| E hene, 13.06.2011, 05:57 PM |
Janaq Pani, Toronto
HISTORIA E NJË BUBI DHE NJË MAÇOKU - Fabul
Shoh një bubi leshator
te maçoku i komshisë
po afrohet paqësor
t'i zgjat' dorën e miqësisë.
 
Pa i flet me zemrën peshë:
"Kthetrat përse i ke nxjerrë,
syrin me mëri ke veshë,
gati je për të më çjerrë
çastin pret veç për t'u ndeshë?
 
Si mik unë të kam ardhë,
ndaj qetësohu, o derëbardhë!"
 
Po maçoku iu gërmush:
"Në guxove të afrohesh
të paralajmëroj, qenush
në çast ti do të pendohesh."
 
Ia kthen bubi zë miklues
tek tund bishtin ledhatues:
 
"Kemi javë e kemi muaj
që po grindemi pa shkak
e po shihemi si të huaj,
ndaj maçok, pa ndalu pak!
 
Çdo fitojmë unë  e ti
në se ndeshemi mes nesh?
Unë do mbetem pa një sy
e ty ndoshta pa një vesh.
 
Unë them, se do t'ia vlejë
që ta shmangim kët' betejë..."
 
Dhe maçoku thellë-thellë
këtë çast ndoshta ka pritur,
sot qenushi i ka sjellë
paqen në shpirt për t'ia mbjellë
qimet lart për mos ia ngritur.
 
E ky bubi nuk flet koti
dhe pse është m ë i forti.
 
Kur e mira nis nxjerr krye
rrit lastarë miqësie...
 
Qysh aherë bub' e maçoku
eh, sa mirë fjalën e gjetën,
lozin, qeshin tok së toku
dhe në paqë e shkojnë jetën.