| E merkure, 08.06.2011, 07:58 PM |
(Skicë)
Kostaq Duka
Blerimi
Mbasdite, fillim qershori. Ulur në karrige, nga ballkoni në katin e dhjetë të apartamentit ku banoj, shikimin e kisha nderë tej blerimit të fushës së madhe të golfit. Një blerim i valëzuar në nuanca nga e blerta e butë, e çelur e barit të njomë të lëndinave,tek blerimi i mbyllur, i errët i gjetheve të pemëve. Sytë ishin hapur tej si për ta rrokur të gjithë hapësirën e madhe.
Një erë e lehtë, e ngrohtë, filloj të valëzojë thekët e blerimit. Filluan të tunden dhe fletët e grillave në derën e hapur të ballkonit prej nga vinin zërat e stacionit televiziv shqiptar. Si shkuan kështu pa u ndjerë gjithë këto vite?! Qershor 2000, qershor 2011. Njëmbëdhjetë vjet në Amerikë. Me erën bashkova gishtrinjtë e mij flokëve të thinjur të shpupurisur. Tej blerimi në valëzim dëshmonte, heshtazi lëvizjen, ecjen, ndryshimin...Në stacioni televiziv i Tiranës kishte filluar tashmë "Gjeniu i vogel". Talente të reja,ende fëmijë dëshmojnë aftësite e tyre në interpretimin e këngëve më të mira, kënduar në vite nga të rriturit. Pse këngë të të rriturve?!Një trill i çuditëshem i ideatorëve! E megjithatë emisioni është i bukur, tërheqës..".
Dhe tani kënga" Përherë të dua" interpreton vogëlushja..."
Përherë të dua?! E lashë erën në dialog me blerimin dhe u futa brenda. Vogëlushja këngëtare nisi të interpretojë:" Një ditë shoku im tha me zërin plot të dua/ përherë të dua...." Përsëri gishtrinjtë paksa me nervozizëm futa mes flokëve të shpupurisura, të thinjura. Sot qënka mbasditja e rikthimit në vite të shkuara, thashë si të vazhdoja atë bisedën me veten të filluar më parë në ballkon duke pare blerimin.
Vogëlushja këndonte dhe konturet e saj u rritën. Skena e bukur moderne, plot efekte ngjyrash e dritash, ku dominon e kuqja në vishnjë, u shndrrua në skenën e teatrit " A. Z. Çajupi" në Korçë të viteve 80-të. Dhe ja tashme unë po shihja një tjetër portret, atë të këngëtares Lindita Theodhori, me zërin e ngrohtë " Ëndrra mori krahë/ syri dritë më çeli mua..." Dhe pastaj duartrokitje, buzëqeshje.
Ai më mori në telefon. E kam urgjente-më tha. Kompozimin e kam gati, më duhen vargjet, takohemi në pallati i kulturës, në dhomën e pianos. S'ia kisha prishur asnjëherë. E njihja mirë shpirtin e tij të shqetësuar prej artisti të vërtetë, e kuptoja ankthin e tij në çastet e krijimit. U takuam. " Bëhet fjalë për një këngë dashurie. Është për Linditën. Vetëm dashuri, si të them, të thuhet vetëm të dua, të dua..." Tek fliste, përtej syzeve shihja lëvizjen e paprerë të syve. " Lindita këngën do ta këndojë ne takimin kombetar të estradave. Na duhet shpejt...."
Fillojmë,i thashë,duke formësuar së pari fjalët " përherë të dua."...Ai luante në piano melodinë, duke e përsëritur disa herë e unë hidhja e hidhja variante vargjesh.... S’kaloi shumë e i them " sikur, sikur diçka kam bërë " Ai i lexoi disa herë me zë vargjet dhe pastaj nisi t'i bashkojë me melodinë. E ndjeva nga shprehja e fytyrës që vargjet kishin ngjitur.
Pas dy ditësh u takuam. " Ke të fala nga Lindita. Gjithçka po kalon mirë."
Por pas disa ditësh më kerkoi takim urgjent. Ishte nervoz."Dje kishim provën e përgjithëshme. Dikush…nga lart, tha se kënga ka shumë të dua, shumë dashuri e s'përmendet as fjala atdhe etj etj..Mund të shtosh një strofë? "
Çfare?!..Atij i erdhi mirë nga hezitimi im. Për fat kënga s'pati asnjë deformim. Trupa e estradës, me rregjisor Dhimitër Orgocka atë vit mori çmim të parë. Aty ne konkurim, Lindita i dha afirmim këngës " Përherë të dua".
Tashmë kujtimi për mikun tim, të paharrurin, kitaristin, dirigjentin e kompozitorin e talentuar Apostol Simoni që vdekja e ndau prej nesh në moshë të re, në fund të viteve 80-të, s'po më linte të qetë. Ja e kujtoj në atë shtëpinë e tij aty në këmbë të rrugicës pa dalë në bulevard, dhomën e tij të punës, ku kitara e zemrës stoliste murin, bisedat me të diku kafeneve të Korçës tek fliste e fliste pa pushim, i dashuruar pas këngës lirike.
"Dhe tani, le të dëgjojmë jurinë .Të shohim sa pikë do ti japë vogëlushes zonja Nertila Koka."
Nertila!Tashmë një grua me moshë mesatare, e pjekur.
Dhe kujtimet mpleksen.Pas interpretimit të shkëlqyer të Linditës, këngës"Përherë të dua", të Apostol Simonit, i dha nuanca të reja këngëtarja e re e viteve tetëdhjetë Nertila Koka.
Dola përsëri në ballkon. Era kishte ndalur, blerimi, levencë me thekë, i fushës së golfit, të afronte një ndjenjë paqeje e dashurie për jetën.
Qershor, 2011.