| E shtune, 11.06.2011, 06:59 PM |
 Vaso Papaj
Vaso Papaj
Thuam Kir e thuam hanë*
Po, Qershor qe atë  natë
Qante  Kiri  nëpër  shtrat
Natë që s’ kishte të mbaruar
Presja hanë qe shtrëmbëruar.
 
Thuam Kir, thuam çfarë pe?
E pse hesht, nuk qe atje?...
Thuam hanë, pse mbylle sytë?
Ajo natë, a ka të dytë?...
 
Nëpër  ditë  e  nëpër  netë
Nënat  gjumi nuk  i nget
Ky  qytet  tërë  kohës  qan
Djemtë ka lën’, në Kir, matanë
 
Fishkëllejnë radio-antenat
Zbardhet gjaku nëpër venat
Mirë që gjuhën nuk ua di
Lot’ në sy do m’ kishin ngri.
 
Thuam Kir e thuam hanë
Si  na ikën djemtë  tanë
Shtupë në gojë e sy fashuar
Jetë  të  jetëve përqafuar.
 
Po vjen ditë e këndojnë gjelat
Ra  murlani, shkundi telat
Vite  shumë, njëzeteshtatë
Djemtë tanë nuk kan’ më natë.
 
*Për Sokol Sokolin e Tomë Ndojën, 
pushkatuar nga dora e diktaturës 
në Qershor 1984 pas revoltës në 
ferrin e Qafë Barit.
 
Të dua
Me një faqore në pëqi
Rroba te vjetra pa një stoli
Që kundërmojnë era vetmi
Të dua!
 
Sy mbyllur por mbushur shpresë
Sy që të gjejnë dhe të japin besë
Buzë që të thonë: je e imja pjesë
Të dua!
 
Në dhomë i mbyllur si në kafaz
Me veten time unë vetëm flas
Kushdo pas portës le të godas
Të dua!
 
E bosh në qoftë faqorja ime
Do mundja prapë të kem tundime
Më vjen si hënë, më jep gëzime
Të dua, po, të dua!