| E diele, 12.06.2011, 08:00 PM |
Statuti i emigrantit shqiptar
Nga Dr. Përparim Demi
Me terhoqi vëmëndjen një shkrim që ngren një problem shumë të rëndësishëm, atë të emigrantëve shqiptarë të Kosovës. Titulli i shkrimit është mjaft sugjestiv –Është radha e Kosovës që t’ia kthej ‘borxhin’ mërgatës sonë.
http://www.botasot.info/def.php?gjuha=0&category=20&id=121235
Do e kisha zgjeruar shtrirjen e subjektit në tërë hapësirën shqiptare, pasi fenomeni është i njëjtë.
Shpesh flasim për diasporën shqiptare dhe shpesh flitet për emigrantët shqiptarë në vënde të ndryshme të
Megjithese nuk ka ndonjë studim mbi këtë subjekt dhe asnjë përcaktim zyrtar për të dalluar këto dy grupe njërzish me origjinë shqiptare që jetojnë në dhe të huaj. Flitet për kontributet e tyre për shpalljen e pamvarsisë së Shqipërisë (1912), për luftën çlirimtare të Kosovës(1999), si faktor i rëndësishëm në këto dy momente historike. Flitet gjithashtu, ndoshta jo me zë të plot, për ndihmën ekonomike që solli mërgata shqiptare dhe fluxin valutar pozitiv gjatë këtyre 20 vjetëve, i cili dha mundësin e mbijetesës dhe fillimit të investimeve private. Por nuk flitet fare për të drejtat e tyre, statutin e tyre, dhe detyrimet që ka atdheu i tyre për ta.
Figurat më të larta të historisë shqiptare kanë jetuar në diasporë ose kanë emigruar për arsye të ndryshme. Varret e tyre nuk ndodhen në Shqipëri, disave jua ndaluan dhe kockat tu kthehen në atdhe, siç ndodhi me Fan Nolin etj. Në shumë vepra letrare të diasporës flitet për mallin ndaj atdheut, për dashurinë sublime, për lotët e mërgimtarëve, për dhimbjen që nuk shuhet, për amanete etj. Ndoshta shqiptarët që jetojnë në tokë të tyre mund tu duket letërsi romantike dhe kaq, pasi nuk janë në kontakt me realitetin e mërgimtarit, e kanë të vështirë të kuptojnë esencën e kësaj nostalgjie ndaj atdheut. Kjo ndoshta përcakton dhe qëndrimin e tyre ndaj bashkëatdhetarëve. Në shumicën e rastit, mërgimtarët janë përceptuar si disa shqiptarë, që jetojnë në perëndim dhe kanë para. Pra si shqiptarë të priveligjuar dhe të pasur. Ndoshta gjëndja e mjeruar ekonomike e shqiptarëve ka çuar në përceptime të tilla, por nuk mund të mohoj dhe faktorin politik të mbrëndshëm, i cili akoma ruan në njëfarë mase qëndrimin dublicitar të funksionarëve të vjetër të regjimit të kaluar. Ka pasur raste të shëmtuara kur një emigrant keqtrajtohet në vëndin e tij, neglizhohet, vidhet, mashtrohet etj.
Çdo emigrant që ditët e para sa shkel në tokën e huaj bie në kontakt me realitetin jo aq mikpritës ndaj tyre. Vështirsitë e viteve të para të integrimit në vëndbanimin e ri, kthehen në histori familjare që ruhen me breza tek ata. Çdo para e fituar është rezultat i mundit dhe djerses së tyre, shpesh të diskriminuar deri në dhimbje. Jo rallë krenaria shqiptare është thyer në dheun e huaj, jo rall dinjiteti shqiptar është marr nëpër këmbë. Shumë e kanë fshehur origjinën për të mbijetuar, kanë ndruar emrat, ndonjëri dhe identitetin e tij (tipik në rastin e Greqisë). Të shkëputur nga toka, nga gjaku, familja dhe nga shoqëria, loti i dhimbjes u rritet në shpirt, për tu derdhur në pleqëri. Janë shpirtëra që nuk gjejnë qetësinë, janë njërëz që shohin ëndra dhe zgjohen mesnatë, sikur u ngrihen prindërit nga varri dhe i therrasin. Janë njerëz që gëzohen kur dëgjojnë pak shqip dhe përloten nga një këngë. Internetit i qofshim fal, se na u bë melhem për shpirtin në këto ditë.
Diaspora jonë e vjetër sa vjen e zvoglohet, procesi i asimilimit në kushtet e globalizmit e përshpejtoi këtëproçes. Mërgata shqiptare sa vjen e shtohet, politika shqiptare jo aq kombëtare, e ushqen atë. Mërgimtarët duan ringjalljen e kombit, bashkimin, politikanët duan pushtetin, duan paratë europiane të dhëna për integrim. Nuk dua të gjeneralizoj por flas për qëndrimet zyrtare shpesh të kritikueshme nga shqiptarët mërgimtarë. Këtu kemi një problem të madh mes nesh, forcat nuk janë të ballansuara, prandaj kahja nuk po merr akoma drejtimin që rilindasit tanë përcaktuan. Si kundërpesh dalin teoritë e reja europianiste-globaliste, kur ne akoma nuk kemi konsumuar plotësisht tonat, ato të vjetrat, që na formuan neve si komb.
Qëndrimi ndaj diasporës dhe mërgatës shqiptare është i përcaktuar nga orientimi politik, nga interesat e partive dhe grupeve të influencës në vëndin tonë. Statuti i emigrantit shqiptar në vëndin tonë do mbetet i papërcaktuar sa kohë që interesat politike nuk do e duan këtë. Të marrim problemin e të drejtës së votimit të mërgimtarëve dhe të shikojmë se kush është pro dhe kush është kundra, të analizojmë argumentat e tyre, etj. Njohja e emigrantit dhe lehtësimi i paisjes së tij me dokumenta shqiptare është një hap i rëndësishëm për statutin e tij, pasi i jep të drejtën e përkatësisë dhe për rrjedhojë hapet rruga për të drejtat e tjera të vendosura me ligj.
Sa ligje kemi ne për emigrantët?
Një vënd i cili ka gati gjysmën e popullsis jashtë kufijve shtetëror, mendoj se duhet të ketë një paket të gjërë ligjesh, të cilat të regullojnë marrdhëniet e kësaj popullate me vëndin e tyre mëmë. Parat e emigrantëvë kanë qënë të mirseardhura në vënd, po kështu tani u bëhet thirrje për investime, por kur vjen puna për të drejta dhe për lehtësim, për thjeshtëzim procedurash, për prioritetet, nuk flitet fare bile mbahet heshtje. Veç kur shpërthen ndonjë skandal në media për keqtrajtimin e ndonjë emigranti në kufi ose nga administrata lokale. Parat nuk kanë shtetësi, ato vlejnë kudo, shkojnë zakonisht atje ku fitohet më mirë, ku kanë siguri dhe ku u ofrohen avantazhe më shumë. Nuk besoj se i kemi krijuar të gjitha këto kushte në vëndin tonë dhe prandaj ruaj bindjen se parat dhe investimet e emigrantëve shqiptarë duhen konsideruar si para patriotike që vijnë si ndihmë për vëndin e tyre, por në këtë pikë nuk bën të abuzohet.
Ajo që nuk duhet lejuar dhe është fare e pajustifikueshme, është mungesa e evidencës. Regjistrimi i emigrantëve është detyrë prioritare për shtetin njësoj si dhe regjistrimi i popullsisë së mbetur në vënd. Raporti midis popullsis së laguar me atë të mbetur nuk është statik. Egziston një flux lëvizje nga brënda jashtë vëndit dhe e kundërta. Demografia shqiptare duhet të ketë shumë punë sot për të përcaktuar shpërndarjen e popullsisë shqiptare, për të përcaktuar tendencat e lëvizjes së saj, prognozat e rritjes apo të zvoglimit të saj. Në bazë të tyre duhen të merren dhe masat e duhura nëpërmjet një politike thellësisht kombëtare.
Ndërkohë, ka ardhur koha të përcaktohet qartë statuti i emigrantit shqiptarë kudo qoftë ai. Shteti shqiptar duhet të ndjekë dhe të mbrojë, duhet tu garantojë të drejtat themelore, si dhe detyrimet e tij. Asnjë emigrant shqiptar nuk duhet ta ndjej veten të huaj ose të braktisur nga vëndi i tij.
Emigrantët shqiptarë kanë shkallë të ndryshme integrimi në vëndet ku jetojnë. Ca kanë fituar dyshtetësinë, disa janë rezidentë legal dhe disa ilegal. Disa përfitojnë të drejta të plota në ato vënde, disa përgjysëm dhe një pjesë nuk përfitojnë asnjë të drejtë, bile janë të rezikuar për tu expulzuar. Të gjithë, nga ana tjetër janë shtetas shqiptarë dhe duhet tu përcaktohen qartë të drejtat e tyre si të tillë, në kushtet e qëndrimit jashtë atdheut. E drejta e riatdhesimit nuk mund tu mohohet, as e drejta e pronës në vëndin e tyre. Shtetet shqiptare si në Shqipëri, Kosovë bile dhe Maqedoni, duhet tu sigurojnë mbrojtjen, asistencën në rast nevoje dhe përkrahjen për integrimin e tyre të plotë.
Popullsia shqiptare në vënd ka admistrata lokale dhe shoqata civile që aktivojnë për administrimin e jetës publike dhe mbarvajtjen e zhvillimit shoqëror. Në shumë vënde, mërgata shqiptare është e organizuar dhe përfaqsuar nga shoqata civile të karakterit etnik. Marrdhëniet midis shtetit amë dhe këtyre organizatave çalojnë në shumë aspekte. Ato përveç deklaratave ose aktiviteteve kulturore të mbështetura në iniciativat e tyre, nuk luajnë akoma rolin e mbulimit të mjaft problemeve që hasin emigrantët shqiptar në raport me shtetin ku jetojnë apo me shtetin amë. Mendoj se këtu kemi të bëjmë me një rivlersim që duhet tu bëhet këtyre shoqatave civile, tu jepen më shumë hapsirë dhe prioritet nga ana e administratave shtetërore shqiptare. Tu akordohen më tepër kompetenca dhe të drejta dhe të konsiderohen si bashkpuntore të shtetit shqiptar. Ato mund të kryejnë mjaft mirë lidhjen e emigrantit me vëndin e tij dhe ti ofrojnë asistencën e duhur, me konditë që shteti shqiptar tu njohi autoritetin dhe tu japë përgjegjsinë e duhur. Gjithashtu shteti ynë duhet tu akordojë dhe financimin e nevojshëm duke i kosideruar si organizma bashkëpuntore të jashtme të tij por, të cilat duhet të mbulojnë mjaft detyra, që ambasadat e vogla shqiptare nuk i mbulojnë dot. Këto organizata sigurojnë burimet njerëzore të nevojshme për realizimin e shumë aktiviteteve që sot janë lënë pas dore dhe nuk zhvillohen dot. Krijimi i Ministrive të Emigracionit në Tiranë dhe Kosovë me këto gjëra duhet të merren dhe në bashkpunim të ngusht me organizatat shqiptare të emigracionit të plotsojnë boshllëkun legjislativ që egziston në këtë drejtim.
Financimi i ketij sistemi nuk besoj se është një problem aq i madh duke marr parasysh numrin e madh të emigracionit shqiptar. Ai mund të konceptohet si një sistem vetfinancues duke krijuar një buxhet të tij të mbështetur pjesërisht dhe me kontributin e vet emigracionit të legalizuar me ligje. Mjaft shërbime të vlefshme mund të organizohen kundrejt një çmimi të arsyeshëm. Nga ana tjetër, për tu prer rrugën abuzimeve, ka nevoj për një transparencë financiare dhe kontroll financiar nga organe të specializuara. Kështu shqiptarët jashtë atdheut do e ndjejnë veten të përfaqsuar dhe të mbështetur nga vëndi i tyre, kështu ata do e ruajnë përkatsinë e tyre kombëtare dhe nuk do jenë të detyruar ta mohojnë atë. Në këtë mënyrë mund të organizohet lufta jonë kundër asimilimit dhe shkombëtarizimit shqiptar.
Të dashur lexues shqiptar në mërgim, jam i sigurt që në këtë shkrim kam prekur vetëm majën e ajzbergut, ju ftoj të shprehni mendime dhe të kontriboni në formulimin e një politike kombëtare ndaj diasporës dhe mërgatës shqiptare. Kjo temë është e hapur dhe ka vënd për shumë sugjerime dhe ide. Jemi në fazën e projektimit të perspektivës së marrdhënieve midis nesh dhe shtetit tonë amë. Çdo ide mund të jetë një kontribut. Ftoj të gjitha organizatat shqiptare të debatojnë dhe të diskutojnë në këtë drejtim, të vjelin mendimin e emigrantëve, në mënyrë që ti ofrojmë shtetit tonë sugjerimet tona të vlefshme. Më mirë se ne askush nuk na i di hallet tona, nevojat tona, aspiratat tona.
Bukuresht, 10.06.2011