| E shtune, 11.06.2011, 07:58 PM |
Aleanca Kuqezi apo Aleanca Faqezi
Nga Kastriot MYFTARAJ
Ajo që po bën Kreshnik Spahiu në Shqipëri, nuk ndodh as në vendet më joserioze afrikane. Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mbajtësi i një posti të lartë, për të cilin paguhet nga taksapaguesit shqiptarë, prej disa muajsh ka abandonuar detyrën e vet zyrtare dhe po jep një shfaqje prej sharlatani. E gjithë kjo nisi kur Kreshnik Spahiu filloi të flasë publikisht kundër vendimeve të gjykatave për ndryshimin e kombësisë, duke i konsideruar këto vendime si të kundërligjshme dhe antikombëtare. Me këtë rast ishte dashur që Kreshnik Spahiu të jepte dorëheqjen për shkak se ai ishte përgjegjës që nuk ishin marrë masa ndaj gjyqtarëve që i kanë dhënë këto vendime. Por, në vend që Kreshnik Spahiu të pranonte përgjegjësinë e tij, ai na u shfaq si hero dhe i bëri këto deklarata pikënisjen e katapultimit të tij në politikë. Kreshnik Spahiu asnjëherë nuk foli për përgjegjësinë e tij që gjyqtarët të cilët i kanë dhënë këto vendime janë toleruar për vite të tëra. Kreshnik Spahiu foli sikur të ishte analist i medias dhe veprimtar i shoqërisë civile dhe jo një njeri i veshur me pushtet, dhe që ishte dashur që ta ushtronte këtë pushtet që këto gjëra të pengoheshin të ndodhnin.
Deri në këtë pikë, Kreshnik Spahiu ishte gjithsesi brenda orbitës së drejtësisë. Por shpejt ai doli nga orbita dhe duke përdorur si instrument një parti politike informale, të quajtur Aleanca Kuqezi, filloi të flasë për gjithçka që ia merrte mendja, për politikën e jashtme, politikën e brendshme etj. Tashmë Kreshnik Spahiu e ka abandonuar krejt detyrën e tij të lartë, në krye të instancës qeverisëse të drejtësisë, për të cilën paguhet nga taksapaguesit shqiptarë dhe merret me gjithçka që i thotë fantazia e tij. Para pak ditësh, Kreshnik Spahiu arriti deri atje sa të deklaronte publikisht në media se ai kishte një mesazh për Presidentin e Serbisë, Tadiç, me rastin e deklaratave të këtij të fundit për ndarjen e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë. Deklarata e Spahiut në këtë rast ishte një deklaratë prej politikani. Nuk ishte nënkryetari i KLD të Serbisë, homologu i Spahiut ai që foli, prandaj nuk kishte vend që të përgjigjej Spahiu. Kjo vetëm sa e bën Shqipërinë që të shfaqet në një dritë të keqe. Spahiu arriti deri atje sa në një intervistë për revistën “Mapo” dhënë Skënder Minxhozit, të prononcohej për ngjarjet e 21 janarit në terma që janë krejt të papranueshme për një zyrtar si Spahiu. Në vend që Spahiu të merret me gjykatat, të cilat janë në gjendje katastrofale dhe janë bërë qendra të korrupsionit, ai merret me politikë.
Aleanca Kuqezi e Kreshnik Spahiut në fakt meriton emrin Aleanca Faqezi. E vetmja gjë kuqezi tek Kreshnik Spahiu është se ai përdor në fytyrën e vet ngjyrë të verdhë në gri, një aleancë ngjyrash kozmetike, pudre, kremi e ku e di unë tjetër, për t’ dhënë një ngjyrë paksa të çelur fytyrës. Nëse ka ndonjë gjë tjetër kuqezi tek Spahiu kjo ka të bëjë me ngjyrat e tryezës së ruletës dhe jo të flamurit shqiptar. Spahiu edhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë e ka shndërruar në një ruletë fitimprurëse ku Spahiu u thotë atyre që duan të emërohen gjyqtarë, ose gjyqtarëve që duan të transferohen dhe të ngjitin shkallët e karrierës, si drejtuesi i lojës së ruletës në kazino: “Fait votre jeux!” Në rrethet e drejtësisë shqiptare, të gjithë e dinë se Kreshnik Spahiu merr nga 100-500 mijë euro për emërimet dhe transferimet e gjyqtarëve. Por kështu do të ndodhte kur nr. 2 i KLD u bë njeriu që nuk e thotë dot fjalën “jurisprudencë”, por thotë “jurispundencë”. Qëkurse Faqeziu ka filluar të merret me politikë, ai pothuajse nuk shkon më fare në zyrën e tij në KLD, ku supozohej të gjendej çdo mëngjes. Faqeziun e gjen në Londër, në New York, e gjen kahdo përveçse në zyrën e tij shtetërore.
Tashmë është e qartë, se sado që Spahiu e mohon si me gjysmë zëri, Aleanca Kuqezi është parti politike dhe Spahiu është politikan. Më e keqja është se Aleanca Kuqezi është një parti politike ilegale, e paregjistruar në gjykatë sipas ligjit, dhe e cila për më tepër është krijuar dhe drejtohet nga një zyrtar i cili mban një post që e bën këtë person një nga përgjegjësit kryesorë për ligjshmërinë në Shqipëri. Kjo Aleanca Kuqezi e Faqeziut është si studio ligjore “Legibus” që hapi dikur Faqeziu në një ndërtesë pa leje në anë të Lumit të Lanës, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, në katin e parë të një ndërtese pa leje. Studio “Legibus”, e cila e kishte marrë emrin nga dialogu i famshëm i Ciceronit, u zhduk bashkë me ndërtesën pa leje, dhe i vetmi kujtim prej saj është se Faqeziun e hodhën një herë në Lanë klientët të cilëve ai u kishte marrë lekët dhe i kishte mashtruar. Është sa skandaloze aq edhe kuptimplotë që shefi i drejtpërdrejtë i Spahiut, kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Presidenti i Republikës, Topi, nuk i tërheq vërejtjen Spahiut për këto veprime të kundërligjshme. Kjo ndodh se Spahiu është realisht vetëm nënkryetar i Aleancës Kuqezi dhe kryetar i saj është Bamir Topi. Aleanca Kuqezi është një parti presidenciale.
Kreshnik Spahiu, i cili befas po na shfaqet si një nacionalist i madh, ndonëse është person publik që në fillim të viteve nëntëdhjetë, nuk ka mbajtur kurrë qëndrime nacionaliste në media, para muajve të fundit. Ai nuk mund të sjellë asnjë shkrim, asnjë deklaratë në media, ku të ketë mbajtur një qëndrim “kuqezi”. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për entourage të tij në Aleancën Kuqezi. Leitnanti i Spahiut në Aleancën Kuqezi është kushëriri i tij, Endri Shabani, të cilin Spahiu e merr me vete në të gjitha OJF-të fitimprurëse ku shkon, si dhe e katapulton atje ku nuk shkon dot vetë, siç ndodhi me Transparency International. Në prononcimet publike të Endri Shabanit, mund të gjeni gjithçka, deri edhe ato për “Male lifestyle”, siç bëri para disa ditësh në emisionin Top Shoë të Alban Dudushit, por kurrherë prononcime kuqezi, përveç muajve të fundit, kur filloi të flasë kështu me porosinë e kushëririt. Njëjtë si Endri Shabani janë dhe ata që Kreshnik Spahiu kishte zgjedhur për takimin e fundit të aleancës në Prizren, sorosianët Kim Mehmeti dhe Mehmet Kraja. Kim Mehmeti që ka studiuar në Irak, dhe pozon në fotot e shkrimeve të veta dhe në website të tij me shallin islamik, të llojit që mbante Arafati, është aq kuqezi sa Arafati.
Faqeziu, i cili po na del si shpëtimtar i kombit, do të bënte mirë që të tregonte se cilës zonë të hapësirës shqiptare i takon nderi që të jetë vendi i origjinës së këtij “burrështetasi” të madh. Se do të vijë dita që faqeziut t’ i ngrihen monumente në vendin e origjinës familjare. Babai i Faqeziut, thotë në kafeteritë e Tiranës, si nën zë, se është me origjinë nga Prizreni, por kjo ka shumë gjasa që të jetë legjendim, siç thuhej në atë gjuhën profesionale të vendit të punës të babait të Faqeziut. Vetë Faqeziu, nuk e tha këtë gjë kur shkoi në Prizren para disa ditësh. Natyrisht se Faqeziu nuk mund t’ i gënjente prizrenasit, se do t’ i kërkonin më tepër hollësira dhe do t’ i dilte rrena. Që familja e Faqeziut ka ardhur nga Kosova, kjo është e sigurt, por kjo nuk do të thotë se ai është shqiptar. Në shtëpinë e Faqeziut deri vonë flitej turqisht, e ndoshta flitet ende. Duke konsideruar se babai i Faqeziut kishte miqësi me ambasadorin boshnjak, me të cilin tërhiqnin tehspijet, ka më shumë gjasa që origjina e familjes së Faqeziut të jetë boshnjake. Faqeziut vetë i pëlqen të përmendë vetëm Libohovën, nga e ka origjinën nëna e vet.
Faqeziu në politikë është ashtu si në drejtësi, pra një sharlatan. Faqeziu shtiret sikur kërkon bashkimin nacional, pra që të bashkohen të gjitha trojet shqiptare në një shtet të vetëm dhe pastaj thotë se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm, siç deklaroi në mesazhin e tij për Tadiçin. Por nëse kufijtë e Kosovës qenkan të paprekshëm, gjë që në fakt nuk është e vërtetë, se Kosovën Veriore e kontrollon Serbia, atëherë kur do të ndodhë bashkimi nacional shqiptar, edhe sa shekuj duhet të presim? Faqeziu as që ka ndërmend t’ i përgjigjet kësaj pyetjeje, se ai këto deklarata i quan si spekulime politike dhe beson në to aq sa beson në intelektin e Endri Shabanit. Tani që Faqeziu u bë “lider” rreth tij janë shtuar vajzat e reja, me të cilat atij i pëlqen që të rrethohet në vendqëndrimin e tij të pëlqyer, tek restorant “Gjeli”, ku rri edhe drejtori i SHISH, Bahri Shaqiri, “lideri” tjetër i Aleancës Kuqezi. Vajzat të cilat shkojnë me shpresë që të bëjnë karrierë me ndihmën e Faqeziut i bëjnë atij komplimente dhe atij nga kënaqësia i ngrihen lart flokët me xhel.
Shteti shqiptar duhet t’ i thotë Faqeziut, ashtu si Ciceroni, nga i cili Faqeziu mori emrin e studios, iu drejtua Katilinës, duke i thënë: “Quo usque tandem abutere Catilina, patientia nostra?” (Deri kur do të abuzosh me durimin tonë, Katilinë?) Ndërtimi pa leje i Faqeziut duhet të shembet ashtu si ndërtesa ku ishte studioja e tij ligjore. E kuqja dhe e zeza e Faqeziut nuk është si e kuqja dhe e zeza e Stendalit. E kuqja e Faqeziut është ajo e Nexhmije Hoxhës, e cila dikur i siguroi Faqeziut të drejtën e studimit në fakultetin juridik, kurse e zeza është ajo e kriminelëve që Faqeziu ka ndihmuar të lirohen nga burgu dhe që i mban si forcë paramilitare të kinse Aleancës Kuqezi. Faqeziu i cili shtiret sikur nuk ka dëshirë që të merret me politikë dhe në fakt merret gjithë ditën me politikë, shpejt do të thotë se kanë qenë mbështetësit e Aleancës Kuqezi ata që e detyruan që ta bëjë lëvizjen parti politike. Kështu i ka ndodhur në jetë Faqeziut, ai do një gjë dhe të tjerët e detyrojnë që të bëjë një gjë tjetër. Dikur Faqeziu donte që të studionte për aktor, por ja që Nexhmije Hoxha, në disa rrethana që i di mirë Faqeziu, e dërgoi në Fakultetin Juridik. E kështu me radhë…