Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Arkitekti i Dardanisë së Re

| E enjte, 09.06.2011, 07:58 PM |


 

Nga Alfred Beka

alfred.beka@gazetaexpress.com

 

Prishtinë, 2 qershor — ‘Një dhuratë e vogël për Presidentin e parë historik të Kosovës, në pesë vjetorin e kalimit të tij në amshim’. Me këtë dedikim e hap autori Engjëll Koliqi librin e tij për ish Presidentin Ibrahim Rugova, të titulluar “Dr. Ibrahim Rugova, arkitekti i Dardanisë së re – Republika e Kosovës”, libër ky i botuar nga shtëpia botuese Rugova Art, i cili u përurua të ënjten në sallën e rezidencës së Ipeshkvisë së Kosovës.

Naim Kelmendi, redaktor i librit, u shpreh se libri publicistiko monografik i Engjëll Koliqit mëton të shtjellojë një lëndë sa heterogjene, sa përmbledhëse dhe sa shënjuese për nga projektimi dhe për nga përkushtimi, ngase, siç u shpreh ai, i kushtohet fi gurës madhore dhe komplekse Dr. Ibrahim Rugovës, dijetarit, njeriut të kritikës letrare të kohës dhe po ashtu presidentit historik të Republikës së Kosovës. “Ajo që e bën të dallueshme këtë monografi është metodologjia që e përdor autori i veprës në sajimin e lëndës, duke e bërë librin sa më të afërt dhe sa më të pranueshëm për lexuesin”, tha Kelmendi.

 

Shkrimtari dhe studiuesi Ndue Ukaj në kumtesën e tij u shpreh se në serinë e librave të panumërta që shkruhen kudo për Ibrahim Rugovën, libri i publicistit dhe shkrimtarit, Engjëll Koliqi vjen si një dëshmi e fuqishme, se fryma e Presidentit Rugova, e mbi të gjitha misioni i tij, është i ngulitur thellësisht dhe qartësisht, në themelet e shtetit të Kosovës, gjurmët e së cilës po përjetësohen edhe nëpërmes këtij libri. Sipas tij, Kosova nuk mundet të frymojë pa Rugovën. “Duke shikuar, analizuar dhe studiuar realitetin tonë në Kosovë, në momente dramatike, kur ndjehet ankthshëm mungesa e Rugovës, mund të pohojmë pa hamendje se Kosova nuk mundet pa Rugovën, autorin e Kosovës europiane,autorin e Kosovës perëndimore dhe autorin e Kosovës moderne”, u shpreh Ukaj. Në këtë kontekst, sipas Ukajt, ky libër, me tekstet e shumta që ofron, të karakterit të shumëfishtë, kulturor, publicistik, letrar e studimor, shërben si një referencë plotësuese, në dokumentimin e jetës, veprimtarisë dhe personalitetit shumëdimensional të Presidentit Rugova.

 

Ndërkaq, Don Lush Gjergji u  shpreh se ky botim është një kontribut i çmuar për ta njohur më mirë dhe për së afërmi jetën dhe veprën e Dr. Ibrahim Rugovës. “Engjëll Koliqi me mjeshtri dhe në stilin e tij tashmë të njohur enciklopedik

mblodhi shumë të dhëna të njohura dhe më pak të njohura nga jeta dhe vepra e Dr. Ibrahim Rugovës, shënime, shkrime, shqyrtime, vlerësime të njerëzve të ndryshëm të politikës, shkencës, artit, kulturës kombëtare dhe ndërkombëtare,

duke na dhuruar një mozaik të çmuar dhe të vlefshëm jo vetëm për Presidentin tonë të parë, por nëpërmjet tij edhe për popullin tonë shqiptar vazhdimisht të kërcënuar dhe të rrezikuar, megjithatë gjithnjë të gjallë dhe të qëndrueshëm në skenën historike dhe aktuale”, u shpreh Gjergji.

 

I pranishëm në këtë përurim qe edhe Mark Krasniqi, një prej bashkëpunëtorëve të Rugovës. Ai tha se Ibrahim Rugova meriton ta përkujtojmë sa më shpesh dhe sa më mirë si dhe ta ngrisim sa më lart. Ai shtoi se Ibrahim Rugova ka qenë një njeri modest dhe nuk ka pasur mendje të madhe. “Ibrahim Rugova është kujdesur që ne të kemi këtu një themel sa më të madh dhe sa më të thellë europian perëndimor”, tha mes tjerash Krasniqi.

 

Në fund, autori i librit, Engjëll Koliqi u shpreh se nuk i ka mbetur tjetër pos të thotë se ndërgjegjja i ka kërkuar të bëjë diçka për këtë figurë kolosale të kombit tonë dhe të konfirmojë se është munduar të shmangët nga uniformizmi i

zakonshëm i librave monografikë, për të mos e lodhur lexuesin gjatë leximit të tij.

 

“Dr. Ibrahim Rugova, arkitekti i Dardanisë së re” është titulli më i ri që i kushtohet ish Presidentit Ibrahim Rugova.

Marrë me shkurtime nga gazeta Express