Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shaban Peraj: Të vihet dorë mbi RTV - Ulqini

| E hene, 06.06.2011, 07:58 PM |


Të vihet dorë mbi RTV - Ulqini

 

Nga Shaban Peraj

 

Që në krye të titullit lexuesi i nderuar e ka të qartë se këtu bëhet fjalë për një shtëpi informative e cila në fakt ekziston në letër, por jo edhe në praktikë. Si për habi kjo shtëpi informative është shndërruar në një monstrum, gjë që sipas të gjitha gjasave dikush po tenton ta shuajë në heshtje me faktin se askush, së paku deri më sot nuk po vë dorë mbi te. Njëherë punët u morën me aq eufori e me aq premtime sa vërtet u fitua bindja se këtu pas ca viteve do të ndodhë ajo që është pritur, jo për hatër të të punësuarve, thjeshtë për dëgjuesit ulqinakë të cilët me plotë arsye kanë pritur diçka që e kërkon koha e momenti, diçka që është imediate në këto situata. Si zakonisht në organet drejtuese të kësaj shtëpie informative u instaluan persona që as edhe në një rast të vetëm të jenë marrë ndonjëherë me këtë problematikë dhe për fatin tonë të keq dëshmuan se nuk janë të aftë për të avancuar rrjedhat e informimit sipas dinamikës bashkëkohore. Faji nuk është i tyre sepse aty u instaluan sipas përcaktimit partiak e jo sipas aftësisë në fushën e mediave, gjë që nuk ka pse t’na vie keq që u katandisëm kështu. Lojërat e tyre, akrobacionet që bënë që nga dita e transformimit të Radio Ulqinit në servis publik Radio Televizioni Ulqini, kuptohet se u bënë sa për të thithur ca mjete nga Agjencia Radiodifuzive e për të filluar ca punime që zoti e di kur do të përfundojnë, e kanë sjellur këtë shtëpi informative me traditë në pozitë për ta qarë në pecë! Ata dëshmuan se nuk e njohin parimin elementar të gazetarisë me gjithë mundësinë që patën për të luajtur rolin kryesor në rimëkëmbjen e RTVUL-it. Këta në vend që të nxisin procesin që RTVUL-ni të jetë medium depolitizues, vazhdojnë me muaj të tërë përzgjedhjen kadrovike, me çka më në fund nuk u doli për hatër asnjëri nga kandidatët konkurues. Për ironi është konflikti i krijuar në mes dy këshillave ai i cili bëri që situata të mbetet status quo duke harruar rëdësinë që kanë mediumet këtu tek ne. 

Tabllot e tilla të krijuara funksionojnë si autonome brëndapërbrënda vetë mendimit se a do të duhej të ishte vërtetë servis publik RTV-Ulqini. Ata janë më tepër iniciativa private të personave të caktuar të cilët nuk e kanë hallin për RTVUL-nin, thjeshtë qëllimi i tyre është të marrin pagën e caktuar me ligj dhe të instalojnë në krye të kësaj shtëpie persona të afërt ose mendimtarë të njëjtë, me çka si duket do t’i gjejnë në bahçe të babës. Tani këtyre u kanë dalur “dizginat” nga duart për të kontribuar në dëgjueshmërinë, shikueshmërinë (kur të vihet në funksion) të këtij mediumi, gjë që dëmtojnë edhe pjesën profesionale që gjindet brënda RTVUL-ni. Megjithatë, kësaj pune i duhet gjetur një çare, jo më me këta që e shndërruan në monstrum, por me një menaxhment të ri, ristrukturim të brëndshëm, me largim të parazitëve, ose të lihet e të shuhet në heshtje! Të punësuarit në RTVUL-ni e kanë të qartë se një sistem i menaxhueshëm në këtë mënyrë nuk mund të qëndrojë gjatë. Atëherë, kur të zhbllokohet situata e krijuar, atëherë edhe RTVUL-ni do të bëhet i lirë por kjo kërkon përkrahje për një gazetari të mirëfilltë.

Në marshin në të cilin ka hyrë RTVUL-ni  nuk shkohet larg, mediumet si ky nuk kanë jetëgjatësi dhe për fat të keq nuk ka asnjë veprim që na bënë të besojmë se ka një autoritet të rritur të medias në raport me shoqërinë.Në çdo vend demokratik media është në ballë të luftës për të mbrojtur interesat e komunitetit të cilit i takon. Kjo nuk ndodh me RTVUL-ni falë goditjes së koncentruar të disa personave me orientim antimedia. Problemet që krijuan këtu dy organet e saj: Këshilli drejtues dhe Këshilli i RTVUL-ni nuk garantojnë standard të medias me që nuk ishin në gjendje të krijojnë treg ligjor formal, këtu kam parasysh  marrëdhëniet kontraktuale mes punëdhënësit dhe të punësuarve. Se kush duhet t’i mbrojë këto gazetarë nëse jo punëdhënësi kur dihet se nuk ka ndonjë veprim tjetër me përjashtim të zërit që ngrehim ne për të kërkuar të drejtat ligjore mes punëdhënësve e punëmarrësve. Këtë të parën do duhej ta bënte pushteti lokal me të cilin kuptoj qeverinë lokale, nëse duan të largohen nga metodat e vjetra të punës. Kjo është arsyeja pse po ndodh kjo në këto momente brëndapërmbrënda RTVUL-it kur dihet se misionin profesional nuk e kryjnë ata që nuk i njohin mediumet, por ata që bëjnë emisione informative profesionale dhe kjo detyrimisht është punë e gazetarëve. Nëse kështu kuptohet mediumi, e nuk ka arsye të jetë ndryshe,duke shmangur mjetet e influencës, presionet dhe marrëdhëniet e kompromentuara atëherë krijohen kushte për mbarëvajtje të mediumit, për të qenë përgjegjës para dëgjuesve e teleshikuesve. Atyre duhet plasuar e vërteta, pavarësisht se në momente të caktuara nuk i pëlqen dikujt. Duke punuar me përkushtim të madh arrihet që të përballohen të gjitha sfidat dhe kjo më së miri argumenton formulën e qendresës të të punësuarve në RTVUL-ni. Kështu si është situata sot duket se puna e tyre po merr një kthesë të rrezikshme, nga ku nëse gazetarët nuk e kanë humbur identitetin e tyre duket se po fillojnë ta humbasin atë duke e shitur profesionin pa asnjë rezistencë profesionale. Në situatën e krijuar gazetari është pjesë e asaj që ofron stafi i partive politike dhe ai këtu e ka humbur imixhin, e ka humbur të drejtën e pakontestueshme për të bërë lajm, ai është vetëm një shikues i zakonshëm dhe asgjë më tepër.