| E hene, 06.06.2011, 08:00 PM |
Të pranishmit, me interesim të veçantë ndoqën paraqitjet e rastit
Në Singen të Gjermanisë
Takim mbresëlënës me krijuesin Isak Guta
Nga Çerkin Bytyçi
Shoqata për kulturë dhe integrim „Rinia“ në qytetin Singen të Gjermanisë, me forma të shumta të veprimit, po e begaton jetën kulturore të mërgimtarëve në këtë nënqiell dhe është bërë një qerdhe rreth të cilës po tubohen dashamirë të artit e të kulturës, entusiast të palodhur dhe të angazhuar për të organizuar veprimtari nga më të ndryshmet jo vetëm kulturore. Një takim kulturor me vlerë shumëdimensionale, nga kjo vatër e rëndësishme, u organizua edhe të dielën e shkuar (më 29 maj), në të cilën mysafir, nga Kosova, kësaj here ishte ftuar krijuesi dhe publicisti i njohur, autori i shumë veprave, Isak Guta.
Ishte ky një rast që rrallëherë u ofrohet mërgimtarëve për të shijuar fjalën artistike e mendimin krijues dhe për të biseduar hë për hë, për angazhimin e madh e të frytshëm të njërit nga punëtorët e zellshëm të kulturës, si është Isak Guta. Ai, kishte ardhur këtu për të sjellë, përmes tetë librave të tij, një pjesë të atdheut të përvuajtur në të shkuarën por me krenarinë e përhershme dhe qëllimet e pathyeshme për të arritur lirinë. Ndaj, me të drejtë, siç tha, në fillim ta hapjes së këtij takimi, moderatorja Blerta Muçaku, ky organizim entusiasmon dhe dëshmon se autori Isak Guta, i cili është i lidhur shpirtërisht me mërgatën, jo vetëm që nuk e harron atë por jeton për të krijuar, pos tjerash edhe për te e anzahimin e saj për të mirën e atdheut.
Më shumë se promovim i librave
Ndonëse në këtë takim të zhvilluar ishte menduar të promovohen tri librat më të rinjë të autorit Isak Guta, ky rast ishte më shumë se një promovim i rëndomë. Ai karakterizohej me pjesëmarrjen e mëse 60 intelektualëve, të profesioneve të ndryshme, dashamirë të librit dhe fjalës së bukur artistike. Takimit i parapriu, me tingujt tërheqës së violinës, Arlinda Uka kurse për rrugën jetësore dhe krijuese të autorit foli Lukë Frroku. Në emër të Shoqatës „Rinia“, përshëndeti Gani Ymeri, kurse veprimtari i palodhshëm Gjevat Muçaku, duke falënderuar autorin për ardhjen në mesin e bashkëatdhetarëve në Singen, theksoi se kjo Shoqatë, në këtë mënyrë, ka për qëllim të kontribuoj në begatimin e jetës kulturore të mërgimtarëve, vendosjen e urave të lidhjes me krijuesit e zhanreve të ndryshme në Atdhe dhe thellimin e bashkëpunimit të qytetit të Singenit me asociacionet e ndyshme kulturore në Kosovë.
Organizatorët e këtij takimi, Zëvendës-Konzulli i Konzullatës së Kosovës në Stuttgart Ymer Ladrovci, i kishte pëgëzuar, dhe në letrën e lexuar me këtë rast, theksohej rëndësia e madhe e organizimeve të tilla për mërgimtarët tonë dhe në veçanti takimi me veprimtarin e denjë dhe krijuesin e palodhshëm Isak Guta. Mesazhi i prezantuar ishte një vështrim për krijimarinë e gjithmbarshme të autorit dhe angazhimin krijues të mërgatës shqiptare në Gjermani dhe kontributin e saj madhor për Atdheun.
Promovim i përshkuar me emocione
Në këtë manifestim simpatik kulturor që, si u tha, di ta organizojë për mrekulli Shoqata “Rinia”, u promovuan tri librat e fundit të autorit përkatësisht libri “Zëri i vërtetë dhe mysafirët e paftuar”, kushtuar Pranverës së vitit 1981, “Psherëtima shqiptare e shekullit”, kushtuar 30-vjetorit të ngjarjeve të reja të Kosovës dhe “Klubet shoqërore dhe roli i tyre në shoqëri” që trajton organizimin dhe lindjen e klubeve të para të punëtorëve shqiptarë në mërgim në vitet 1978-1981.
Për këto libra folën Prel Berisha e Muhamet Hoxhaj, i cili njëkohësisht lexoi fragmente nga “Psherëtima shqiptare e shekullit”.
Autori Isak Guta, pasi lexoi pjesë nga librat e tij, përshëndeti dhe shprehu kënaqësinë që ndodhet në këtë mjedis të njerëzve të mrekullueshëm, të palodhshëm e dashamirë të kulturës. Ndërkaq, Idriz Hajdari, i shoqëruar nga emocionet, e falënderoi autorin që këtu në Gjermani, me ardhjen e tij, sikur ia solli vendlindjen-fshatin Jezerc të Ferizait, kurse për këtë dhe të pranishmit tjerë, poashtu të emocionuar, ishte tejet interesant dhe tërhoqi vemendjen filmi i shfaqur, “Krushqëzimi”, i realizuar sipas skenarit të Isak Gutajt, kushtuar 23 dëshmorëve të kombit, ushtarëve të UÇK-së dhe Epopesë se Jezercit.
Bashkëatdhetari Adem Selmanaj, me këtë rast theksoi se mërgimtarët kanë nevojë për takime të tilla dhe se në këtë drejtim duhet të bëhet më shumë. Ky i sotmi është dëshmi më e mire se këso organizimesh i mungojnë bashkëatdhetarëve.
Këtë takim me rëndësi shumëdimensionale, e bagatoi edhe më shumë prezantimi i krijimtarisë së autorit Isak Guta, nga Fatime Demiri, Feride Selmani, Albiana Alijaj dhe Ahmet Ramadani, të cilët në formë recitali, të pranishmëve u paraqitën fragmente nga librat e promovuar të autorit.
Krijuesit Isak Guta, në emër të Shoqatës “Rinia”, Gentian Çelaj, i dhuroi mirënjohje kurse veprimtari Marash Gojani, në përfundim të këtij organizimi mbresëlënës, falëderoi autorin dhe pjesëmarrësit, duke premtuar se Shoqata për kulture dhe integrim “Rinia” në Singen, do të vazhdoj me organizime të mëtejshme duke i begatuar gjithnjë e më shumë format e veprimit të cilat po gjejnë mbështetjen gjithnjë e më të madhe të bashkëatdhetarëve dhe të qytettit të Singenit.
Publicisiti Isak Guta në mesin e bashkëatdhetarëve në Singen |
Arlinda Ukaj, me violinën e saj entusiasmoi të pranishmit |