| E enjte, 09.06.2011, 07:48 PM |
Prishtinë, 8 qershor – Pas ngritjes së aktakuzës kundër drejtuesit të PTK-së, Shyqëri Haxha, duket se edhe një drejtues tjetër i një institucioni kosovar, drejtori i Doganave të Kosovës do të përballet me drejtësinë. Drejtori i doganierëve, Naim Huruglica së shpejti do të përballet me drejtësinë pasi Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) pritet që këto ditë të publikojë ngritjen e aktakuzës kundër tij, shkruan KosovaOnline, duke theksuar se burime të saj brenda EULEX-it bëjnë të ditur se tashmë është përgatitur aktakuza nën dyshimet për krim të organizuar dhe shpërdorim të detyrës zyrtare.
Ndryshe, hetimet për korrupsion ndaj drejtuesve të doganave EULEX-i i ka nisur kohë më parë. Me 17 dhjetor 2010 policia e EULEX-it, në kuadër të këtyre hetimeve, ka bastisur zyrën e drejtorit Huruglica dhe të shefit të zyrës së këtij institucioni, Lulëzim Rafuna.
Mësohet se zyrtarët në fjalë dyshohen të jenë përfshirë në kontrabandimin e një sasie të madhe të duhanit, e cila është futur në vend duke iu shmangur akcizës gjatë vitit 2008.