Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ardian Ramadani: Fytyrat zhgënjyese deja-vu dhe fytyrat e reja shpresëdhënëse

| E marte, 31.05.2011, 07:58 PM |


Fytyrat zhgënjyese deja-vu dhe fytyrat e reja shpresëdhënëse

 

Nga Mr. ARDIAN RAMADANI

 

Tani po merr fund ora e trashëgimtarëve, e aventurierëve, e vjedhësve, e spekulantëve dhe e hipokritëve, e pseudogjeneralëve dhe pseudokomandantave dhe  e parave me thasë, e bashkëpunëtorëve dhe puthadorëve. Po vie ora e shtresës së re.

 

Me padurim pritnim shpalljen e listave të partive politike shqiptare. Këtë moment besoj ta ketë pritur çdo shqiptarë në Maqedoni, po edhe gjetiu. Kësisoj në listat e partive politike shqiptare, pamë figura të ndryshme të vjetra e deja-vu, po kishte edhe freskime me fytyra të reja, gjë që është për tu përshëndetur. Andaj me të vërtetë filluam të ndryshojmë bindjen e akumuluar për vite me radhë se në listat për deputetë të partive politike shqiptare na shfaqen figurat Deja-vu, figura të harxhuara dhe të paafta dhe të konsumuara kombëtarisht, politikisht e moralisht.

Të gjithë përcollëm shpalljen e listave zgjedhore dhe kandidatëve për deputetë nga ana e partive politike shqiptare në të gjitha zonat,( po ku dhemb dhëmbi aty shkon gjuha), andaj me padurim ndoqëm edhe shpalljen e listës së kandidatëve në njësinë zgjedhore numër dy.

 

Lista zgjedhore numër 2 nga ana e partisë shqiptare në pushtet (BDI-së) nuk solli kurrfarë risie, përpos fytyrave të njëjta, të cilët na kanë lodhur nëpër media me paraqitjet e tyre dhe mossukseset e tyre. Kësisoj shpallja e zonjës së nderuar Ermira Mehmeti, si kandidate bartëse e njësisë zgjedhore numër 2, tregoi se kjo parti në vend që të nxjerr kandidatë që për së afërmi i dinë hallet dhe problemet e kësaj njësie zgjedhore, ajo shpall një kandidate që nuk ka lidhje dhe informata për dertet dhe hallet e banorëve të po kësaj njësie, po e cila përpos kërcimeve dhe akrobacioneve që i bën herë në njërën njësi zgjedhore e herë në tjetrën për të dalë si deputete, nuk ofron asgjë për auditorin e kësaj njësie zgjedhore. Lista e kandidatëve të kësaj partie vazhdon më tutje me bartësit e tjerë, të cilët nuk janë të njohur për asgjë tjetër përpos për ecejaket e tyre dhe kërcimet prej njërës në tjetrën parti dhe për dështimet e tyre të vazhdueshme. Aty kemi njerëz që kanë qenë edhe deputet më përpara, po që përpos asaj që i kemi parë më shumë nëpër kafene se sa në foltore të parlamentit, nuk kanë ofruar asgjë pozitive për popullatën e kësaj ane. Ajo çka na befasoi për të mirë, ishte shpallja e emrave të kandidatëve në gjitha zonat zgjedhore e posaçërisht në zonën zgjedhore numër 2, nga ana e partisë së posaformuar RDK-së. Shpallja e kandidatit bartës të listës së RDK-së dhe të tjerëve pas tij për deputet eventual, emra të formuar kombëtarisht, moralisht dhe profesionalisht,  që kanë një profil të ngritur shkencor dhe kombëtar, aspak të dyshuar, si bartës liste, riktheu shpresën e këtyre banorëve, po edhe të shqiptarëve në përgjithësi, se më në fund koha e njerëzve të vërtetë ka filluar të vijë, ndërsa era e ndryshimeve është ke pragu i derës, po i duhet hapur derën.

 

Befasia e radhës e cila kuptohet ishte shumë pozitive për banorët e asaj zone zgjedhore, ishte poashtu lista e kandidatëve nga ana e PDSH-së, parti kjo e cila ka filluar të kthjellohet nga hibernacioni i saj i mëparshëm, dhe ka filluar të nxjerrë kandidatë për deputetë fytyra eminente kombëtare, të aftë profesionalisht, njerëz të devotshëm ndaj idealit kombëtar. Bartësi i listës i Partisë Demokratike Shqiptare në këtë njësi zgjedhore, po edhe në njësitë e tjera zgjedhore, pra është një njeri mjaft i guximshëm dhe patriot. Kësisoj dalja e tij dhe fitorja e tij e sigurt, na ngjalli shpresat se më në fund edhe kësaj njësie zgjedhore do t`i dalë ndokush në mbrojtje, do të kontribuojë në zbutjen e varfërisë dhe varfërive tjera që i`a kanë zënë frymën kësaj popullate. Në sytë e qytetarëve shqiptarë të kësaj njësie zgjedhore, e posaçërisht në Kumanovë dhe Likovë, mundet të shihej shumë lehtë një qetësi shpirtërore dhe fizike tek njerëzit e kësaj ane.

 

Kësisoj kandidatët e dy partive opozitare, PDSH-së dhe RDK-së, meritojnë të jenë deputet të popullit nga zona zgjedhore numër 2, sepse me këtë ata do ta faktorizojnë edhe njësinë zgjedhore numër 2, e cila deri më tani ka qenë e neglizhuar nga politikanët dhe qeveritarët aktual, e më pastaj bartësit e kandidatëve të këtyre dy partive janë figura kombëtare, patriotike, me një moral të lartë e jo të prishur, të aftë profesionalisht që kanë dëshmuar se dinë të mendojnë për popull.