| E merkure, 08.06.2011, 07:59 PM |
ABUZIMI ME NDJENJAT E NJERËZVE PAS AMËSHIMIT
(ME SHKAS NGA SHKRIMI I LAURAT MULLIQIT: "VDIQ DHE U VARROS NË PEJË ISUF DASHAJ")
Shkruan: Idriz Zeqiraj
fisnikzeqiraj@hotmail.de
"Nga shkrimi i botuar më 27 maj 2011 veçojmë: "Në moshën 17 vjeçare Isuf Dashaj e gjejmë tok me Cufë Sokolin (Nikçi) në luftën e Moknës, me pushkë në dorë, plis të bardhë në kokë".
"Në vitin 1981, kur lëvizja studentore u shua me gjak, Isufin e gjen në përkrahje të tyre dhe në vijën e Enver Hoxhës, i cili atëbotë që më i zëshmi në mbrojtje të tyre, vi të cilën e ndoqi gjatë gjithë jetës, edhepse ishte i rrjeshtuar në forcat e djathta politike, madje edhepse në vitet `90-a qe kryetar i NDSH për Rugovë."
Bacën Cufë Sokoli e njoh qysh në vitin 1963, madje familjarisht. Ai nuk kishte asnjë konsideratë për komunistët shqiptarë dhe Enver Hoxhën. Isuf Dashaj, shok armësh i bacës Cufë, mësues në Rugovë e Karadak të Gjilanit; përkrahës i demonstratave 1968, 1981; kryetar i NDSH më 1990, i rrjeshtuar në UÇK-e në Rugovë më 1998, si mund të ishte në "vijën e Enver Hoxhës", filosllav komunist dhe kriminel e vrasës i pa tejkalueshëm i popullit të vet, madje i prirë në krime në konkurencë me sivëllezërit e tij jugosllavë?!
Është larg çdo logjike që një mësues, nacionalist qysh në Luftën e Dytë Botërore, madje me armë në dorë kundër komunizmit, kryetar i NDSH-së, parti ekstremisht e djathtë, të vazhdojë të jetë "në vijën e Enver Hoxhës" edhe në maj të vitit 2011!!!
Në kushtet e sotme, të mbijetesës të gazetave, është vështirë të financohet një staf i nevojshëm, për të redaktuar dhe kontrolluar të gjitha shkrimet e bashkëpunëtorëve të gazetës. Por, ata që shkruajnë, duhet të jenë konseguent në vërtetësinë logjike të shkrimeve, duke mos demantuar vetën brenda vet radhëve të shkrimit. Madje, kur shkruajmë për ata, që, tashmë, janë në amëshim, duhet pasur kujdes që mendimet dhe ndjenjat tona personale, të mos ua veshim atyre që nuk frymojnë më, siç është rasti për të shumë respektuarin atdhetar Isuf Dashaj.
Enver Hoxha ishte një matrapaz komunist alla jugosllav, rus, kinez e aziatik. Ishte një vrasës unikat i shqiptarëve të Shqipërisë dhe po kaq armik i shqiptarëve të kudondodhur.
Reagimin për demonstratat e vitit 1981 Enver Hoxha e ka bërë pas 27 ditësh, dmth. pas të gjithë botës, bile edhe pas Bangladeshit! Ai ishte i interesuar t`i heshte ato, siç i heshti demonstratat e vitit 1968! Por, jugosllavët, për demagogji reaguan të parët, edhepse e dinin mirëfilli se Shqipëria nuk kishte asnjë lidhje me ato. Demagogjia e tij ishte e lexueshme. Në atë kohë torturonte dhe masakronte rininë shqiptare në 11 burgjet politike, krimet e dy prej tyre: Spaçit të Mirditës dhe të Qafë Barit të Pukës, i shpalosi shkrimtari i dënuar Visar Zhiti, këto ditë në "Bota sot". Në konkurrencë të ethshme me represionin jugosllav mbi rininë e Kosovës, Enver Hoxha u sul egërsisht mbi brezin e tretë dhe të katërtë, përkatësisht, nipër e stërnipër të ballistëve shqiptarë. Dhe, kontigjenti masiv i të burgosurëve u pagëzua "Kontigjenti Kosova", mëqe kjo rini e burimit nacionalist ia kujtoi Enver Hoxhës me shokë idealet atdhetare, për Kosovën - Shqipërinë Etnike, të gjyshërve dhe të stërgjyshërve të tyre si dhe tradhtinë e madhe të Hoxhës me shokë ndaj Kosovës.
Enver Hoxha mezi ka pritur goditjen e Kosovës, ngecjen e saj arsimore, politike dhe ekonomike. Ngritja e gjithanëshme e Kosovës në vitet `70-a e vuri në siklet të madh udhëheqjen rrugaçe e diktatoriale të Tiranës. Shkëmbimet kulturore Shqipëri - Kosovë, agjitacioni figurativ faktik, me vetura, veshje të mirë dhe shëndet të bollshëm të kuadrove të Kosovës, flisnin për mjerimin ekonomik të "Shqipërisë të lulëzuar në brigjet e Adriatikut"! Në organizatat e partisë flitej për këta njerëz që i dërgon UDB-a, i financon enkas për të treguar se sa mirë jetohet atje, në Kosovë dhe Jugosllavi. Por, edhe kjo sikur nuk mjaftonte. Deputetja Vito Kapo, bashkëshortja e Hysni Kapos, zëvendës i Enver Hoxhës, u thoshte zgjedhësve të saj, në qytetin e Lezhës, se "kosovarët hanë bukë e qepë, ndërsa këta që vijnë këtu e kapardisën, financohen nga UDB-a, me qëllime të caktuara, për të bërë agjitacion figurativ"!
Etiketimet si njerëz të UDB-ës nuk kufizoheshin vetëm për kuadrotë e Kosovës, por edhe për njerëzit e thjeshtë, familjarë që vinin për t`i vizituar të afëmit e tyre, që nuk i kishin parë dekada me radhë. Kulmor është etiketimi i plakës 70 vjeçare nga Rakoshi, sepse takoi mbesën dhe dhëndërrin, i cili rastisi të ishte oficer!
Një histori me vete përbën Bije Vokshi, halla e Xhafer dhe Asim Volshit. Në shtëpinë e Motrës Bije, në Tiranë, buzë unazës, afër stacionit të trenit, ishte themelua Rinia Komuniste Shqiptare. Nexhmije Xhunglini ishte strehuar aty dhe me Enver Hoxhën ishin njohur dhe fejuar po në atë shtëpi.
Bije Vokshi vizitonte Shqipërinë pas 25 vitesh. Çifti Nexhmije dhe Enver Hoxha nuk e ftuan as për kafe në shtëpi, e lëre më për drekë apo darkë! Nipi i saj, Xhafer Vokshi, pas burgut, vazhdonte internimin. Hipokrizi klasike komuniste: Ndërkohë që Motra Bije ende ishte mysafire në Tiranë, Sigurimi i Hoxhës shkoi në burgun e Burrelit, për t`i kërkuar Sytki Hoxhës nga Gjakova, shok i Xhaferit, dëshmi kundër Xhafer Vokshit, me qëllim arrestimin dhe dënimin e tij të sërishëm! Sytkiu vuajti dënimin prej 37 vjetësh burg, kryesisht në Burrel dhe ishte i gatshëm t`i linte kockat aty, por, kurrë të dëshmonte kundër Vokshit apo kujtdo tjetër.
Përgjatë asaj kohe të vizitës Bije Vokshi veçsa nuk pëlciste nga mërzia, për jetën plot privacione e mjerane të nipit të saj Xhaferit, bashkëshortës të tij ideale Agetina Jakova me fëmijë. Për Motrën Bije, tashmë, Xhaferi ishte njeriu më i afërt dhe më i dashur. Gjendja shëndetësore e Saj u përkeqësua, u sëmurë dhe u shtrua për kurim në spitalin numër 2 të Tiranës. Për të survejuar e përgjuar bisedat që mund të bënte Ajo me vizitoret e rastit, e që, kryesisht, ishin djem Kosove, i futën në dhomë një motër medicinale, të një spitali tjetër, të shëndoshë si molla, por që luante rolin e të sëmurës. Motrës Bije i ndeja pranë, pasditeve, gjatë qëndrimit të Saj në spital. Ishte e mrekullueshme. Motra Bije ishte plakë e zgjuar dhe me përvojë jete, andaj kuptoi gjithëçka. Edhe ashtu ishte natyrë e heshtur, shumë e matur në bisedë, kur ishte një i tretë. Si pjesëmarrëse aktive në LDB, kishte parë dhe dëgjuar shumë, madje nga të dy shtetet komuniste. Edhepse kishte kaluar një pjesë të jetës në Shqipëri, mezi priste shërimin dhe largimin, për të mos u kthyer kurrë më në Shqipëri. Dhe, ashtu ndodhi. Por, gjithnjë zemërplasur, sepse po e linte nipin e shumëdashur, Xhafer Vokshin, në gojën e ujkut.
Xhafer Vokshi ka një histori të veçantë në Shqipëri, si i burgosur nga fashistët italianë gjatë luftës; si kuadër i lartë, pas luftës, në Kosovë dhe përsëri si kuadër i lartë, në vitet `50-a në Shqipëri; si luftëtar trim për demokraci, në kohën e diktaturës në Shqipëri; si i burgosur dhe i internuar në dekada dhe si i përndjekur dhe i survijuar i përjetshëm. Gjenerali mirditor, Gjin Marku, i cili, pas vuajtjes të 19 viteve burg në Burrel, u vra, shok i burgut të Xhafer Vokshit, duke folur për personalitetin e tij, thoshte: "Të gjithë ne, në raste të rënda frike dhe tmerri, mund të lakohemi. Por, Xhafer Vokshi kurrë. Ai është i pathyeshëm, madje në çfarëdo rrethane dhe për këtë ka dhënë prova. Çdo shtet demokratik i botës do të krenohej po ta kishte president të vendit Xhafer Vokshin".
Të gjitha këto nuk janë të thëna apo të dëgjuara, por, të para dhe të përjetuara.
Kësaj pranvere, për dy muaj radhazi, u përkujtua 30 vjetori i demonstratave të mars - prillit 1981. Nga ai lumë fjalësh e shkrimesh, askush nuk e vuri pikën mbi "i", për të thënë të vërtetën absolute të këtyre demonstratave: Si nisën dhe si mbaruan; dobia dhe dëmi i tyre.
Nisja ishte shprehje e pakënaqësisë për cilësinë e ushqimit në menzën studentore. Pas një jave u infiltrua UDB-a dhe i eskaloi qëllimshëm nga kërkesa ekonomike, në ato politike. Titua ishte shua një vit më parë dhe revanshin zhvillimor të Kosovës në përgjithësi, në arsim në veçanti, duhej ndërprerë. Ishte në vlug spastrimi i qetë dhe i natyrshëm i Kosovës nga kolonët e rinj, madje edhe të vjetër serbë e malazezë. Dhe, kjo sa ishte e shëndetshme për Kosovën, ishte po kaq shqetësuese për nacionalizmin serbo-sllav.
Për ndryshim nga demonstratat e vitit 1968, të cilat realizuan flamurin, universitetin e deri ke amandamentet kushtetuese të autonomisë të zgjeruar të vitit 1974, demonstratat e vitit 1981 shënuan regres, duke mos sjellur asnjë përfitim shtesë, përkundrazi, ngecje dhe kthim prapa. Sepse sllavët në përgjithësi, serbët në veçanti, mezi kishin pritur shuarjen e Titos, për t`u revanshuar kundër shqiptarëve.
Është një gënjeshtër e kulluar, një pacipëri e skajshme, të falsifikosh deri në atë shkallë, sa ta shtrish ndikimin dhe lidhshmërinë e demonstratave të vitit 1981 me nismat demokratike të viteve `90-a dhe luftën, më sakt, masakrën e vitit 1998 - 1999.
Nisma e proceseve demokratike në Ballkan dhe Evropën Lindore fillon me Solidarnostin e Polonisë, për të kulmuar me rënien e Murit të Berlinit. Ndërsa lufta e Kosovës është rrjedhojë e shpërbërjes të Jugosllavisë, presionit të shtuar të Serbisë për boshatisjen e Kosovës nga shqiptarët, rrjedhimisht të rezistencës të popullit, thirrja e Presidentit Rugova për "mbrojtjen e pragut të shtëpisë", aktivizimi i grupeve guerile e deri ke rrjeshtimi në forcat e armatosura, por, pa arritur asnjëherë konsolidimin e një ushtrie çlirimtare, siç u pëlqen të vetëquhen , sidomos, ata që nuk ishin pjesë e luftës, por, që duan të hynë dhunshëm në histori!
Vlen të theksohet se megallomania e ndoca pjesëmarrësve në demonstratat e vitit 1981, të zhytur në llumin e ideologjisë sllavo-komuniste, duan ta privatizojnë historinë, duke i mohuar të gjitha ngjarjet tjera historike, me qëllim të lansimit të një ng jarjeje të vetme, ku ata kanë qenë pjesëmarrës të rëndomtë, madje duke e ndërlidhur qëllimshëm me ngjarjet tjera historike, edhepse logjika e fakteve i demanton. Këta batakçinj, të instruktuar nga Sigurimi komunist shqiptar dhe të organizuar në SHIK-un ilegal, me dajak e gjak, u katapultuan në pushtet dhe po ia bëjnë gjëmën Kosovës.
Qershor, 2011