| E marte, 31.05.2011, 07:13 PM |
Eseistika ndërgërshetuese
(Fjalë përuruese)
Nga Mehmetali Rexhepi
Gjithsesi epoka e mrekullisë informative, në disa aspekte, tashmë po i konkuron librit. Megjithatë, mendoj, veçantia e librit është e pazëvendësueshme.
Libri, pos sublimimit të dijes: ngërthimeve dhe zbërthimeve të atmosferës njerëzore, ofron edhe mundësi të përdorimit të lehtë, kudo, edhe me qirinj, pa impulse celulare…
Secili prej nesh, pos gjumit si funksion i pashmangshëm fiziologjik i trupit, për dinamikën e lodhshme të ditës, e lyp pozitën e shtrirjes horizontale. Nga pozita e shtrirë, librin mund ta sjellësh herë në njërin, herë në krahun tjetër, ta fusësh si nënkresë për kokë…
Në fushat e faqeve të tij, me syrin e mendjes do të vjelësh e mbjellësh njëkohësisht vlera të intelektit të njeriut, të bukurën pleksur me urtinë e ligësinë, çastet magjike e dhimbjen e përhershme të jetës.
* * *
Tre dhjetëvjeçarët që i përballuam sollën kthesa dramatike: përmbysje, rënie, ringritje, rirenditje, plagë… Luftë dhe paqe. Strukturime dhe ristrukturime etike, etnike, shpirtërore, epike, lirike,shkencore dhe profesionale.
Pasqyrimi intelektual dhe artistik, gjetja a mos gjetja e kaheve të baraspeshës kthesave, vuri në sprovë autorë me e pa prirje dhe vokacione të ndryshme: ideore, artistike, kritike, eseistike, dokumentare, vlerësuese e vetëvlerësuese llojesh të përziera…
“Vërshimi” i lulëzimit të prodhimtarisë së librave, botimet e shumta, pohoj se e kanë ngulfatur mendimin kritik krijues për sferën intelektuale e shpirtërore.
Kjo “vërshimë” e vëllimeve me lloje e gjini të ndryshme, do të duhej ta kishte tumirjen a mostumirjen e peshores kritike, kullimin e vlerave nëpërmjet një kritike të standardeve bashkëkohore, jashtë klisheve e ngjyrimeve të tejdukshme politike.
Në shkrimin vlerësues kritik gjithnjë mësyhet përzgjedhja e asaj që është vlerë dhe e bukur.Në këtë përzgjedhje ka lobime subjektive, arbitrare, meskine dhe hipokrite.Ndaj, mëtoj përballje… Çfarë? Shkrirjen e mendimit ndërgërshetues: kritikë eseistike, estetike, poetike, filozofike.
Ky tip i shkrimit kritik bartet përmes një gjuhe e stili figurativ, duke ngritur koncepte të rikrijimit për akëcilën ide, pamje ose figurë të shkrimit.
Sfondin e këtij shkrimi të hapur e shumëplanësh e mbështjell metashkrimi.
Vlerësimet e ligjëruesve të çmuar: Faik Shkodra, Hysen Matoshi, Prend Buzhala, si dhe të libër - kompozuesit Sherafedin Kadriu, autorit Mehmetali Rexhepi ia tumirën qasjet kritike, estetike, etike, filozofike e stilistike të eseistikës së ngërthyer në veprën “Enigma e magjikes”.
Në qoftë se është arritur që në mjedisin e shqip - shkrimit të përtrollitet një hulli e eseistikës së hapur, ndërgërshetuese, atëherë për autorin, tipin dhe stil - shkrimin që solli: ia vlejti barra qeranë.
Gjilan, prill 2011