| E marte, 07.06.2011, 07:59 PM |
Nuri PLAKU
PARADOKSI I ZI
TOKË E ZEZË
Toka ime e vendlindjes
Taka ime e zezë
Fund i udhëtimit të qiejve.
Vij tek ty
Të vendos një lule
Në varrin e zogjve të egër
Por lulja bëhet qiri
E digjet
Në ballin e fëminisë sime.
Tokë e zezë
Tokë e zezë
Tokë e zezë
Gatuar me rënkime.
VIZITË NË FSHATIN TIM
Ajri i rënduar
Me afshin e hidhur të tokës
Më bëhet në grykë
Frymë e mekur.
Fëmijët më dhurojnë
Zogj të vdekur.
SHI I ZI
Ende ka mbetur e varur
Mbi plepin e fëminisë sime
Krokama e lejlekut të fundit.
Si gjurmë shkretëtire ka mbetur
Edhe plepi i tharë
Edhe foleja mbi degë
Edhe vezët qoka
Që s’u çelën kurrë.
Atë ditë
Ne brohorisnim të gëzuar
Se në fshatin tonë
U zbulua
Një vendburim nafte i ri.
Pas brohorimave
Ja behu
Një shi i zi.
NJËMIJË VJETË BRENDA MEJE
Kur numri i puseve të hapur
Arriti njëmijë
Unë isha ende i ri
Dhe fillova të tështijë
Nga ngjyra e gurit.
Tështima përplasej në hekurat e kantierit
Dhe bëhej
Ndryshk i vjellë
Njëmijëvjeçar.
Njëmijë vjet
Ndryshkeshin hekurat
Brenda meje
Dhe tashmë po i villja
Nga ngjyra e gurëve
Të vendlindjes sime.
NË FLAKËT E FONTANËS SË NAFTËS
Ne pinim qumësht të bardhë dite
E hundët na kullonin
Qumësht nëne të nxirë.
Mes flakëve bëheshim
Dyfish viktima
Dyfish martirë.
BARIU YNË I MIRË
Na thoshin se duhej të luftonim kundër Barabait
Që shfaqej mes flakëve të fontanës
Të bënte fli
Jetën tonë të re.
Por ne nuk shihnim asnjë Baraba!
Barabai i vetëm ishte bariu ynë i mirë
Zoti i plotfuqishëm i nëndheut
Që mbante në dorë një kunjë druri
Mbështjell me vigjilencë të rrezikshme.
Bariu ynë i mirë që turrej me heroizëm
Mbi nofullat tona të mbërthyera në ngërç
Të na shkulte gjuhën e gëlltitur
Nga fryma helmuese e dherave të nxirë.
Ne s’pam asnjë Baraba
I vetmi Baraba ishte midis nesh
Bariu ynë i mirë.
TRËNDAFILAT E LOTËVE
(Mikut tim, Todi Silës që dha jetën në moshën 25 vjeçare në puset e naftës në Drenovë të Mallakastrës, në vitin 1981)
Atë natë
Kur të përpinë kuçedrat e Drenovës
Ne mbollëm trëndafila të kuq
Në lotët tanë të hidhur
Dhe i rritëm
Për gjithë natën
Të përgjeruar
Si kopshtar të marrë.
Të nesërmen
Thurëm me ta
Kurorën tënde mbi varr.
PARADOKSI I ZI
Gjithë zjarret e zinj të nëntokës
I kishim futur brenda gjokseve tanë.
Dhe digjeshim prej tyre
Në paradoks të zi.
Nëpër flakë
Ëndërronim bukën e grurit
Që mbillnin e korrnin prindërit tanë
Në arat tona.
Bukën e mohuar për të gjithë ne
Banorët pa trotuare
Pa sheshe
Pa festa
Pa shetitore
Banorët e kampit të arave
Rrethuar me ligje e nene.
Dhe venim e vinim turrneve në kantier
Me misërniken mbështjellë nën sqetull
Me napën e kollës së thatë të mushkrive.
Uleshim këmbëkryq rreth grykës së puseve
Dhe fetat e saj i theknim
Në zjarrin e gjokseve.
E përtypeshim në heshtje
Netëve
Ditëve
Në shi
Në erë
Në vapë.
Thërrimet që binin
Bëheshin
Gërma epitafi
Shkruar mbi napë.
ARMË TË MBUSHURA
Në fillim ishte fryma e dheut
Që na gëlltiti ekuilibrin
Dhe këmbët tona luanin me njëra tjetrën
Kukamshefti nëpër udhë.
Pastaj ishim ne
Që frymës i kushtuam
Këngë të praruara kantieresh.
Teksa në heshtje
Belbëzonim një lutje
Për kafshatën e thyer të fëmijëve.
Pastaj fryma u bë plumb
Dhe notonte brenda gjakut tonë
Ndërsa damarët e mbanin atë si gëzhojë.
Në armë të mbushura
Me plumb në gojë.
AJO PIKËZ NAFTE
Ajo pikëz nafte
Që goditi dikur
Syrin tim
U kthye
Në pikëz loti
Që pikoi
Mbi kantiere
Dhe u hap
Si qefin.
SHTEGU I NAFTËTARËVE
Shtegu juaj
Grackë e ngrehur
Kantier më kantier.
Zambaku i verdhë
Që hëna çelte
Mbi buzën tuaj
Ende pikon vrer.
EPITAF
Gjithë zjarret e padukshëm
Në zemër të makinave
Janë
Shpirtrat e miqve të mi naftëtar.
Shpirtra
Që digjen
Për ju udhëtar!