| E premte, 03.06.2011, 07:23 PM |
SKËNDER R. HOXHA
HAIKU I DUSHKAJËS (II)
U linda aty kur bënte të ftohtë
“Në hamsin” – tregonte nëna,
Në ditën e parë të shkurtit.
U Linda në familje malësore atje,
Kam bërë lojërat fëmijërore atje,
Kam bërë shkollën fillore atje.
Kam ruajtur bagëtinë atje,
Kam bërë punë fushe atjë,
Kam marrë drurë nga malet atje.
Në Gjakovë kam kryer shkollimin
E mesëm dhe të lartë –
Në skamë të madhe ishim atëherë!
Me bukë misri që nëna më gatuante
Përthekoja ushqimin javor në Gjakovë –
Mundësi të tjera s’kishim…
Kështu më rrëshqiti gati krejt rinia
Nëpër Dushkajë, Gjakovë, Prishtinë,
Jeta ecte me shpresa…
Rrugica e monopate
I shkela në këto anë
Në kërkim të dritës.
I shkela si nxënës,
I shkela si mësimdhënës
Mbillja farën e dritës…
I shkela si poet,
Majat e kodrave gjithandej
Muza më printe…
I shkela si bandill
I shkela si dasmor –
Isha i ri bekri.
I shkela natën
Deri në aurorë
Dhe ditëve me diell.
I shkela si hulumtues,
I shkela si shkencëtar –
Hedha dritë mbi terrin…
Mazniku, Jabllanica, Vranoci - në veri,
Cërmjani, Rashkoci - në mjedis,
Bërdesanë, Rezinë e Marmull - në jug.
Secili katund i Dushkajës
Ka historinë e vet –
Armikut i thanë – JO!
Kishte burra të pushkës,
Kishte burra urtakë –
Ruajtën gjuhën e plisin e bardhë…
Kishte burra të Kuvendit,
Rapsodë e këngëtarë –
Më vonë edhe shkollarë.
Bashkërisht respektojnë
Fenë krishtere dhe fenë islame –
Janë vëllezër të gjakut.
Haiku natar, haiku kujdestar,
Ditë e natë nëpër Dushkajë –
Haiku Xhihanxhir!...