Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lavdrim Lita: Sfida e Bashës në mbajtjen e premtimeve

| E marte, 31.05.2011, 07:58 PM |


Sfida e Bashës në mbajtjen e premtimeve

 

Nga Lavdrim Lita

 

Të mbash premtimet është një çështje morale. Çdo premtim është si taksat dhe vdekja, një detyrim që duhet shlyer. Për ne Lulzim Basha është rikthimi i kësaj shprese shumë të dëshiruar dhe shumë të votuar në Tiranë. Përzgjedhja qytetare është bërë dhe ka ardhur koha që zotimet e bëra përgjatë fushatës elektorale të kenë sa më parë një nisje, pavarësisht kleçkave ligjore. Sepse pikat e kontratës së lidhur me 8 maj kërkojnë dhe detyrojnë moralisht fituesin, që për katër vitet e ardhshme të kemi një investim energjish të domosdoshme për arritjen këtyre detyrimeve madhore.

Sigurisht për Lulzim Bashën ka qenë një fushatë elektorale me zotime aq të shumta saqë edhe pritshmëritë janë po aq të mëdha. Janë shpalosur një mori premtimesh, që mund të përmblidhen shkurt në tre drejtime: së pari një zhvillimin ekonomik të Tiranës. Basha ka premtuar një model të ri zhvillimi ekonomik, i cili do të na garantojë mirëqenie, punësim të mjaftueshëm për qytetarët e Tiranës si qendra kryesore ekonomike e vendit, ku mbi 6 mijë të rinj hyjnë çdo vit në tregun e punës. Ai ka thënë se do të kemi një përpjekje të fuqishme të pushtetit vendor, krijimin e nja agjencie lokale të konsumatorit për të kontribuar në normalizimin e çmimeve në këtë qytet të cilat janë më të larta se në komunat dhe Bashkitë përreth. Pra, përdorimin e të gjithë mekanizmave fiskalë dhe ligjorë. Ky është një premtim serioz. Nëpërmjet reformës, nëpërmjet garantimit të investimeve dhe krijimit të një klime investimesh për rritjen e mirëqenies ekonomike të qytetarëve të Tiranës, me fokus punësimin. Së dyti, kryetari i bashkisë është zotuar publikisht përgjatë fushatës se do të miratohet brenda 9 muajve plani i ri urbanistik, dhe mundësia që ky plan duhet t’u ofrojë qytetarëve, pikësëpari për zhvillimin e pronave të tyre. Për hapësira të gjelbra, për shkolla dhe kopshte të reja.

Kryetari i bashkisë Tiranë, Lulzim Basha na ka garantuar një zhvillim të fuqishëm të infrastrukturës, zhvillim i cili ka mbetur peng për faj të ish-Ramës, që nga Unaza e Madhe, tramvajet që kam propozuar për qytetin, tek zhvillimi i parqeve të mëdha të gjelbra, korridorit rekreativ të Lumit të Tiranës dhe një parku tjetër të madh. Sidozot në qendër të këtij zhvillimi, që ka të bëjë me cilësinë e jetës, do të jenë lagjet tona, shtëpitë tona, apartamentet tona. Basha na ka thënë se ky zhvillim, do të fillojë nga pragu i derës së tonë, dhe jo nga qendra. Së treti kryetari i ri i Bashkisë Tiranë ka premtuar një mirëqeverisje, sikur të ishim në një familje e madhe në të cilën kurrsesi nuk mund të ketë të humbur dhe të fituar, sepse harmonizimi i interesave çon përpara qytetin dhe të gjithë fitojmë. Domethënë një qeverisje sa më pranë qytetarit, i cili është në qendër të universit, ku njeriu është metër i matjes së pulsit të zhvillimit ekonomik dhe kulturor. Meqenëse jemi tek metri, po them se janë qindra mijëra metra katrorë të pa-hipotekuara në Tiranë, të cilat Lulzim Basha është zotuar, sipas mekanizmave ligjorë, që t’i legalizojë.

Është një premtim që i ka sjellë atij më shumë se 60 mijë votues, ky është dhe numri i atyre që kanë banesat e tyre të pahipotekura. Procesi i hipotekimit është bllokuar nga administrata e mëparshme, për shkak të mungesës së vullnetit apo mungesës së transparencës, janë ngrirë kapitale të jashtëzakonshme, që kapin shifrën e 700-800 milion eurove. Nëse çlirohet këto kapitale impakti do të jetë i drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të qytetit. Po kështu thjeshtëzimi i taksave është një kërkesë më shumë se kurrë nga ana e biznesit. Në fakt ato që listuam më lart janë ndër ato gjëra që i nevojiten më së shumti kryeqytetit tonë. Më skeptikët thonë se fushatat elektorale në Shqipëri janë një paradë premtimesh të pambajtura. Dhe këto skeptikë ka një farë të drejtë sepse në Tiranë këta qytetarëve janë përballur me premtimet që janë bërë, por që asnjë herë nuk janë mbajtur.

Por jam besimplotë se Lulzim Basha do të jetë një kryebashkiak ndryshe nga pararendësit. E gjithë karriera e tij bazohet në realizimin e objektivave të paracaktuara, prandaj edhe ka qenë një prej Ministrave më të suksesshëm të qeverive Berisha. Sfida e Bashës për mbajtjen e premtimeve është sfida e së ardhmes.