Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Burrat dhe burrëreshat që s’kanë frikë nga vdekja

| E enjte, 09.06.2011, 07:59 PM |


Burrat dhe burrëreshat që s’kanë frikë nga vdekja

 

Nga Baki Ymeri

 

Fuqia  e fjalës, përshkrimi i lashtësisë, mrekullia shqiptare e rezistencës dhe qëndresës, ligji i faljes, dashuria, intuita dhe forca e mendimit që synon perfeksionimin e artit, janë disa nga cilësitë primordiale të krijimtarisë letrare të shkrimtarit tonë në Suedi, Hamit Gurguri. Autori shkruan për gjenocidin serb në Toplicë dhe për burrat e burrëreshat që s’kanë frikë nga vdekja. Sokol Demaku thekson para dy vitesh (2009)  se ”Java e bibliotekes nordike” në Boras të Suedisë është një javë e mbushur me plotë përjetime kulturore, një manifestim tradicional suedez dhe i mbarë vendeve skandinavike dhe baltike që për nga rëndësia hyn në rrethin e ngushtë të festave suedeze. Kjo është një eksperiencë e jashtëzakonshme për të cilën gjë ka nevojë letërsia shqipe. Kësaj here në ”Sallën e kuqe” si e quajnë suedezët këtë vend do jenë aktorët kryesor dy shqiptarë, një shkrimtar dhe një poet, por krahas tyre do jenë edhe poetë me prejardhje nga Finlanda si dhe vendas suedezë.  Është një mbrëmje komplete letrare, ku nun mungon komunikimi me artin dhe letërsinë. Me këtë rast, shkrimtari Hamit Gurguri bëri promovim e romanit të tij të gjashtë (”Frihetens vingar”), i shkruar në gjuhën suedeze.

 

Ky roman është një histori e vuajtjes dhe torturës së shqiptarëve në Kosovë nën torturën dhe okupimin serb, një përshkrim i jetës së vet shkrimtarit nën thundren e okupimit serb në Kosovë gjatë terë kohës së jetës së tij në vendlindje, e deri me arratisjen e tij në Suedi. Ngjarja fillon nga vitet e 80 kur edhe fillon rrezitenca me e organizuar e shqiptarëve kundër regjimit serb dhe zullumi i shtuar i okupuesit të trojeve tona në Kosovë.  Kjo temtatikë e rrahur për mrekulli në romanin e tij, zgjoi interesim të madh tek të pranishmit ku gjatë mbrëmjes atij iu parashtruan pytje të shumta nga suedezët prezentë në mbrëmje të cilët ishin sa kureshtarë të mësojnë më shumë për shqiptarët, për trojet e tyre, për historinë dhe kulturën e tyre. Hamit Gurguri u lind më 1 nëntor 1949 në fshatin Godancë të Drenicës. Shkollën fillore të kryer në  Dobroshec, ku mësues të parë kishte poetin Fazli Grajqevci i cili u bë shkaktar që sot e kësaj dite shkruan, sepse ai  ia mësoi se si krijohet vargu, rima, ritmi, metrika, e shumëçka lidhur me teknikën e artit letrar.

 

           “Për fat të keq, thekson zoti Gurguri, nëna e frikësuar nga pushteti, i kishte djegur të gjitha shkrimet e mia që kisha deri atëherë. Kam ndjerë shumë dhembje për to, edhe sot ndjej dhembje.” Me profesion është jurist, ndërsa studimet i ka kryer në Zagreb. Ka filluar të shkruajë qysh si nxënës, gjegjësisht në vitet e shtatëdhjeta, por për fat të keq nuk ka mundur të publikojë. Shkrimet e tij përjetuan një fat të keq, sepse më 23 shtator 1998, së bashku me shtëpinë, i janë djegur gjithçka që kishte, madje edhe dorëshkrimet, edhe fotografitë, edhe biblioteka personale. Duke bërë fjalë për librin (”Kur takohen flamujt” Shyqyri Sejdijaj nga Suedia thekson se Hamit Gurguri, përdor një gjuhë të lehtë por të pasur, të ruajtur me xhelozi nga vendlindja e tij. Edhe kësaj here ai arrin të krijojë tensione shpirtërore që ti si lexues kërkon ti heqësh menjëherë, por autori si mjeshtër dhe njohës i mirë i tregimtarisë popullore, di të krijojë të papritura dhe nuk të dërgon në cakun e dëshiruar. Çudia është se ti prap do mbetësh i kënaqur. Libri përmban 13 novela. Secila përmban personazhe e ngjarje të caktuara nga qindvjetshi i kaluar. Secila periudhë e ardhjes dhe takimit të shqiptarve me Suedinë dhe suedezët përmban vulën e kohës së vet që kurorëzohet me miqësi të reja.  Kurora e kësaj miqësie vie pikrisht në novelën e fundit, e cila sipas mendimit tim shndërrohet në një leksion të artit të miqësisë.

 

        Këto ditë (qershor 2011), kuptojmë se Hamit Gurguri vjen para opinionit shqiptar me një libër të ri „Brezi i djallit”, botuar në Mitrovicë, me një medalion estetik të Sokole Fejzës, sipas të cilit, „një brez i rritur në mes betejash, ndër beteja, po edhe pas betejave, që kryepersonazhi e quena me një emërtim jo të rëndomtë „brezi i djallit”, që de fakto është vetë titulli i romanit. Ky roman përfshin një periudhë që fillon mu në prag të Luftës së Dytë Botërore dhe përfundon nme fillimin e demonstratave të vitit 1968. Autori, në mënyrë të afërt, bindëse e besnike, paraqet rrjedhën e ngjarjeve, personat, dialogjet dhe përjetimet. Atë ditë që u flijua edhe studenti Murat Mehmeti, ai djalosh i cili ishte viktima e parë që ujiti me gjak sërish sheshin   kryesor të Prishtinës, por edhe atë ditë aty, në atë vend, nga ata pjesëmarrës u vra edhe frika, siç thuhet, përgjithmonë. Në një distancë dyzetvjeçare, kjo ngjarje ngjan e afërt dhe prezente në kujtesën e disa brezave të mëvonshëm me rëndësinë e saj, me ndikimin dhe jehonën që pati. Një përshkrim dinamik, plot ngjarje dhe befasi.”

 

          Që në faqen e parë kuptojmë se Hamit Gurguri është autor i veprave Kah Guri i Plakës (2004), Flatrat e Lirisë (2005), Kalaja e Pakryer (2005), Miroshi (2006), Burrëreshat (2006), Mësuesja ime (2007), Himni i Shtës (2008), 99 vjet rrugëtim (2008), Kur takohen flamujt (2009), Zëra në Vukovar (2009), Ah, Toplicë (2010), Brezi i djallit (2011). Duke e përshkruar dashamirësinë suedeze ndaj kulturës shqiptare, Sokol Demaku thekson me një dozë defetizmi në një shkrim të tij se „gjatë kohës së evenimentit m’u kujtuan shumë figura të çmuara letrare shqipe, të cilat nuk e kanë mundësinë për të komunikuar me lexues, me kritikë dhe me dashamirë të artit dhe gjuhës, sepse mungon publiku, mungon kritika, kryesisht mungon publiku shqiptar sepse suedezët janë admirues dhe adhurues të artit dhe letersisë, por ne nuk jemi (!?!).

 

        Ne nuk jemi askund, thekson Sokoli dhe vazhdon: Mungojnë përkrahjet për evenimante të tilla, pra letërsia shqipe ka probleme edhe në diasporë, si edhe në shtëpi. Sëkëndejmi, thuajse gjithë kombet pajtohen se letërsia është abc-ja e kulturës, është ajo që lidhë kohën me histori, është një fushë që pasqyron psikologjinë njerëzore dhe brendin shpirtërore te njeriut. Ajo i jep bazën dhe fizionomin një kombi të moderuar dhe të kulturuar. E për nje punë të frytshme dhe të suksesshme këto ditë Lidhja e shkrimtareve të Suedisë nderoi me një Stipendi prej 40.000 koronash suedeze shkrimtarin dhe publicistin kosovar Hamit Gurguri për punën e tij të palodhshme në prezentimin e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Suedi.” Sokoli ka të drejtë ngase e njëjta gjë ngjet edhe me dashamirësinë rumune ndaj kulturës shqiptare dhe me heshtjen shqiptare të disa krijuesve tanë, poezitë apo vlerësimet kritike të të cilëve dalin në disa media të shtypura dhe elektronike rumune, kurse disa prej tyre nuk janë në gjendje as faleminderit të thonë.

 

         Nga Gazeta lajm dhe Kosovalbaner.com kuptojmë se më 17 shkurt 2011, në hyrje të ndërtesës ku banon, në Gislaved të Suedisë, është sulmuar fizikisht shkrimtari Hamit Gurguri. Ai u sulmua me thikë, nga një grup për të cilët Hamiti mendon se ishin serbë. Njëri nga sulmuesit, që kishte shenjën e policisë e sulmoi me thikë. Gjatë kacafytjes Hamiti mori plagë të lehta në faqën e djathtë dhe në sy, por pa pasoja të rënda. Sulmuesit iu drejtuan në serbishte “republikën, nën shqiptare dhe librat e ndyta që po i shkruan kundër popullit serb”. Rasti është lajmëruar në polici, e cila ka dalë në vendin e ngjarjes, ka mbeldhur të dhënat dhe është në procedurë të zbardhjes. Shkrimtari Hamit Gurguri, siç thekson, është kërcënuar edhe shumë herë të tjera gjatë punës dhe veprimtarisë së tij në Enköping. Ato ishin kërcënime me telefon apo sharje verbale. Por në qytetin Gislaved ai ishte sulmuar edhe me 31 tetor të vitit të kaluar. Me atë rast iu pat marrë një kompjuter i dorës, kurse rastin në fjalë policia e pati vlerësuar si plaçkitje. Hamit Gurguri i cili jeton dhe krijon në Suedi, deri tash ka botuar tri romane në gjuhën suedeze, 15 në gjuhën shqipe, dhe nga një në gjuhën kroate e serbe. Ky autor poashtu merret edhe me përkthime nga suedishtja në gjuhën shqipe. Përfundimisht mund të themi se autori bën thirrje që të ruajmë identitetin tonë kombëtar. Hamit Gurguri gjurmon lashtësinë tonë, ngase ai e di se se të mos e njohësh vetveten, don të thotë se nuk jeton.