhdukë...
Aty ishte Elteri i Shna Ndout, ku çdo të marte shpërndahej “Buka e Tij”...
Mendova... me vete: Kur në gjithë Shqipninë asht zhdukë e prishë gjithëshka fetare, si ka mujtë me mbetë pa u thye nga ai rrebesh komunist vetëm statuja e Shna Ndout!?...
Aty ishte vetëm Ajo statujë e dikurshme e Shna Ndout!
As genocidi 50 vjeçar komunist nuk kishte arrijtë me e zhdukë Até!
Ishte pra, Ajo statujë, që shumë vite ma parë, unë ishe përulë me respekt para Saj...
Ishte pikërisht Ai Shna Ndue, pranë të cilit predikoi Fishta, Harapi, Prennushi, Palaj, Rrota, Kurti, Prela, Sirdani, Nika, Shllaku, Llupi, Gjolaj,Targaj, Tracki, Koda, Baqli etj.
Ishte pikërisht Ai Shna Ndue, nën zhgunin e të cilit Sigurimi komunist futi armët!
Ishte, pra, Një Mbrekulli, që unë po shihshe me sy!
Shna Ndou i Kishës së Françeskane të Gjuhadolit, Ai Shna Ndue i vitit 1946 dhe 1967, Ai, vazhdonte me kenë mbi Tokën Shqiptare, dhe ishte po n’ Atë Elter ku ishte dhunue!
Ai asht Shna Ndou i Mbrekullive të Shkodrës!
Kush nuk beson të shkojë e ta shohi, e kush nuk u beson syve, ta prekë me dorë!
Unë i besoj Mbrekullisë së Tij të Madhe!
Shna Ndou i Kishës së Gjuhadolit asht kenë dhe do të jetë përgjithmonë në Shkodër!
Melbourne, Qershor 2007.