| E enjte, 02.06.2011, 07:57 PM |
Robert Elsie: "Fjalor Historik për Shqipërinë"?
Urimet e mia!
Robert Elsie promovon në Londër "Fjalorin Historik të Shqipërisë"
Vë bast se në të dyja ambasadat shqiptare nuk gjendet FESH-i im.(E.L.)
Nga Profesor Emil Lafe
Janë promovuar dje në Londër edicionet e dyta të "Fjalorit Historik të Shqipërisë" dhe "Fjalori Historik i Kosovës", të përgatitura nga Robert Elsie. Dy Ambasadat shqiptare në Londër ajo e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, kanë ardhur përsëri me një aktivitet të përbashkët, duke vënë në fokus, kësaj radhe promovimin e dy fjalorëve historikë të përgatitur nga albanologu i mirënjohur dr. Robert Elsie. Promovimi u mbajt në ambientet e ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Londër dhe u ndoq nga shumë bashkatdhetarë dhe të huaj, dashamirës të shqiptarëve dhe të historisë shqiptare. Aktivitetin e hapi e ngarkuara me punë e ambasadës shqiptare, ambasadorja në detyrë, Znj. Teuta Starova. Duke i falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen dhe dashamirësinë e tyre ndaj popullit shqiptar, ajo bëri një përmbledhje të shkurtër të punës dhe veprës së dr. Robert Elsies, në fushën e albanologjisë shqiptare. Dr. Elsie- tha ajo- "është një albanolog i njohur, për të cilin nuk ka nevojë të fliten shumë fjalë, pasi, puna e tij flet më mirë se gjithçka". Më pas përshëndeti dr. Muhamet Hamiti, ambasador i Republikës së Kosovës në Londër, i cili pasi vlerësoi punën e dr. Elsies u shpreh se punimet e tij kanë qenë një ndihmë e madhe në procesin e pavarësisë së Kosovës. Një nder i veçantë për të gjithë të pranishmit ishte prania dhe fjala e mikut të madh të shqiptarëve, historianit dhe akademikut të shquar britanik, dr. Noel Malcolm. Duke vlerësuar punën e Elsies shtoi se ai ka bërë shumë për shqiptarët. Ai së bashku me Bejtullah Destanin, kanë bërë një punë monumentale, e cila ia kalon punës së dy akademive së bashku - theksoi dr. Malcolm në fjalën e tij. Dr. Robert Elsie në fjalën e përshëndetjes tregoi për ndjenjat e veçanta, që ai ka për shqiptarët dhe tha se këto ndjenja janë burimi i frymëzimit të punës së tij, si albanolog. Duke folur për fjalorët historikë, ai u shpreh me modesti se kjo punë është një mini-enciklopedi që shpresoj t'i vlejë studiuesve si burim të dhënash në dy gjuhët, angleze dhe shqipe. Në fund përshëndeti ish-Ambasadori Britanik në Tiranë, z. Stephen Nash, i cili gjithashtu shprehu vlerësimet e tij për punën e Elsies në përgjithësi dhe për shqiptarët në veçanti. Ai bëri thirrje, në emër shoqatës "Anglo-Shqiptare", për furnizimin e kësaj shoqate me gjak të ri.
Fjalorët
Autori
Robert Elsie merret me albanologjinë prej më shumë se tridhjetë viteve, veçanërisht me kulturën, letërsinë dhe historinë e shqiptarëve. Shumica e botimeve të tij përqendrohen në këtë fushë. Puna e tij i kushtohet fushave të historisë, të gjuhës shqipe, të letërsisë dhe të fotografisë të hershme. Albanologu Robert Elsie u lind në Vankuvër të Kanadasë, më 29 qershor 1950. Ndoqi universitetin e Kolumbisë britanike (University of British Columbia), ku mbaroi studimet e filologjisë klasike dhe të gjuhësisë më 1972. Po në atë vit, erdhi në Evropë me një bursë studimesh. Vazhdoi studimet e larta në universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), në shkollën praktike të studimeve të larta (Ecole Pratique des Hautes Etudes) në Paris, në institutin e Dublinit për studime të larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë, dhe në universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoraturën më 1978. Që nga 1978 pati mundësi të vizitojë Shqipërinë disa herë në kuadrin e 'takimeve shkencore' midis institutit të Gjuhësisë së universitetit të Bonit dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Gjithashtu, mori pjesë disa vite me radhë në seminarin ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare në Kosovë. Pas studimeve universitare ai punoi për ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane në Bon. Është anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në një fshat malor të Gjermanisë afër kufirit belg.
Për ZSH- Kadri Mani