| E diele, 05.06.2011, 07:49 PM |
Jam gënjeshtar
Jam gënjeshtar
Mos u lodhni kot
Jam gënjeshtar që kur linda
Nuk ndryshoj dot.
Madje, jo vetëm
Jam mësuar të duartrokas tërë jetën
Atë, Zonjën e madhe:
Gënjeshtrën.
Jam gënjeshtar
Bëj pjesë në piramidën e saj
S’ka rëndësi, në bazë a në majë
Pres medalje të përlaj
Të bëhem Hero,. Nder i kombit, Mjeshtër
Mjeshtër i madh,... i punës, i gunës.
Kam qenë dhe do të jem:
I flamurit të gënjeshtrës, tundës.
Jam gënjeshtar, vërtet
Vendin e çova të kacavaret litarëve, në det
Të mbytet thellësive
Të ngrijë shtigjeve të dhive
Të vdesë shpirtin te semaforët
Të kapërcejë mure ambasadash:
Kope që i kanë varë këmborët.
Të uritur
Dhe me gënjeshtrën e madhe në xhep
Si vendi më i ushqyer në planet
Vetëm medalje nuk i dhashë
Medaljet i mora për vete
I mora me gjithë ç’ kishin nga pas.
Jam gënjeshtar
I paparë
Dhe kur më mos të jem
Portretin do t’ma kenë varë
Në muzeun e madh të gënjeshtrës
Si më i madhi atdhetar.
Ah vendi që je djepi im!
Vetëm ti do të mbetesh batall,
Me dallgët si gjithmonë përballë.
Medaljet do të kenë mbaruar
I rrahur, i zhvatur, i mashtruar...
Deri kur kështu , vallë?...
Kënga e Nomadëve
Sa zhytet dielli, vjen e më kërkon
E dorë më dorë më shumë të ndjej
Vallë, nga i merr ato fjal’ që më kon?...
Se unë mbi to më mjaltë nuk gjej.
Ne si nomadë shkretëtirash ngjajmë
Humbur rrugëve të qytetit
Dhe si dy shpirtra frymën ndajmë
Mes ëndrrës dhe realitetit.
E kohën vrasim, oaze kërkojmë
Me net pa gjumë në qiell të hapur
Atje ku duam kurr’ s’ përfundojmë
Se Zonjën Liri prapë e kanë kapur;
Lirinë gabele me ngjyra-ngjyra
A ka vallë liri, me xhepa bosh?
Lirinë që paska aq shumë fytyra
Lirinë që qenka veç për kodosh.
Nomadë të dashurisë ne jemi
Udhëtarë që çajnë në çdo tallaz
Të ndalemi, ne mendje s’ kemi
Rebeles erë i shkojmë nga pas.
Të ishte
Të kishte ngjyrë kurbeti
Një ditë do ta skicoja
T’i jepja ngjyrë deti.
A do t’ mjaftonte boja?...
Të ishte tym vetmia
Të digjej si cigare
Mbi vete do ta shkundja
Të më mbulonte fare.
S’ e di dhe ç’ ësht’ kurbeti
Her’ më humbje, her’ të gjeja
Në mes të këtij rrëmeti.
Të ishte gur kurbeti
Këmbë shkalle që të ngjitesh
Në dhomë ku djeg shporeti
Përkëdhelje mes postiqesh.
Të ishte udhë vetmia
Të çante mal e kodër
Qafimin do t’ ja zgjatja
Si t’ ishte e vetmja motër.
E di se ç’ ësht’ vetmia
Her’ më humbje, her’ të gjeja
Kjo dallgëshumë më treti.