Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zyrafete Manaj: Nga rrënjët tua

| E premte, 10.06.2011, 07:57 PM |


Skicë

 

NGA RRËNJËT TUA

 

Nga Zyrafete Manaj

zyrafete_manaj@hotmail.com

 

Ti mikja ime, me shpirt të projektuar mbi bazën e trashëgimisë të të parëve tu, karakterin dizajnuar me fortësinë e atyre rrugëve të lashta, të ruajtura me gjelozi nga kohërat furtunë, e thell, shumë thell e vendosur ndaj kataklizmave të kohës, që u përpoqën të zhbijnë unin tëndë, e për të prishur mozaikun e rrugës kah shtëpia e vjetër. Të asaj shtëpie, ku dhurove buzëqeshjen e parë fëmijërore, e të asaj rruge kalldrëm të vjetër, shtruar me ato kubëza gurësh, mozaik i qëndresës, nëpër katrahurat e kohës, që të përlan jo rrallë gjatë jetës.

Aty në qytetin e lashtë e fisnik të Gjakovës, Ti ruajte folenë e vjetër, e ndërtove një të re bri saj.

      Dua më të thënë se je, pasqyra që krijon profilin e një vajze, gruaje, nëne, të një femre, që përcjell nëpër vite kahjen e rrënjëve tua, që nga Shkodra, deri në Gjakovë.

      Rrënjë që shtrihen pa u tkurrur asnjëherë. Edhe atëherë kur ditët mundoheshin të na i thyenin, e të na bënin të paqenë.

       Kur puhizë e lehte fryen nga brigjet e Shkodrës, e të pëkëdhelin valët e liqenit plak, Ti mikja ime, përpinë me dashurin tënde tërë ato valë, dhe shkrihesh në kaltërsinë e tyre.

       Qëndrimi yt, sinonim i kalasë së lashtë të Rozafës, i asaj bese për heshtjen, gërshëtuar fuqishëm me qëndrueshmërinë e Çabratit krenar, që ishte mbrojtës për jetërat në kohërat e krisura.

E Ti sikur mbledh tërë atë kalldrëm rrugësh, dhe e fut brenda krahërorit, për ta ruajtur fortësinë ndaj rrebesheve, dhe për të treguar pathyeshmërinë e nënës shqiptare.

         Do të dua që nga larg të të them, se vetëm aty në tokën tonë, dhembja dhe gëzimi kanë kuptimin e vërtetë. Kudo tjetër që të jesh, dielli ta fal rrezën rrejshëm, e fluturat nuk të falën dot. Unë ta lakmoj vendosshmërinë tënde, qëndrimin, këmbengulësinë, si dhe mëngjeset që pret dhe përcjell në vatrën, ku erë e bukës ta shuan ujën, e uji jar krijon melodinë që i falin valët, dhe shuan etjen në deje.

          Ti i falësh krenare Çabratit plak, sepse që të dy bashkë përjetuat dhembjen dhe gazin. Ay e hapi gjoksin, kur shtrigave u vinte erë gjaku, dhe për gjah bënin njerinë. E ai të falet ty, se bijë e tij je, e bashkë në falje zbardhni ditët.

          E çka mund të them tjetër, veçse, Ti je një përcjellëse e rrënjëve që ruajnë me gjelozi trollin e lashtë, Besën Arbërore.