Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Abaz Pllana: Për herë të parë në Takimet Konsullore Shqipëria zgjon interesin e vizitorëve

| E hene, 06.06.2011, 07:57 PM |


 

Për herë të parë në Takimet Konsullore Shqipëria zgjon interesin e vizitorëve

 

Shkruan Abaz Pllana

 

Që prej dhjetë vjetësh, në fund të pranverës në Lion organizohen Takimet Konsullore. Gjatë tre ditëve, shtetet që kanë një konsullatë në Lion, dalin me stendë në qendër të qytetit dhe prezantojnë potencialin ekonomik, kulturor dhe turistik të vendit të tyre, organizojnë koncerte, aperitive tipike, sfilata mode, shpërdajnë fletëpalosje e broshura e shndërrohen në vitrinë të vendit të tyre.

 

Për herë të parë në këto takime mori pjesë edhe Shqipëria, me nismën e Konsullit të Nderit të Shqipërisë, zotit Denis di Leonardo dhe me mbështetjen e Shoqërisë Shqiptare "Iliria" që vepron në Lyon.

 

Ambasadori i Shqipërisë Ylljet Aliçka priti personalisht në stendë miq të shquar si Kryetarin e Bashkisë së Lionit, Z. Gerard Collomb, Prefektin e Departamentit Rhône, Z. Jean François Carenco, personaliete tjera politike lioneze si dhe nga ambasadat e shteteve të ndryshme të botës të akredituara në Francë. Gjatë vizitës dollinë e parë me raki për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët e ngriti zoti Collomb. Pastaj për më shumë se 20 minuta ai u njoh me figurat e mëdha botërore me origjinë shqiptare, vizitoi ekspozitën e Beratit e u interesua për artizanatet shqiptare që zbukuronin stendën.

 

Mbi 25 mijë vizitorë erdhën në këtë aktivitet : stenda e Shqipërisë nuk qëndroi një minutë bosh : çdo vizitor erdhi me kurreshtje për të njohur vendin tonë e u largua me dëshirën që të vijë në Shqipëri, për turizëm apo për biznes. Ata mbetën të mahnitur nga bukuria e natyrës, pasuria arkeologjike, historia e vendit tonë.

 

Prania e Konsullit të Nderit, Denis Di Leonardo, avokat i respektuar e i mirënjohur në Francë, tërhoqi në stendë shumë personalitete e biznesmenë.

 

Tingujt e çiftelisë shqiptare jehuan në qendër të qytetit pak minuta pas hapjes së aktivitetit. Fadil Hakolli e Besim Bllaca kënduan këngë patriotike shqiptare. Në sfond skenën e qytetit e hijëshonin tri vajza të vogla me kostume popullore shqiptare.

 

Përveç përfaqësuesve diplomatikë të Luksemburgut, Malejzisë, Salvadorit, Finlandës, ShBA-ve, Italisë, Turqisë, Gjermanisë, Holandës e të tjera, ndër momentet më të bukura ishte ardhja e një delegacioni diplomatik nga Ambasada e Kosovës në Paris. Kadri Dakaj, Mustafë Avdiu dhe Gani Krasniqi, përfaqësuesit  nga ambasada e Kosovës qëndruan gati tërë kohën me stendën e Shqipërisë dhe ishin shumë aktivë si në takimet me bashkëatdhetarët ashtu edhe me përfaqësues të shteteve pjesëmarrëse.

 

Stendën e Shqipërisë e nderoi vizita e veprimtarit të madh të çështjes kombëtare shqiptare, intelektualit të njohur, zotit Nusret Pllana, që ndodhej në Lyon për promovimin e dokumentarit dhe librit të tij "Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999".

 

Pyetjet, debatet mbi çështjen Shqiptare e shndërruan disa herë stendën në një sallë të vogël konference. Interesi për Shqipërinë ishte kaq i madh sa Konsulli i Malejzisë, që ishte përballë stendës sonë, erdhi dhe pyeti Konsullin e Shqipërisë : « Pse vijnë kaq njerëz në stendën tuaj ? Tërë kohën një turmë qëndron përpara saj ! »

 

Plot shqiptarë që nuk ishin në dijeni të aktivitetit zbuluan me surprizë e kënaqësi stendën shqiptare. « Çdo vit kam ardhur në këtë aktivitet, e çdo herë vija re mungesën e Shqipërisë. Më duket sikur jam në Shqipëri ! » na tha një shqiptare e moshuar, e prekur nga malli për Shqipërinë.

 

Në ditën e fundit anëtarët e kryesisë së Shoqërisë "Iliria" morën iniciativën që  të vizitojnë stendat e vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës për t?i falenderuar për mbështetjen që dhanë për njohjen e pavarësisë së saj.

 

Ata vizituan gjithashtu vendet që nuk kishin njohur pavarësinë e Kosovës u kërkuan miqësisht që ta bëjnë sa më shpejt. Shumë prej përfaqësuesve të këtyre vendeve e morën shumë seriozisht këtë kërkesë dhe u zotuan se do të kontaktojnë me ambasadat e tyre dhe ministritë e jashtme përkatëse për të çuar në vend kërkesën shqiptare.

 

Ky aktivitet i bukur shërbeu gjithashtu për të hedhur themelet e krijimit të Dhomës së Tregtisë Francë-Kosovë. Konsulli i Nderit i Shqipërisë, Di Leonardo mori përsipër ta konkretizojë këtë iniciativë.

 

Gjatë tre ditëve Shqipëria u paraqit denjësisht. Të gjithë vizitorëve u la përshtypje mikpritja e organizatorëve të stendës. Ne i siguruam se kjo mikpritje është në karakterin e çdo shqiptari, kudo ku ndodhet.

 

Ne u drejtojmë mirënjohjet më të thella atyre që ndihmuan dhe mbajtën gjallë frymën shqiptare këto tre ditë në Lyon. Secili prej tyre ka arsye të ndjehet krenar për punën që bëri për vendin e tij.

 

31 maj 2011